Arbëri

Osmani-Szunyogut: Pres bashkëpunim nga BE-ja për procesin e liberalizimit

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, të cilit njoftohet se i ka shprehur mirënjohje pas vendimit të fundit të BE-së për të ndarë një sasi të vaksinave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Sigurimi i vaksinave është prioriteti kryesor për institucionet e vendit, andaj jemi tejet falënderues për sigurimin e 95 000 vaksinave nga ana e BE-së për qytetarët tanë. Është shumë e rëndësishme të kuptohet me seriozitet dhe të komunikohet qartë gjendja e rëndë me pandeminë në vendin tonë, në mënyrë që kjo të reflektohet në kriteret përcaktuese për ndarjen e vaksinave përmes nismave si kjo e BE-së dhe ajo e COVAX-it”, ka theksuar ajo.

Në takim, Osmani ka folur edhe për prioritetet programore gjatë mandatit të saj, duke vënë theks të veçantë në politikën e jashtme, fushën e sigurisë, sundimin e ligjit e me ç’rast theksoi se e mbështet plotësisht procesin e vetingut, duke e konsideruar edhe si parakusht për sundimin ligjit dhe demokracisë në vend.

Osmani tha se do të punohet paralelisht edhe për arritjen e objektivave zhvillimore në përputhje me Agjendën e Gjelbër Evropiane për Ballkanin Perëndimor. Në takim, Presidentja Osmani theksoi se pret bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e BE-së dhe përkrahje nga aleatët evropian rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke garantuar përkushtimin e institucioneve në vend për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se edhe BE-ja duhet t`i përmbushë obligimet që dalin nga kjo marrëdhënie kontraktuale”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se palët kanë diskutuar edhe për nevojën për reformim të sistemit zgjedhor në vend, përgatitjet për zgjedhjet lokale, teksa u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë drejt avancimit të Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit evropian.