Arbëri

Rukiqi: Prioritet duhet të jetë tregu i hapur për energji elektrike

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, është pritur sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, ka thënë se si komision ka gatishmëri për çdo lloj bashkëpunimi apo iniciative ekonomike që të bashkërendohen brenda kësaj legjislature me odat ekonomike.

Kryetari i OEK-ut, Rukiqi, ka thënë se është e rëndësishme që të ruhet bashkëpunim dhe komunikimi në mënyrë që të avancohet tutje.

“Bashkëpunimi me parlamentin dhe me këtë komision është i rëndësisë së veçante. Mendoj që na duhet rol proaktiv edhe i joni edhe i komisionit që ta shohim si do të bëhet më mirë. Sepse nuk është e pamundur që nëse shohim që një ligj nuk funksionon të rishikohet. Mendoj që duhet të jetë prioritet tregu i hapur për energjinë elektrike që ta trajtojmë sa më detajisht dhe sa më shpejt që është e mundur. Tani nuk kemi bord të ZRRE-së por e kam parë që qeveria e ka hapur konkursin. Është me rëndësi që të veprojmë që të mos na përsëriten situatat që janë kanë ndodhur në tri vitet e fundit. Në mënyrë, që të gjithë ata që dalin në treg të hapur të jenë të kënaqur me ofertat e kualitetin e energjisë që e marrin”, ka thënë ai.

Kreu i OEK-ut tutje ka shtuar se një pjesë tjetër me rëndësi te pjesa e tregtisë është rregullimi i sektorit të naftës. Sipas tij në disa legjislatura ka dështuar miratimi i ligjit për naftën që rregullon cilësinë, standardin, përpunimin, importin e shumë gjëra të tjera.

“Ne gjithashtu jemi të interesuar me e pa një program të rimëkëmbjes që është i zbatueshëm e që buxhetohet. Ne e kemi sforcu shumë miratimin duke besuar që do të jetë i zbatueshëm por nuk është i zbatueshëm sepse nuk është buxhetu, sepse rimëkëmbjen do ta kemi si temë edhe në të dy vitet e ardhshme”, ka thënë ai.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka dorëzuar 50 rekomandimet e kësaj Ode për Qeverinë e Kososvës për katër vjetët e ardhshëm.

“Shpresojmë që do të merren në konsideratë e të përfshihen në programin e Qeverisë. Disa prej këtyre rekomandime kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe me sektorin privat por disa kanë të bëjnë edhe me situatën aktuale në të cilën jemi. Prioriteti kryesor sipas nesh për Qeverinë është hartimi i një strategjie nacionale për zhvillimin ekonomik që i ka munguar vendit. Me prioritet e shohim plotësim-ndryshimin e Ligjit për investime strategjike. Ne kemi qenë të përfshirë në monitorimin e zbatimit të MSA-së. Por e shohim si shqetësim mungesën e liberalizimit të vizave. Nuk mund të ketë zbatim të mirëfilltë të MSA-së as dhe marrëveshjeve për tregti të lirë përderisa ndërmarrësit nuk lejohen të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermane i ka quajtur pozitive takimet, duke shtuar se kjo tregon interes për koordinim me sektorin privat.

“Ne përfaqësojmë interesat e bizneseve gjermano-kosovare dhe kemi synim që të kemi sa më shumë investime gjermane në Kosovë. Ne si odë kemi dalë edhe me rekomandime konkrete edhe për Qeverinë e Kosovës. Por kemi përgatitur edhe disa kërkesa dhe rekomandime që kemi për ju, se cilat ligje kërkojmë të hartohen e të tjera. Ato po ua përcjellim edhe në kopje fizike por do t’ua përcjellim edhe nëpërmjet emailit”, ka thënë ajo.