Arbëri

Sindikatat e Arsimit të shteteve të Ballkanit alarmojnë për vështirësitë e shumta

Presidenti i Komitetit të Sindikatave të Arsimit të Evropës Larry Flanagan bashkë me drejtoreshën e përgjithshme Suzan Flocken kanë organizuar takim me udhëheqësit e sindikatave të arsimit nga disa vende të Ballkanit.

Sipas komunikatës së lëshuar nga SBASHK-u, qëllimi i këtij takimi ishte të analizohet gjendja aktuale në sistemin arsimor të këtyre shteteve në kohë pandemie dhe të përcillen shqetësimet e vërejtjet në të gjitha adresat e mundshme të institucioneve gjegjëse.

Në këtë takim, krahas përfaqësuese të lartë të sindikatave të arsimit nga Shqipëria, Sllovenia e shtete të tjera të Ballkanit, kanë marrë pjesë edhe kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe nënkryetarja Vjollca Shala.

Kryesindikalistët e arsimit nga këto shtete teksa po tregonin për gjendjen në arsimin e shteteve të tyre në kushte pandemie kanë kritikuar institucionet duke dhënë vlerësimin se qeveritë sikur nuk janë duke e kuptuar gjithë seriozitetin e situatës tepër të vështirësuar e të rënduar në sistemin arsimor e që është krijuar nga pandemia. Kryesindikalistët nga shtete të Ballkanit kanë kritikuar institucionet edhe sa i takon mungesës së dialogut social duke vlerësuar se dialogu sikur ka rënë në një lloj përgjumje, siç njoftohet nga SBASHK.

“Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë lavdëruar gjithë punëtorët e arsimit në Kosovë për punën e përkushtimin në përballje me sfidat e shumta duke kontribuar në rrjedhën sa më të mbarë të procesit mësimor edhe përkundër kushteve tepër të vështirësuar nga pandemia. Ata kanë treguar edhe për shumë arritje në realizim të kërkesave të anëtarësisë, pjesëmarrja në të gjitha takimet dhe grupet punuese në përgatitje të dokumenteve e strategjive të arsimit në kushte pandemie dhe për angazhimet maksimale në trajnimin e 6000 punëtorëve arsimor me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë. Presidenti i Komitetit të Sindikatave të Arsimit të Evropës Larry Flanagan ka përgëzuar SBASHK-un për këto dhe shumë angazhime e arritje edhe në këto kohë e kushte për të shprehur gatishmërinë për përkrahje të ETUCE-së për të gjitha sindikatat anëtare. Presidenti Flanagan është shprehur se shqetësimet dhe çështjet e ngritura nga përfaqësuesit e sindikatave të arsimit nga shtetet e Ballkanit dhe shteteve të tjera në takimet e radhës do të adresohen në të gjitha adresat e institucioneve gjegjëse”, thuhet nga SBASHK.