Arbëri

Distrikti autonom i Kosovës veriore rrezikon funksionalitetin e shtetit

Krijimi i një njësie administrative, ku krahas një përfaqësuesi të Qeverisë së Kosovës dhe distriktit verior, në këshillin ekzekutiv do të kishte përfaqësim nga Serbia dhe BE-ja, sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Marc Weller, do të bënte që territori t’i nënshtrohej qeverisjes së ndërkombëtarizuar me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë. Edhe njohësit e qeverisjes lokale thonë se i ashtuquajturi distrikt autonom i Kosovës veriore, që përmendet në “non-paper”-in e publikuar nga KOHA kërcënon zhbërjen e shtetit të Kosovës

I rrezikshëm për Kosovën është duke u konsideruar krijimi i një njësie administrative të ashtuquajtur distrikti autonom i Kosovës veriore. Themelimi i këtij distrikti është një nga pikat e “non-paperit” të publikuar nga KOHA. Sipas këtij dokumenti, ky distrikt do të përfshinte territorin e komunave në veri të vendit, si dhe do të kishte të drejtën e miratimit të legjislacionit në disa fusha.

“Të dyja palët pajtohen për themelimin e distriktit autonom të Kosovës veriore si njësi e vetme administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë, që ka të drejtë të miratojë legjislacion në rrafshin lokal në ekonomi, financa, pronë, infrastrukturë, kulturë, arsim, kujdes shëndetësor, mirëqenie sociale, sistem gjyqësor, shërbim policor, strehim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian, në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe me legjislacionin për qeverisje lokale”, thuhet në përmbajtjen e “non-paper”-it, që nuk i dihet autori, por që ka nxitur reagime të shumta brenda dhe jashtë Kosovës.

Sipas skenarit që përshkruhet në “non-paper”, ky distrikt do të përfshinte territorin e Zveçanit dhe 35 fshatrave të tij, Leposaviqit dhe 72 fshatrave të tij, të Mitrovicës Veriore dhe zonave të ngjitura kadastrale dhe Zubin-Potokut me 63 fshatrat e tij.

Valmir Gashi, drejtor në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), thotë se krijimi i një strukture të re rrezikon funksionalitetin e shtetit.

“Nëse ky distrikt do të krijohej, atëherë do të kishte një ndarje të qartë dhe të prerë mes komunave të Kosovës dhe atyre me shumicë serbe, të cilat janë në veri. Rreziku më i madh është te hartimi i legjislacionit, ku ky legjislacion mund të bjerë ndesh me legjislacionin që Kosova e ka dhe si i tillë do të rrezikonte edhe funksionalitetin e Kosovës si tërësi”.

Sipas Gashit, kompetencat që Kushtetuta nuk i ka lejuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, parashihen në këtë distrikt, i cili është njësi veçmas e Asociacionit.

“Ne e dimë që Asociacioni për komunat me shumicë serbe është shpallur jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese dhe si i tillë nuk ka kompetenca ekzekutive. Në bazë të këtij ‘non-paperi’ është duke u synuar që të formohet një asociacion me kompetenca joekzekutive, si dhe të formohet një distrikt autonom ku do t’u jepej komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës kompetenca e cila do të ishte ndoshta edhe e rrezikshme, duke e parë edhe përmbajtjen e kësaj strukture”, deklaron Gashi.

Drejtori i KLGI-së thotë se përfshirja e Serbisë në menaxhimin e këtij distrikti është e panevojshme.

“Edhe pse komunat të cilat do të ishin pjesë e distriktit janë me shumicë serbe, Serbia nuk do të ishte e nevojshme që të ishte pjesë e atij këshilli ku do të merreshin vendime në komunat të cilat janë brenda territorit të Kosovës”.

Duke përmendur strukturat e këtij distrikti, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Marc Weller, thotë se në qeverisjen e tij do të ishte e përfshirë drejtpërdrejt Serbia. Në një analizë të publikuar në KOHA, Weller thotë se njësia e re do të kishte kompetenca të “vetëqeverisjes përtej fushëveprimit të juridiksionit të Qeverisë së Kosovës”.

“Krahas një përfaqësuesi të Qeverisë së Kosovës dhe distriktit verior, do të kishte përfaqësim nga Serbia dhe BE-ja në këshillin ekzekutiv. Me fjalë të tjera, territori do t’i nënshtrohej qeverisjes së ndërkombëtarizuar me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë së Serbisë”.

Duke iu referuar “non-paper”-it të publikuar nga KOHA, të mërkurën, kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Bruksel ka thënë se nuk do të lejohet ringjallja e projekteve për shkëmbim territorial e as e atyre për bosnjëzim të vendit.

“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-paperëve’ më së miri është t’u përgjigjemi me ‘no comment’ sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë, ndërkohë që nuk dihen autori e as synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Lidhur me dokumentin jozyrtar e që sipas informacioneve është përgatitur nga Gjermania e Franca, ditë më parë ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani. Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se çdo gjë që është destabilizuese, burim e ka shtetin e Serbisë.

“Non-papers të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t'i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut”, ka shkruar Osmani.

Ndaj kësaj deklarate të presidentes kanë reaguar të mërkurën nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Ky është vetëm një tentim perfid i Prishtinës për të kamufluar autorin e vërtetë të këtij ‘non-paperi’”, thuhej, ndër të tjera, në komunikatën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Dokumenti ku flitet për krijimin e distriktit autonom ka mbërritur në redaksinë e gazetës të hënën, e që thuhet të jetë një “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Autenticiteti i këtij dokumenti nuk ka qenë i mundur të konfirmohet nga gazeta, por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar KOHA, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog.

Një ditë më pas, të martën, Franca e Gjermania kanë mohuar se qëndrojnë prapa dokumentit të publikuar nga KOHA. Të dyja shtetet kanë bërë me dije se e respektojnë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.