Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk ka ende shifra të sakta se sa prej tyre janë ndërtuar nga institucionet e sa nëpërmjet iniciativave vullnetare. Për vitin 2021 kësaj agjencie i janë ndarë afro 4 milionë euro, por që, sipas drejtuesve të saj, vetëm 400 mijë prej tyre janë destinuar për mirëmbajtjen e afro 1600 memorialëve, shtatoreve, lapidarëve, busteve, varrezave dhe objekteve të tjera përkujtimore
Që nga lufta e fundit në Kosovë janë ndërtuar mbi 1600 komplekse përkujtimore, përfshirë lapidarë, shtatore e buste. Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në Kosovë nuk disponon me shifër të saktë se sa nga to janë ndërtuar nga institucionet e shtetit e sa nëpërmjet iniciativave vullnetare.
Drejtori i kësaj agjencie, Bislim Zogaj, thotë se në kohën kur janë themeluar është llogaritur të jenë diku rreth 230 objekte përkujtimore.
“Në pamundësi për t’i evidentuar si agjenci kemi qenë të obliguar të shpallim një procedurë tenderuese për të zgjedhur një kompani për të dalë dhe për ta parë gjendjen në terren. Pas përfundimit të punës së kësaj kompanie kemi ardhur në përfundim se në tërë Kosovën ekzistojnë mbi 1600 komplekse përkujtimore, lapidare, buste, gur të vënë ku ka rënë dëshmori, varreza të martirëve e shumë e shumë objekte të tjera”, ka thënë Zogaj.
Pavarësisht se nga kush janë ndërtuar, për mirëmbajtjen e tyre është përgjegjëse Agjencia. Për vitin 2021, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në Kosovë, Qeveria ia ka ndarë rreth 4 milionë euro, por megjithatë gjendja në shumë komplekse në Kosovë vazhdon të jetë e rënduar.
Zogaj ka treguar se sa nga këto mjete të Agjencisë janë destinuar për mirëmbajtje të komplekseve.
“Ne për këtë vit i kemi vetëm 3 milionë e 300 mijë euro për investime kapitale dhe vetëm 400 mijë euro për mirëmbajtje që janë të pamjaftueshme që t’i mirëmbajmë të gjitha këto memorialë, lapidare ,por edhe të gjitha këto objekte të ndërtuara që nga paslufta”, ka thënë ai.
Raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020, të mërkurën është shqyrtuar në Komisionin për Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë.
Zogaj, gjatë raportimit të tij, vuri në pah përgjysmimin e buxhetit për vitin 2020, prej afro 2.6 milionë nga shuma prej 5 milionë eurove. Sipas tij, me buxhetin e vogël të ndarë për Agjencinë edhe për këtë vit, do të ketë probleme në arritjen e planifikimeve dhe objektivave.
“Sa i përket buxhetit kemi qenë të hendikepuar vitin e kaluar. Ne kemi nevojë për buxhet shtesë për intervenime urgjente”, ka thënë Zogaj në Komision.
Buxheti, sipas Zogajt, do të jetë i nevojshëm për Agjencinë edhe për ta shtuar numrin e punonjësve profesionistë që, siç thotë ai, janë shumë të nevojshëm në AMKMK.
Raporti i AMKMK-së për vitin 2020, nga ana e anëtarëve të Komisionit nuk u vlerësua i kompletuar dhe i detajuar mirë. Kësisoj, Komisioni do të realizojë një vizitë gjatë ditëve në vazhdim për të parë më për së afërmi të gjitha mangësitë dhe problemet e paraqitura.