Arbëri

Osmani: Mini-shengeni nuk është Jugosllavi e re

Descriptive Text

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se për projektin e Mini-shengenit, ka nevojë të bëhen sqarime shtesë, në mënyrë që të binden të gjitha shtetet për përfitimet nga liberalizimi tregtar në kuadër të tij. Ministri Osmani, duke folur për kritikat në drejtim të këtij plani, ka thënë se ai nuk do të jetë një mini-Jugosllavi e re. Sipas tij, ky projekt do të jetë mjet drejt qëllimit final, që është inkuadrimi në tregun e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për KOHËN, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut ka folur edhe për propozimin joformal të Sllovenisë për ndryshim kufijsh. Duke mos dashur të flasë për epilogun që mund të dalë nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Osmani ka thënë se “çdo rrugë që devijon rrugëtimin euro-atlantik të rajonit ka pasoja të cilat mund ta sfidojnë paqen këtu”. Në këtë intervistë, e cila është bërë pas vizitës së tij të parë si ministër në Kosovë, Bujar Osmani ka folur edhe për Forumin e Prespës, për dështimin e nisjes së regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, si dhe për situatën me pandeminë e për vaksinimin atje.

KOHA: Keni pasur agjendë të ngjeshur sot. Jeni takuar me presidenten Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca e homologen e juaj, znj. Gërvalla. Çfarë konkretisht keni diskutuar me krerët e institucioneve?

Osmani: Unë kisha sot nderin, por edhe kënaqësinë personale, që të jem në vizitën e parë zyrtare në Republikën e Kosovës, në detyrën e ministrit të Jashtëm. Konstatuam bashkërisht se raportet tona bilaterale janë jashtëzakonisht pozitive, të bazuara në respekt dhe mbështetje të ndërsjellët. Kemi kornizë të kënaqshme kontratuale sa i përket bashkëpunimit sektorial. Mbi 30 marrëveshje të nënshkruara, mirëpo edhe një listë të marrëveshjeve të cilat janë konstatuar në ndërkohë se ka nevojë të nënshkruhen me qëllim që të lehtësohet komunikimi i njerëzve, komunikimi i bizneseve... E kemi një këmbim shumë dinamik tregtar, mbi 250 milionë euro vëllim të këmbimit tregtar në vit, por natyrisht edhe për temat e tjera rajonale. Ne me Republikën e Kosovës kemi bashkëpunim të ngushtë në kuadër të iniciativave rajonale, mbështesim rrugëtimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës si vend i cili ka një eksperiencë të akumuluar, qoftë para anëtarësimit në NATO, qoftë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, i kemi vënë në shërbim të gjitha eksperiencat tona në shërbim të administratës së Republikës së Kosovës që të përshpejtohet kjo dinamikë. Por, edhe japim mbështetje të ndërsjellë për të gjitha projektet e interesave të përbashkëta në rajon.

KOHA: Në konferencën me zonjën Gërvalla jeni shprehur të gatshëm që ta ndihmoni Kosovën në integrimet evropiane. Si mundet Maqedonia e Veriut t’i ndihmojë Kosovës në këtë aspekt?

Osmani: Maqedonia e Veriut ka filluar rrugëtimin evropian e para në rajon. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen për stabilizim-asociim para 20 vjetëve, diku disa muaj pas Kroacisë. Jemi kandidat që nga viti 2015. Nga viti 2009, çdo vit kemi marrë rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për t’i filluar bisedimet dhe kjo si rezultat i arritjes së plotësimit të kritereve politike, kritereve ekonomike, por edhe harmonizimit të legjislacionit evropian. Në një analizë, që është bërë si analizë krahasimore në rajon, Maqedonia e Veriut është e para në rajon në plotësimin e këtyre kritereve. Ka të harmonizuar rreth 33 për qind të aquis, ose të legjislacionit evropian, që tashmë është pjesë e legjislacionit vendor, që do të thotë se gjatë këtij rrugëtimi, gjatë këtij transformimi evropian, është akumuluar një eksperiencë shumë e madhe. Janë me gjenerata njerëz që kanë qenë të inkuadruar në proces dhe unë mendoj që kjo është një përvojë shumë e rëndësishme për Kosovën, e cila tani është në atë rrugë dhe ne kemi veç me marrëveshje të nënshkruar për bashkëpunim në integrimin evropian dhe jemi të gatshëm t’ia vendosim në dispozicion të Kosovës të gjithë këta mekanizma. Por, natyrisht, edhe bashkërisht të promovojmë nevojën që Ballkani Perëndimor sa më shpejt të ecë drejt BE-së dhe NATO-s, me qëllim edhe të ruajtjes së kredibilitetit të procesit, por edhe si garanci për stabilitetin rajonal.

KOHA: Z. Osmani, Kosova ka konfirmuar pjesëmarrjen në Forumin e Prespës, i cili pritet të mbahet në pjesën e dytë të këtij viti. Cili është qëllimi i këtij forumi këtë vit dhe cilat do të jenë temat e këtij takimi?

Osmani: Duke e konsideruar veten si një prej gardianëve të tri marrëveshjeve – Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë – kam vlerësuar se Maqedonia e Veriut ka nevojë, por edhe rajoni ka nevojë, për një platformë të tillë, në të cilën do të promovohen vlerat të cilat janë autentike për Maqedoninë e Veriut. Cilat janë ato vlera? Ato vlera janë të inkorporuara në këto tri marrëveshje, të cilat, sipas meje, kanë ringjallur idenë evropiane në rajon. Për shkak se Marrëveshja e Ohrit është shëmbëlltyrë e idesë evropiane për integrimin e diversiteteve dhe Maqedonia e Veriut sot është shembull se si komunitete të ndryshme në një demokraci konsensuale funksionojnë bashkërisht në vendimmarrjen e përbashkët, por edhe në inkuadrimin në të gjitha institucionet e vendit. Edhe me dy marrëveshjet e tjera ne kemi treguar shembull se si mund të zgjidhen konfliktet e vështira identitare ndërmjet fqinjëve në mënyrë paqësore, duke krijuar kështu modele referente të fqinjësisë së mirë, të pajtimit në rajon. Unë kujtoj se këto dy vlera të cilat i kanë promovuar tri marrëveshjet, atë të diversitetit dhe të fqinjësisë së mirë, duhet të jenë shembull për rajonin. Prandaj, duam që platforma e Forumit të Prespës për Dialog të jetë vendi ku çdo vit të gjithë faktorët në rajon do të diskutojnë se si rajoni mund të ecë përpara në shembullin siç e ka treguar Maqedonia e Veriut gjatë kësaj periudhe.

KOHA: Kosova ka konfirmuar pjesëmarrjen. Cilat prej vendeve të tjera do të marrin pjesë në këtë forum?

Osmani: Një numër i madh i vendeve veç kanë konfirmuar. Ideja është që, përveç liderëve të rajonit, në Konferencë të marrin pjesë edhe liderët e Bashkimit Evropian, por edhe përfaqësues më të lartë të NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara. Prespa ishte produkt i angazhimit, përveç vlerë autentike e Maqedonisë së Veriut, ishte edhe produkt i angazhimit të shumë faktorëve ndërkombëtarë. Ishte e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe prandaj mendoj që roli i Kombeve të Bashkuara në këtë konferencë është shumë i rëndësishëm, por edhe i NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ashtu shpresojmë se me temat të cilat janë përcaktuar në këtë konferencë, të cilën e kemi quajtur Ballkani Perëndimor: Pjesa e munguar e mozaikut të BE-së, do të mundemi ta bëjmë këtë debat dhe këtë analizë thelbësore, e cila do të jetë mësim për të ardhmen e rajonit, por pse jo edhe më gjerë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani: “Nevoja për bashkëpunim të rajonit është e pashmangshme. Fragmentimi i rajonit, barrierat ekonomike, kufizojnë mundësitë e rajonit për të qenë atraktiv për investitorë të huaj, për turistë apo për zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Ka një analizë e cila tregon se mjetet transportuese në rajon, 80 për qind të kohës e kalojnë në pikat kufitare, vetëm 20 për qind në rrugë për të arritur deri te destinacioni i tyre. Dhe kjo flet se çfarë po i bëjnë ekonomisë këto barriera ekonomike që ekzistojnë ndërmjet vendeve të rajoni”

KOHA: Cila do të jetë agjenda e këtij forumi? Çka mund të na shpalosni prej këtij forumi?

Osmani: Siç thashë, ka disa konferenca tematike, në të cilat ka edhe samit të liderëve, por edhe takim të ministrave të jashtëm, por edhe ministrave të sektorëve të ndryshëm, të cilët do të trajtojnë tema që dalin nga tregimi i Maqedonisë së Veriut, si një vend i cili doli nga shpërbërja e Federatës Jugosllave dhe arriti në stad të anëtarit të NATO-s, por edhe të kandidatit për BE. Me një integrim funksional të të gjitha komuniteteve dhe natyrisht edhe me treg liberal dhe institucione liberale konform vlerave të Bashkimit Evropian, i gjithë ky rrugëtim ka krijuar një narrativë të veçantë që ne do të tentojmë në tema të ndryshme në panele të ndryshme ta zbërthejmë dhe nga kjo të marrim konkluzione dhe mësime që pastaj mund të shpërbejnë si udhërrëfyes për konfliktet e ngjashme, për arritje të qëllimeve të ngjashme.

KOHA: Një projekt që lidhet me bashkëpunimin rajonal e i cili është nisur është edhe ai i Mini-shengenit ballkanik. Çfarë përmban ky projekt?

Osmani: Nevoja për bashkëpunim të rajonit është e pashmangshme. Fragmentimi i rajonit, barrierat ekonomike, kufizojnë mundësitë e rajonit për të qenë atraktiv për investitorë të huaj, për turistë apo për zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Ka një analizë e cila tregon se mjetet transportuese në rajon, 80 për qind të kohës e kalojnë në pikat kufitare, vetëm 20 për qind në rrugë për të arritur deri te destinacioni i tyre. Dhe kjo flet se çfarë po i bëjnë ekonomisë këto barriera ekonomike që ekzistojnë ndërmjet vendeve të rajonit. Dhe duke vlerësuar se me liberalizimin e këtyre barrierave në lëvizjen e njerëzve, mallrave, kapitalit e shërbimeve do të krijohet një potencial shtesë i një tregu 18-milionësh, i cili përveçqë do jetë vlerë e shtuar përbrenda do të jetë fuqi e madhe e atraktive për investitorët e jashtëm. Dhe kështu ka nisur si ide, fillimisht e Bashkimit Evropian për të krijuar të ashtuquajturën Zonë Ekonomike Rajonale, nëpërmjet planit shumëvjeçar që është quajtur MAP REA dhe pastaj e implementuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, që pastaj të dalë iniciativa e tre liderëve, presidentit Vuçiq, kryeministrit Rama dhe kryeministrit Zaev, për iniciativën Mini-shengen, mirëpo që përfshin pothuajse të njëjtat masa për lehtësimin e qarkullimit tregtar në rajon. Më vonë është vlerësuar se nuk duhet të ketë dyfishime të iniciativave të ngjashme rajonale dhe pastaj u mor vendimi që në Sofje të bashkohen të dyja këto iniciativa, zona ekonomike rajonale dhe mini-shengeni në treg të përbashkët rajonal me të ashtuquajturën MAP-REA2 ose planin shumëvjeçar për lehtësimin e këtyre pengesave burokratike dhe në të cilin marrin pjesë të gjitha 6 vendet e rajonit. Për ne ka qenë me rëndësi që procesi të jetë inkluziv. Ne kemi vlerësuar se nëse cilado nga gjashtë vendet nuk do të participojë në iniciativat rajonale, iniciativa nuk mund të jetë e plotë. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të tërhiqemi nga këto ide, por duhet të tentojnë t’i shpjegojmë këto ide dhe në momentin kur ato bëhen të kapshme për të gjitha vendet, atëherë të vazhdojmë me implementimin e tyre. Mendoj që tregu i përbashkët rajonal i dakorduar në Sofje në kuadër të procesit të Berlinit tanimë është i pranueshëm për të gjithë dhe duhet të vazhdojmë në këtë drejtim.

KOHA: Pra do të jetë, nëse mund të them, një liberalizim në aspektin ekonomik mes vendeve të rajonit. A do të përfshijë edhe diçka tjetër?

Osmani: Do të marr shembuj konkretë. Një person i cili merr një leje pune kudo në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të ketë nevojë për të punuar në një vend tjetër me leje shtesë në atë vend tjetër. Por do t’i vlejë ajo leja e punës e cila është siguruar në cilëndo prej vendeve dhe kjo do të mundësojë qarkullimin e forcës së punës në rajon. Nën dy, studenti i cili do të marrë një diplomë në cilëndo nga universitetet e gjashtë vendeve të njëjta do t’i vlejë për vend pune në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Lejet për qarkullimin e mallrave, lejet nga Agjencitë e Ushqimit të cilat do të merren në një pikë kufitare, do të vlejnë në të gjitha pikat kufitare dhe nuk do të ketë nevojë që mjetet transportuese të presin me orë të tëra në çdo pikë kufitare për t’i marrë lejet e njëjta nga shteti tjetër. Unë mendoj që këta janë vetëm disa prej shembujve të cilët do të lehtësojnë qarkullimin e mallrave, qarkullimin e njerëzve, qarkullimin e forcës së punës, për ta shtuar potencialin ekonomik të rajonit, i cili për momentin është i ngulfatur nga këto barriera të panevojshme ndërmjet ekonomive të rajonit. Por, kjo nuk do të thotë se ne e krijojmë këtë treg rajonal si qëllim në vete, por si mjet, për shkak se qëllimi final është që të gjithë të inkuadrohemi në tregun e madh të Bashkimit Evropian dhe kjo është vetëm një fazë tranzitore, një përgatitje për t’u inkuadruar në tregun e madh, 500-milionësh të Bashkimit Evropian, por natyrisht as si qëllim politik në vete. I di të gjitha dyshimet, akuzat se kjo do të thotë një mini-Jugosllavi e re, një Jugosllavi e re. Jo, unë mendoj që ne duhet fokusin ta vendosim në tregun e përbashkët rajonal që është dakorduar në Sofje, në të cilën firmën e kanë vendosur kryeministrat e gjashtë vendeve të rajonit. Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, të cilin e udhëheq Majlinda Bregu, e implementon këtë plan shumëvjeçar dhe është shumë me rëndësi që të gjithë ta ndihmojmë atë, me qëllim që të mundësojmë zhvillim më të madh ekonomik të rajonit.

KOHA: Megjithatë, si e shihni kundërshtimin e kësaj iniciative nga kryeministri Albin Kurti?

Osmani: Shikoni, dilemat e shteteve për iniciativa të reja janë legjitime, edhe ne e kemi pasur fillimisht këtë dilemë. A do të thotë kjo që një shtet i cili mund të ketë potencial më të madh ekonomik mund ta absorbojë të gjithë forcën punëtore në funksion të prodhimit të vet ekonomik, a do të thotë kjo se do të krijojë distorzion ose asimetri në treg duke favorizuar njërin shtet dhe duke dëmtuar një shtet tjetër. Janë legjitime dilemat që mund t’i kenë shtetet, prandaj është me rëndësi të shpjegohen të gjitha aspektet, nëse ka vërejtje nga cilido shtet ato mund të korrigjohen gjatë procesit. Mirëpo, qëllimi për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve nuk mendoj që ka shtet i cili mund ta konsiderojë si të dëmshëm për të, por duhen shpjegime, duhen takime më të shpeshta. Tani besoj në kuadër të procesit të Berlinit edhe kjo iniciativë që shihet si iniciativë e Serbisë apo e Tiranës zyrtare, tani e merr edhe kornizën ose mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe mendoj që bëhet shumë më e pranueshme për gjithë rajonin.

KOHA: Ia keni bërë këto shpjegime kryeministrit Kurti në takim?

Osmani: Kemi biseduar sot për të gjitha aspektet, edhe për bashkëpunimin rajonal dhe unë kam ndarë mendimin tim se bashkëpunimi, liberalizimi i lëvizjes e pajtimi janë të domosdoshme për një rajon stabil dhe prosperues.

KOHA: Në rajon në përgjithësi, por edhe në Ballkan, ka nxitur reagime të shumta një letër e cila spekulohet se është përcjellë nga kryeministri i ,Sllovenisë e cila flet për ndryshim kufijsh. Kam parasysh që keni deklaruar se nuk duhet të lidhet autorësia e kësaj letre me Slloveninë si shtet, megjithatë cili është qëndrimi i qeverisë suaj lidhur me ndryshimin e mundshëm të kufijve në Ballkan? 

Osmani: Fillimisht dua të konfirmoj atë që nuk duhet të biem në kurthin e lidhjes së autorësisë, për shkak se kjo mund të dëmtojë raportet mes shteteve, veçanërisht në situata kur krerët e shteteve demantojnë një gjë të tillë. Nuk duhet ne të biem pre e spekulimeve të tilla, të cilat mund të lidhin një shtet me një dokument i cili konsiderohet nga shumica e vendeve si i papranueshëm. Maqedonia e Veriut nuk është pjesë e këtij debati, nuk është objekt i këtij debati, tani është subjekt i rëndësishëm rajonal si anëtar i NATO-s dhe konsiderojmë që kemi përgjegjësi për zhvillimet në rajon dhe për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Është e qartë që në rajon ka çështje ende të pambyllura, është çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të cilin ne vlerësojmë se e mbështesim dhe mendojmë që duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë të të dyja vendeve, por edhe çështja e funksionalitetit të Bosnjë-Hercegovinës. Ne mendojmë që zgjidhja më e mirë është që gjashtë vendet të vazhdojnë rrugëtimin e tyre evropian dhe euro-atlantik. Kjo forcë transformuese e shpresëse evropiane ka ndryshuar rajonin thelbësisht. Nga rajoni i cili para tri dekadave ishte në istikame të luftës, para disa muajve kemi nënshkruar marrëveshje për tregun e përbashkët rajonal. Ne mund ta nënçmojmë këtë arritje, por në kontekst historik është arritje e jashtëzakonshme e bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe kjo është vetëm si rezultat i forcës transformuese që ka perspektiva euro-atlantike e vendit. Nëse një model i tillë është treguar i suksesshëm, atëherë nuk ka nevojë ne të kërkojmë alternativa nga ai model. Ne vetëm duhet ta ruajmë kredibilitetin e shpresës, perspektivës evropiane, me qëllim që të mos fillojnë dyshime se në momentin kur në vendet e rajonit do të fillojnë dyshime se a mund të ketë vërtet perspektivë evropiane atëherë plane të tilla mund të gjejnë vend. Përderisa ka kredibilitet të qartë të perspektivës evropiane, mesazhe shumë precize nga Bashkimi Evropian dhe natyrisht edhe angazhim të shteteve për të arritur kriteret e nevojshme, atëherë mendoj se dokumente dhe ide të tilla nuk do të gjejnë vend, për shkak se dinamika e perspektivës evropiane thjesht nuk do lë hapësirë për debate të tilla.

“I di të gjitha dyshimet, akuzat se kjo do të thotë një mini-Jugosllavi e re, një Jugosllavi e re. Jo, unë mendoj që ne duhet fokusin ta vendosim në tregun e përbashkët rajonal që është dakorduar në Sofje, në të cilën firmën e kanë vendosur kryeministrat e gjashtë vendeve të rajonit”

KOHA: Megjithatë, drejt Bashkimit Evropian në kufijtë aktualë të secilit prej shteteve?

Osmani: Unë nuk mund të ndërhyj se cilat do të jenë vendimet e shteteve sovrane për të arritur marrëveshje aty. Kosova ka qeverinë e vet legjitime, e cila merr vendimet e veta në bazë të mandatit të vet, gjithashtu edhe Serbia dhe vendet e tjera. Ne nuk prejudikojmë epilogun e bisedimeve që mund të dalë si rezultat i atyre proceseve, por një gjë e dimë që çdo rrugë që devijon rrugëtimin euro-atlantik të rajonit ka pasoja të cilat mund të sfidojnë paqen këtu.

KOHA: Z. Osmani, do të doja t'u kthehesha pak zhvillimeve në Maqedoni. Në fillim të këtij muaji është dashur që të nisë procesi i regjistrimit të popullsisë. Megjithatë, ai është shtyrë për muajin shtator. Çfarë ndodhi? Pse u detyruat që ta shtyni këtë proces? 

Osmani: Regjistrimi në Maqedoni është i një interesi të veçantë për shkak se, përveçqë është operacion statistikor, zakonisht në botë regjistrimet bëhen që të mund politikat t'i bazoni në fakte, në numra. Sa shkolla do t'i ndërtoni, të bazoheni në numrin e popullatës që jeton, sa spitale ose projeksione ekonomike do të bëni... Në Maqedoni është e veçantë, për shkak se sistemi politik varet nga numrat, për shkak se Marrëveshja e Ohrit parasheh që korpusi i të drejtave etnike të lidhet me përqindjen e popullatës në një komunë ose nivel nacional. Për shembull, flamuri është zyrtar atje ku 50 për qind e popullatës është në një komunë ose në nivel nacional. Kjo e bën procesin shumë të ndjeshëm dhe pranimin e rezultateve e bën shumë të rëndësishëm për shkak se po qe se rezultatet e regjistrimit do të nxisin debatin mbi vërtetshmërinë e rezultateve atëherë ju keni një krizë politike. Prandaj, ka qenë shumë e rëndësishme që procesi të përgatitet i tillë që njerëzit të kenë besim në të. Dilema kryesore ka qenë: A duhet të regjistrohet popullata jorezidente, ose ajo që e quajmë ne diaspora. Diaspora e Maqedonisë është pjesë e pandashme e shoqërisë atje, është diasporë e cila është ngushtë e lidhur me vendin, është diasporë nga remitencat e së cilës varet stabiliteti makroekonomik i vendit, janë miliarda euro që vijnë në vit pikërisht nga diaspora. Ata janë njerëz që një pjesë të vitit e kalojnë në Maqedoni, një pjesë të vitit në vendet ku ata jetojnë, kanë shtëpitë e tyre, janë votues atje dhe nuk mund t'i ndani nga procesi i regjistrimit. Ishte me rëndësi që në Ligjin për Regjistrimin e Popullatës 2021 ta inkuadrojmë diasporën me të drejta të barabarta të regjistrimit sikurse popullata rezidente dhe ashtu filloi, mori një hov shumë të madh, mbi 200 mijë njerëz u regjistruan, të të gjitha komuniteteve. Këtu ne nuk bëjmë diskriminimin se a regjistrohen shqiptarë apo maqedonas, të gjithë ata që kanë të drejtë të regjistrohen duhet të regjistrohen. Mirëpo, rezistenca e opozitës për shkak të regjistrimit të diasporës me pretekst se kinse edhe pandemia do të rrezikojë shëndetin e regjistruesve dhe popullatës detyroi në një mënyrë që të shtyhet procesi për disa muaj derisa të përmirësohet gjendja epidemiologjike, por jo të ndërpritet edhe regjistrimi i diasporës. Do të thotë, diaspora vazhdon të regjistrohet deri në shtator, kurse regjistrimi i popullatës rezidente në Maqedoninë e Veriut fillon të regjistrohet në shtator.

KOHA: E përmendet situatën në të cilën ndodhemi të gjitha vendet tash e një vit. Megjithatë, si qëndron Maqedonia e Veriut me situatën me pandeminë? A keni arritur të bëni imunizimin e popullatës përmes vaksinimit?

Osmani: Edhe ne ashtu si Kosova kemi qenë viktimë kolaterale e dështimit të sistemit kolektiv të blerjes së vaksinave, vonesë të cilën e kanë përjetuar edhe vetë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe ju e dini debati i cili po ndodh në vetë vendet e BE-së, që tregojnë pakënaqësi për dinamikën e prodhimit të vaksinave, për distribuimin e dozave të cilat janë premtuar në kontratat e nënshkruara... Edhe Maqedonia e Veriut, edhe pse në kohë kishte kontraktuar 1 milion e 600 mijë vaksina nëpërmjet sistemeve të ndryshme të blerjes, për shkak të distribuimit të vonshëm edhe ne vonë e kemi këtë proces. Deri më tani janë vaksinuar më duket mbi 80 mijë qytetarë. Ajo çfarë është e rëndësishme, presim që në muajin maj të kemi sasi të mjaftueshme për t’i vaksinuar të gjithë ata të cilët do të paraqiten për vaksinim dhe në këtë mënyrë ta pengojmë paraqitjen eventuale të një vale të katërt. Është evidente që ne jemi në valë të tretë me shifra të mëdha të të infektuarve dhe të vdekurve, edhe pse ditëve të fundit po shohim një rënie të numrit të të infektuarve, mirëpo është shumë me rëndësi sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç vaksinimit për ta ndalur hovin e pandemisë.