Durrësi është duke bërë përgatitjet e fundit në prag të sezonit të ri turistik, i cili sërish do të zhvillohet në kushte pandemie. Megjithëkëtë, krahasuar me vitin paraprak, lehtësim po konsiderohet vaksinimi i qytetarëve dhe kategorive të ndryshme, përfshirë stafet hoteliere.
Në qytetin bregdetar tashmë janë hapur baret e jashtme, si dhe në përgatitje e sipër janë çadrat nëpër plazhe.
Përfaqësues të këtij sektori thonë se pandemia i ka dëmtuar, por që ia kanë arritur t’i ruajnë kapacitetet e domosdoshme për nisjen e sezonit.
“Absolutisht ka qenë një periudhë shumë e vështirë, pjesa kryesore ka qenë të dalim nga pandemia, të dalim së bashku me ekipin e punës, stafi. Neve ia kemi dalë ta kalojmë të gjithë së bashku dhe të jemi në pritje për një sezon të suksesshëm në vitin 2021”, ka thënë Ekleona Kondi, menaxhere në hotel “Harmonia”.
Çifti i moshuar nga Prishtina janë ndër turistët e paktë të Durrësit në fundin e muajit prill. 88-vjeçari... para tre muajsh i ka mbijetuar virusit COVID-19. Ndërkaq, pasojat që ia ka lënë shpreson t’i tejkalojë në rërën e Durrësit.
“1933, në arsim tërë jetën. Unë kam qenë përafërsisht dy apo tri herë, tash rri pak më gjatë, do ta njoh më mirë Shqipërinë....ndërron vendi. Prej pandemisë jemi mirë, ma ka marrë forcën e këmbëve dhe mezi që po lëvizi, që tre muaj e kam kaluar. Pak do të dal në deti do të rrezitem”, thotë ai. “Na kanë lavdëruar shumë dhe Durrësi në përgjithësi është shumë i mirë, prandaj vijmë shpesh këtu. Shqipëria në përgjithësi është vendi më i bukur që ekziston”, shprehet ai.
Prishtina dhe Kosova kanë mbajtur gjallë turizmin në Durrës, thonë përfaqësues të hotelerisë atje.
Sipas përfaqësuesve të hoteleve, turistët më të shumtë janë nga rajoni i Ballkanit, vendet e Bashkimit Evropian dhe ato nordike. Por, për shkak të pandemisë fokusi për sivjet do të jetë te shtetet e Ballkanit.
“Vjet ndihmën më të madhe gjithë Shqipërisë ia ka dhënë Kosova, kështu që urojmë edhe sivjet të jetë e njëjta mbështetje, duke shtuar edhe grupet e tjera që vijnë nga rajoni. Masat absolutisht kanë ndikim, prandaj jemi të fokusuar te pjesa e rajonit pasi është më i kollajshëm për të bërë turizëm me shtetin tonë, që të kemi bashkëpunim më të madh”, ka theksuar Kondi.
Elton Orozi, specialist në Drejtorinë e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit, ka thënë se sezoni i ri turistik po vjen në një kontekst pozitiv sa i përket ecurisë së pandemisë, duke shënuar një përmirësim në uljen e numrit të infektimeve të reja. Si pozitive e konsideron faktin se numri i të vaksinuarve ka mbërritur në rreth 450 mijë persona, nga të cilët një pjesë e madhe janë të punësuar në sektorin e akomodimit dhe shërbimet e tjera të turizmit.
kryesore dhe që pavarësisht se mbetet e përkohshme, është besimi dhe siguria e cenuar e turistëve nga rreziku që paraqet prania e COVID-19, duke prekur drejtpërdrejt gatishmërinë e turistëve për të ndërmarrë udhëtime larg vendbanimeve të tyre. Kjo situatë shoqërohet edhe me mungesën e një aktiviteti të rregullt të linjave të transportit ajror, që kufizon në një masë lëvizjen e turistëve. Një sërë sfidash lokale mbeten për t’u adresuar, që lidhen me trajtimin e mbeturinave komunitare, me ndotjen akustike në qendrat turistike, me administrimin e stacioneve të plazhit etj.”, ka thënë Orozi. “Me sfidën ndërkombëtare po punohet shpejt për të siguruar personel në shërbim të turistëve të vaksinuar, protokolle strikte të respektuara me rigorozitet nga strukturat dhe në të njëjtën kohë kjo t’ju bëhet e ditur palëve të interesuara se po ndodh. Nga ana tjetër, po punohet të shfrytëzohet çdo mundësi për ta lehtësuar transportin ajror dhe hapja për fluturime e aeroportit ndërkombëtar të Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” do të ndikojë në arritjen e një sërë destinacionesh të rëndësishme për turizmin shqiptar dhe rajonal”.
Sipas Orozit, sezonin e kaluar u shënua një rënie prej rreth 65 për qind të numrit të vizitorëve të huaj në krahasim me vitin 2019. Ndërkaq, tani parashikohet që të ketë rritje të numrit të vizitorëve prej rreth 80 për
qind në krahasim me vitin 2020.
“Si në çdo rajon e për më tepër në qendrën e turizmit, në Durrës ka një përmirësim të dukshëm të infrastrukturës bazë-riasfaltime dhe rikonstruksione rrugësh, ndërtimi i ujësjellësit të Durrësit, trajtimi i ujërave në Gjirin e Lalëzit, vendosja e linjës 20 kv, përmirësimi i peizazhit dhe infrastrukturës urbane lungomare në Durrës, sistemimi i një sërë rrugësh të brendshme, ndërtimi dhe rikonceptimi i shesheve. Përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore në zinxhirin bazë të qendrave shëndetësore dhe në spitalin e Durrësit, dhe pajisja me të gjitha mjetet e nevojshme për ta përballuar situatën ekstreme të pandemisë kanë rritur besimin e turistëve”, ka theksuar Orozi.
Durrësi është ndër qytetet e para ku ka filluar vaksinimi i stafit të hotelerisë. Ata kanë pasur mundësi të zgjedhin nëse duan të vaksinohen apo jo. Por, sipas përfaqësuesve të hoteleve, shumica kanë preferuar të vaksinohen në mënyrë që të mos jenë bartës të infeksionit te turistët.
Veç pandemisë, turizmi në Durrës kishte pësuar goditje në vitin 2019, pas tërmetit vdekjeprurës.