Pothuajse asgjë konkrete nuk ka paraparë programi i Qeverisë së Kosovës për Shëndetësi. I përmbledhur në 1 faqe, pa e përfshirë pandeminë, ky program jo vetëm që nuk ka adresuar çështjet urgjente, por edhe është marrë me aspekte që ligjërisht nuk i takojnë. Nuk është folur fare për Listën Esenciale, nuk janë dhënë premtime konkrete për sigurime shëndetësore, nuk është folur për shkollimin specialistik, as për atë nëse do të rritet dhe më numri i inspektorëve shëndetësorë e farmaceutikë, s’është përmendur fare Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Farmaceutike që duhet të matë cilësinë e barnave, s’është përmendur fare Fondi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike dhe plani për zvogëlimin e shpenzimeve nga ky fond. Këtë vit nuk është përmendur ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, as nuk është dhënë ndonjë indikacion që do të ketë riorganizim e reformë të thellë në SHSKUK
Programi i Qeverisë se Kosovës për shëndetësi nuk adreson në mënyrë të saktë problemet kyç të shëndetësisë. Ekzekutivi të premten ka shpalosur programin qeverisës. Te pjesa e shëndetësisë janë dhënë fare pak premtime konkrete e pak elaborim se si do të bëhen ato. Disa nga objektivat që i ka paraqitur për shëndetësi ose janë në realizim e sipër ose e pamundur të bëhen, ndërsa një pjesë e tyre nuk janë fare kompetencë e Qeverisë. Programi i Qeverisë për Shëndetësi flet shumë ndryshimin e legjislacionit dytësor, por nuk ka asnjë pikë që flet për ndonjë reformë të mundshme.
Pa plan për Sigurime Shëndetësore
Projekti me i rëndësishëm në shëndetësi është ai i funksionalizimit të Sigurimeve Shëndetësore. Por, Qeveria nuk ka dhënë asnjë plan konkret se si do ta bëjë një gjë të tillë. Janë përendur amendamentimet e ligjeve dhe nxjerrja e legjislacionit dytësor, por nuk ka asnjë plan konkret të fillimit të funksionalizimit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Një nga prioritetet më të rëndësishme në sistemin shëndetësor do të arrihet duke bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Sigurim Shëndetësor dhe fuqizimin e kapaciteteve administrative njerëzore dhe infrastrukturore në Fondin për Sigurime Shëndetësore, si parakushte për fillimin e grumbullimit të kontributeve”, thuhet në program.
Por, në dokument nuk është dhënë asnjë projektim se kur do të nisë implementimi i sigurimeve shëndetësore, a do të këtë pilot-projekt të realizimit të sigurimeve shëndetësore, nëse do të kishte pilotim të sigurimeve shëndetësore me cilat shërbime do të fillohej, a do të tentohet që të bëhet rimbursimi i barnave për pacientë jashtëspitalor dhe nëse po me cilën kategori të pacientëve do të fillohej, kur do të jetë e gatshme çmimorja dhe kur do të ketë listë bazike të shërbimeve që do të përfshihen.
Është përmendur ndryshimi i legjislacionit për këtë çështje, por jo edhe realizimi i tyre.
Ndryshimi i legjislacionit për këto çështje është identifikuar qysh në vitin 2017, në kohën kur ministër ishte Imet Rrahmani nga LDK.
“Ky proces do të zhvillohet paralelisht me kompletimin e Sistemit Informativ Shëndetësor dhe Udhërrëfyesit klinikë që janë dhe parakusht i realizimit të sigurimeve shëndetësore publike. Gjithashtu, në këtë kuadër duhet të bëhet kompletimi i legjislacionit dytësor për zbatimin e lirimit nga pagesa e premiumeve, bashkëpagesat dhe bashkëfinancimi për shërbime shëndetësore, skemën e barnave jashtëspitalore, kontraktim të barnatoreve, trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike”, thuhet në dokumentin e miratuar nga Qeveria.
Në program nuk është përmendur fare Fondi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore. Siç ka raportuar KOHA në vazhdimësi, për këtë fond shteti ndan çdo vit deri në 12 milionë euro, të cilat u paguhen spitaleve private jashtë dhe brenda Kosovës për trajtimin e diagnozave që nuk trajtohen në QKUK dhe në spitale të tjera. Në këtë program nuk është e përcaktuar se cili është plani i reduktimit të sëmundjeve që nuk gjejnë shërim në Kosovë e që do të bënte edhe uljen e buxhetit që shkon në spitalet private.
Në anën tjetër, Qeveria në programin për shëndetësi të reduktuar në një faqe jo të plotë është marrë edhe me çështje që nuk janë punë fare e ekzekutivit.
“Do të mbështetet rrjetëzimi i mjekëve kosovarë në mërgatë dhe ndërlidhja me organizatat dhe odat e profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në programin e publikuar.
Por, ligjërisht, Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjegjëse për këtë. Odat e Profesionistëve Shëndetësorë janë të pavarura nga Qeveria.
Një gjë e tillë është e përcaktuar në Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.
“Odat janë organizata të pavarura profesionale që ushtrojnë veprimtari publike dhe kanë cilësinë e personit juridik, me të drejta dhe detyra të përcaktuara me këtë ligj, aktet nënligjore, legjislacionin tjetër përkatës dhe Statutin e Odave”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 5 të Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.
Në program të Qeverisë është folur edhe për protokollet e udhërrëfyesit klinik, të cilat në parim kanë qëllim ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore përmes një kujdesi shëndetësor të bazuar në dëshmi. Nuk e kanë cekur sa udhërrëfyes dhe për çfarë periudhe do të bëhen.
Udhërrëfyesit kanë nisur të bëhen qe disa vite. Në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë janë të publikuar një numër i tyre e në bazë të asaj që thuhet aty deri tash janë protokolluar 20 udhërrëfyes.
Në shumë vende të botës, në hartimin e udhërrëfyesve nuk ka fare punë Qeveria. Kjo çështje është në dorë të profesionistëve shëndetësorë.
Për shembull, në faqen zyrtare të Shoqatës Evropiane të Kardiologëve thuhet që “udhërrëfyesit janë në dispozicion nga anëtarët individualë të Shoqatës dhe do të miratohen, me çdo modifikim të dëshiruar, nga Shoqatat Kombëtare të Anesteziologjisë për përdorimin e tyre kombëtar, nëse dëshirojnë”. Njëjtë thuhet edhe për lëmit e tjera.
Por, në Kosovë ka Udhëzim Administrativ që këtë çështje e lënë në përgjegjësi të shtetit.
Programi i Qeverisë, megjithatë, ka pika të domosdoshme ku duhet të intervenohet.
Sikurse edhe qeveritë e kaluara, ekzekutivi pjesë të programit ka ngritjen e shërbimit paliativ.
Kujdes Paliativ sipas literaturës mjekësore quhet trajtimi gjithëpërfshirës për personat që vuajnë nga sëmundje të cilat janë kërcënuese për jetën, të tilla si: kanceri, çrregullimet progresuese polmonare, neurologjike, renale. Kujdesi Paliativ trajton jo vetëm çështjen e vuajtjes fizike nga sëmundja, por edhe çështje që lidhen me të drejtën njerëzore për të pasur një fund sa më cilësor të jetës në të gjitha aspektet.
Në program ka një fjali për këtë çështje.
“Ndërtimi i funksionalizimit të sistemit të kujdesit paliativ, i shoqëruar me ngritjen e institucioneve të përshtatshme”, thuhet në programin e Qeverisë pa dhënë asnjë detaj se si për çfarë periudhe mund të ndodhë një gjë e tillë.
Kujdesi paliativ është përmendur në programin e secilës qeveri që pothuajse një dekadë.
Nuk është folur për revidimin ose ndryshimin e Listës Esenciale të Barnave.
Bazuar në përvojat e revidimit të Listës Esenciale revidimi vjetor është pothuajse i pamundshëm nëse bëhet në mënyrë të mirëfilltë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka një listë model mbi të cilën bazohet hartimi i listave nacionale të shteteve të tjera. Në faqen e kësaj organizate, kur flitet për Listën Esenciale Model, sqarohet se sa shpesh ndërrohet ajo. Lista Esenciale e Barnave hartohet nga OBSH-ja që nga viti 1977.
“Listat Model të Barnave Thelbësore të OBSH-së janë azhurnuar-reviduar çdo dy vjet që nga viti 1977. Versionet aktuale janë Lista e 21-të e Barnave Thelbësore të OBSH-së dhe e 7-ta Lista e Barnave Thelbësore të Fëmijëve e reviduar- azhurnuar në qershor 2019”, thuhet në faqen zyrtare të OBSH-së.
Por, në programin e Qeverisë nuk është përmendur fare çështja e revidimit të Listës së pajisjeve mjekësore, materialit shpenzues, materialit diagnostik dhe asistiv. Kjo listë nuk është një me atë të barnave. Një gjë e tillë konfirmohet nga webfaqja e Ministrisë së Shëndetësisë, ku gjendet dokumenti zyrtar i revidimit të Listës Esenciale të Barnave e vitit 2019. Në pikën tre të vendimit për hyrjen në fuqi të listës, thuhet që është ndryshuar vetëm e pjesëve të barnave, ndërsa pjesa tjetër nuk është reviduar.
Përderisa Lista Esenciale e Barnave është reviduar në vitin 2019, ajo e pajisjeve mjekësore nuk ka ndërruar qysh në vitin 2012, ndërsa nuk është përmendur fare në programin e Qeverisë.
Qeveria nuk e ka përmendur fare nëse do ta rritë buxhetin për barna. Sivjet buxheti për barna spitalore është rreth 15 milionë euro më pak se çdo vit, ndërsa vetë MSH-ja pas ardhjes së ministrit Arben Vitia ka alarmuar për gjendjen e keqe të furnizimit me barna me theks të veçantë në shërbimin parësor.
Lista Esenciale e reviduar përveç Listës Bazike në vete kishte edhe Listën Komplementare. Lista Bazike është e obligueshme nga shteti të mbulohej 100 për qind, ndërsa në Listën Komplementare gjenden disa produkte të kushtueshme, disa prej tyre citostatikë (barna për trajtimin e pacientëve me kancer), dhe barna për sëmundje të rralla që janë barna shumë të kushtueshme, e që do të duhej të kontraktoheshin në rast se Qeveria ndan para ekstra pikërisht për këtë qëllim. Një gjë e tillë nuk është përmendur fare në program.
Më tutje, Qeveria thotë që pjesë të programit e ka edhe “Ngritjen e kapaciteteve të Inspektoratit për monitorimin”. Një gjë të tillë nuk e kanë përmendur nëse do ta bëjnë inspektorët farmaceutikë ose ata shëndetësorë. Nuk kanë treguar për sa do të rritet numri. Aktualisht në Kosovë janë 12 inspektorë farmaceutikë, ndërsa 15 inspektorë shëndetësorë, ndërsa mijëra institucione private shëndetësore e farmaceutike që duhet të monitorohen nga këta trupa.
KOHA e ka kontaktuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për t’i marrë deklaratë për programin e Qeverisë për këtë sektor. Vitia deri në këto momente nuk është përgjigjur.
Plani për pandemi, shteti thotë se do t’i paguajë shpenzimet që e ka obligim për ta bërë
Me shumë se për “reformat” në shëndetësi, Qeveria e Kosovës në programin 4-vjeçar është folur për menaxhimin e situatës epidemiologjike me COVID-19.
Është thënë se për 7 muajt e mbetur do të vaksinohen 60 për qind e qytetarëve.
Por, programi për menaxhimin e situatës epidemiologjike parasheh realizimin edhe të shumë obligimeve ligjore që rrjedhin nga Ligji për pandeminë, ani pse ekzekutivi i ka prezantuar si zotime.
“Pako emergjente financiare për mbështetje të trajtimit klinik për të shtruarit në klinikat e dedikuara për trajtimin e pacientëve me COVID-19”, thuhet në program.
Më tej aty flitet për “sigurimin e barnave dhe produkteve mjekësore anti-COVID, që të parandalohet varfërimi i qytetarëve, respektivisht pagesa nga gjepi i tyre”.
Por, këto fjali që Qeveria i ka paraqitur në program, janë obligim ligjor i ekzekutivit që rrjedhin nga ligji që Qeveria Kurti 1 e kishte iniciuar.
“Çdo person ka të drejtë të përfitojë nga masat për mbrojtjen nga COVID-19. Në kuadër të mbrojtjes së popullsisë nga pandemia COVID-19, Qeveria e Kosovës siguron mjete materiale shtesë për rastet emergjente: Për mbulimin e shpenzimeve të izolimit, të ekzaminimit dhe të mjekimit në institucionet publike shëndetësore të personave të sëmurë dhe të personave për të cilët dyshohet se vuajnë nga COVID-19; Për mbulimin e shpenzimeve të karantinës, të kontrollit kufitar dhe kontrolleve të tjera me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19”, thuhet në nenin 10 të këtij ligji, i cili ka hyrë në fuqi në gushtin e vitit të kaluar.
Përmbushja e këtyre obligimeve prodhon kosto shtesë, të cilat nuk janë të përfshira në buxhetin për vitin 2021. Mbetet të shihet nëse një gjë e tillë do të përfshihet në rriskimin e buxhetit, proces që pritet të ndodhë në pjesën e dytë të vitit.