Arbëri

Vonesat në vaksinim minojnë rritjen ekonomike të parashikuar nga Qeveria

Projeksione të përafërta me ato të ish-Qeverisë Hoti për rritje ekonomike ka paraparë Qeveria Kurti. Ekzekutivi në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2022-2024, që ka siguruar KOHA, parasheh që rritja ekonomike të jetë 5 për qind apo vetëm 0.2 për qind më pak sesa që kishte paraparë Qeveria Hoti. Ky skenar është më optimist sesa ai i Bankës Botërore, sipas të cilit Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 4 për qind.

Por, sipas ekzekutivit dinamika e pandemisë, nevoja për rivendosjen e masave kufizuese dhe zhvillimet në aktivitetin ekonomik të sektorëve që kanë më shumë kontakte fizike, paraqesin pasiguri në projeksionet për vitin 2021.

Në Kornizë thuhet se pasiguritë që rrethojnë projeksionet bazë janë më të ulëta se në rundin e mëparshëm të projeksioneve, si rezultat i dinamikës së vaksinimit në vendet fqinje dhe në vendet e tjera të Evropës dhe pritjeve për përshpejtimin e vaksinimit në Kosovë në muajt e ardhshëm.

E pandemisë nuk i dihet fundi, pasi që Kosova ka vaksinuar një numër të vogël të qytetarëve.

Kujtim Dobruna, drejtor ekzekutiv i Iniciativës Ekonomike për Kosovën (ECIKS), thotë se këto prognoza janë të pasigurta.

“Mosardhja eventuale e diasporës gjatë kësaj vere, e cila krahas dërgesës së parave shpenzon çdo vit mbi 1 miliard euro në Kosovë dhe të dyja këto bashkë bëjnë 30 për qind të BPV-së, do të ketë ndikim direkt në konsum, në eksport të shërbimeve dhe në performancën ekonomike”, ka theksuar ai.

Pra, sipas tij, rritja ekonomike varet më shumë nga ardhja apo mosardhja e diasporës dhe se ilaçi më i mirë për ekonominë është vaksinimi i shpejtë.

“Sa më parë që të arrihet imuniteti i tufës, aq më shpejt ekonomia do të fillojë të rimëkëmbet”, ka theksuar Dobruna.

Një lajm i mirë, sipas tij, është rritja e kursimeve nëpër banka. Kjo, pasi, siç ka thënë ai, nëse situata stabilizohet, një pjesë e këtyre kursimeve do të përdoret për investime dhe kjo do të ndikojë pozitivisht në ekonomi.

“Edhe rritja e eksportit të mallrave pritet të vazhdojë dhe të ketë një ndikim, por duhet thënë se eksportet e Kosovës janë ende të ulëta dhe pesha e tyre në ekonominë e Kosovës është ende e vogël”, ka theksuar ai.

Edhe Pëllumb Çollaku, bashkëpunëtor për hulumtime në Institutin Riinvest, thotë se ekonomia e Kosovës ndërlidhet me performancën e ekonomive të rajonit dhe BE-së.

Në skenarin më optimist, Kosova mund të ketë rritje ekonomike deri në 4.5% dhe kjo duke pasur parasysh rritjen nga një bazë e ulët, pasi ekonomia në vitin e kaluar ka rënë për 6.9%. Këto vlera të rritjes janë të pamjaftueshme të adresojnë nevojat emergjente të ekonomisë. Një skenar i mirë do të ishte nëse rritja intensifikohet në 6-7%, për çka do të duhej një inercion i madh investimesh publike”, ka theksuar Çollaku.

Sipas tij, vlerat aktuale, edhe pse të mëdha në raport me shtetet e tjera, janë iluzion optik dhe rezultat i prapambeturisë ekonomike, dhe si të tilla nuk adresojnë nevojat e një rritjeje dhe zhvillimi të qëndrueshëm për Kosovën.

Për dallimet në mes të projeksioneve të Qeverisë dhe Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, ai thotë se në mbarë botën parashikimet e institucioneve qeveritare mbi rritjen ekonomike janë më optimiste në krahasim me organizatat dhe agjencitë ndërkombëtare. Ato, sipas tij, variojnë nga 0.5 – 1.4%.

“Diferenca zakonisht reflekton dozën e pasigurisë dhe rezervën që këto institucione kanë për ekonominë në krahasim me qeveritë. Prapë, të dyja parashikimet janë me pasiguri të shumta që varen nga trendi i pandemisë dhe nga niveli i kufizimeve të ardhshme”, ka pohuar ai.

Për të nxitë rritjen ekonomike, sipas Çollakut, parakusht kryesor në pandemi duhet të jetë investimi në shëndetësi, dhe veçanërisht në procesin e imunizimit të popullsisë.

“Suksesi në këtë parakusht do të hapte mundësitë për rritjen e turizmit të diasporës, remitencave, dhe krijimin e ambientit të përshtatshëm për investime private dhe publike, që do të kontribuonin më pas në rritjen e eksporteve dhe një hov ekonomik”, ka theksuar ai.

Sipas Kornizës, hendeku ndërmjet të hyrave buxhetore dhe shpenzimeve gjatë këtij viti do të jetë 566.7 milionë euro. Vitin paraprak dallimi ishte 512.7 milionë euro.

Në të tregohet se në vitin 2021 do të arkëtohen 1 miliardëe 887 milionë, ndërsa është planifikuar të shpenzohen 2 miliardë e 454 milionë. Dallim të madh në mes të hyrave dhe shpenzimeve do të përjetohet edhe në 2022-n. Hendeku pritet të jetë 413 milionë euro.