Arbëri

Situata politike rëndoi shërbimet sociale në Kosovë

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) në bazë të të gjeturave ka deklaruar se politika në vend ka lënë mënjanë shërbimet sociale, kjo për faktin se, procesi i decentralizimit të shërbimeve sociale për vitin 2020, nuk është zbatuar plotësisht në asnjërën nga gjithsej shtatë komuna.

Nga organizata u theksua se fëmijët me nevoja të veçanta mbetën pa shërbime gjatë pandemisë si dhe u rritën rastet e dhunës.

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Ilir Kapiti, ka thënë se do të krijohet një grup specifik për gjetjen e burimit të financimit për organizata që japin shërbime për fëmijët.

“Ministria ka ndarë 1 milion euro për pagesën pikërisht të koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve”, ka thënë ai.

Habit Hajredini, drejtor i zyrës për qeverisje të mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka deklaruar se shërbimet sociale janë prioritet dhe si e tillë kërkon mbështetje.

“Pa shërbime sociale të mirëfillta nuk mund të kemi mbrojtje të fëmijëve”, ka deklaruar ai.

Hajredini theksoi se, “Qeveria Kurti i ka dhënë prioritet trajtimit të barabartë, drejtësisë e barazisë”.

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv në Asociacionin e komunave të Kosovës, tha se komunat gjatë kohës me pandemi janë kufizuar sa i përket aktiviteteve të tyre.

“2020-ta ka qenë një vit shumë i vështirë jo vetëm për nivelin qendror po edhe për atë lokal. Komunat janë ballafaquar me sfida sa i përket financave se pa financa nuk ka mundësi as ndërmarrje të aktiviteteve”, ka thënë Ibrahimi.

Ndërsa, Bukurizë Surdulli, monitoruese nga KOMF, ka deklaruar se nuk ka asnjë zyrtar të specializuar për shërbime sociale në Kosovë. Teksa fajësoi politikat në vend për neglizhencën që sipas saj u janë bërë shërbimeve sociale në Kosovë.