Arbëri

Kraki: Kosova, humbësja e vetme në treshen me BE-në e Serbinë

Profesori i shkencave politike në Francë, Nezir Kraki, e ka quajtur Kosovën humbësen e vetme në procesin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, Kosova është e vetmja që ka humbur në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Kosova fatkeqësisht gjendet sot për sot e fundit në listën e vendeve që janë në korridorin e integrimit. Ndoshta tash Turqia është më larg se Kosova për arsye tjera, por te shtetet e Ballkanit Perëndimor Kosova është e fundit dhe për arsye që dihen, për dështim të brendshëm e mungesë strategjie të liderëve të deritashëm dhe paragjykimet që dalin jashtë kufijve të Kosovës e që lidhen me Serbinë e për të cilat as pesë shtetet anëtare të BE-së s’e njohin Kosovën shtet. Këto e vendosin si rast të veçantë ‘sui generis’”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Krakit, Bashkimi Evropian s’ka pasur qasjen e njëjtë të përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, për Kosovën çështjet teknike janë kthyer në politike. Për këtë ka thënë se ka qenë gabim i pafalshëm i Bashkimit Evropian, por e ka quajtur gabim trashanik të liderëve të Kosovës që lejuan që “dialogu nga teknik të bëhet puro politik, dhe çështjet teknike me BE-në të shndërrohen në çështje politike”.

“Kjo formoi më pas një lloj mjegulle në të cilën gjendemi aktualisht, politiko-teknike. As s’i zgjodhi problemet teknike të serbëve në Kosovë e as liberalizimin e vizave e as që nisi ta zgjedhë çështjen e marrëdhënieve. Në të gjitha pikat Kosova ka humbur deri tash. Në të gjitha aspektet e angazhimit më shumë se 10-vjeçar, Kosova është humbëse. Kosova është humbësja e vetme në treshen BE – Serbi – Kosovë”, ka thënë ai.

Teksa ka krahasuar Kosovën me shtetet tjera që tashmë kanë marrë liberalizimin e vizave, Kraki e ka quajtur të palogjikshëm faktin që kosovarët ende s’mund të udhëtojnë pa viza në Evropë.

E sipas tij, pikërisht relativizimi i punës së vizave në bisedimet me evropianët e sqarimi që kjo është çështje teknike dhe se Kosova ka përmbushur kushtet është kriteri i parë me të cilin duhet të niset delegacioni i Kosovës për në dialog.

Kraki e ka cilësuar pozitiv për Kosovën ndërrimin e administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, administrata Biden riintegron njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se ky kusht ishte hequr.

Kraki ka thënë se në këtë duhet të insistojnë qeveritarët e Kosovës kur bisedojnë me Serbinë.

“As Bashkimi Evropian nuk ka interes që Kosova të shpërfytyrohet. Është moment pozitiv dhe duhet të kapitalizohet. Duhet t’i qasemi këtij momenti me një vizion të qartë. Nëse synim ka qenë që Serbia të marrë diçka, duhet të ndryshojë kjo paradigmë. Kosova në dialog nuk duhet të shkojë si çështje por si shtet”, ka thënë ai.

Kraki ka thënë se teknikisht është i mundur finalizimi i procesit për statusin e vendit kandidat për BE.

Ai ka thënë se edhe pse Spanja është shteti më hezitues kundrejt Kosovës, ajo nuk e ka bllokuar MSA-në.

Sipas tij, nuk mund të arrihet stabiliteti nëse nuk arrihet rregullimi i marrëdhënieve mes shteteve të Ballkanit.

“Nëse Kosova dhe Serbia i sqarojnë disa aspekte dhe interesi i BE-së mbetet që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së, atëherë 2025 është synim i kapshëm. Unë nuk besoj që do të futemi si shtet në BE në 2025 por mund të afrohemi te dera. Që të jemi shtet kandidat dhe që BE ta pranojë Kosovën si kandidaturë serioze është e arritshme”, ka thënë ai.