Arbëri

ASK-ja zbaton 9 gjetje të Auditorit, kryeshefi kërkon ndihmën e shtetit për sigurinë e të dhënave

Descriptive Text

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve.

Për këtë raport ka raportuar kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha i cili theksoi se nga 16 gjetjet e auditorit, 9 prej tyre janë të adresuara e të përfunduara, 3 janë në proces, ndërsa 4 nuk janë adresuar pasi nuk është kompetencë e ASK për adresim.

Berisha theksoi se të gjitha gjetjet e auditorit presin t’i përmbushin deri në vitin e ardhshëm.

Berisha ka treguar edhe për blerjen e pajisjeve të teknologjisë informative si kompjuterë dhe laptopë për zyrtarë të ASK-së.

Ai po ashtu ka kërkuar mbështetjen institucionale për sigurinë e të dhënave në këtë Agjenci.

Kryetarja e Komisionit Hykmete Bajrami nga LDK-ja theksoi se forcimi i kapaciteteve në ASK është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, sipas të cilës siguria e informacionit është ajo që i shqetëson të gjithë.

Ndërsa, zëvendëskryetarja e Komisionit, Arta Bajralija nga Lëvizja Vetëvendosje tha se rezultatet e auditimit tregojnë se nuk ka mekanizma të nevojshëm për teknologjinë e informacionit në ASK.

Anëtari i Komisionit Hajdar Beqa nga PDK ka përgëzuar ASK-në për sa i përket përmbushjes së rekomandimeve të Auditorit.

Ai tha se është për t’u vlerësuar efikasiteti i shpejt i ASK për zbatimin e rekomandimeve.

Ndërsa, zëvëndësauditorja e ZKA ka falënderuar kryeshefin e ASK-së për masat që kanë marrë për përmbushjen e rekomandimeve.