Arbëri

Hoxhaj: Qeveria po abstenon nga përgjegjësia, asnjë vizion si të përballen me realitetin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se po qeverisë një muaj pa plan.

Hoxhaj ka shkruar në Facebook se, kryeministri Albin Kurti nuk po u del në ndihmë qytetarëve që po gjenden ballë pandemisë me COVID-19.

“Improvizime, manipulime, vendime të përçarta e asnjë vizion se si të përballen me pandeminë, ekonominë e arsimin, kjo Qeveri po abstenon nga puna dhe përgjegjësia. Albin Kurti është fshehur prapa protokolleve dhe takimeve zyrtare, me ata që dikur veturave të tyre ua fuste flakën, ndërsa as edhe një fjalë apo veprim konkret për tu dalë në ndihmë qytetarëve në këtë periudhë të vështirë”, ka shkruar ai.

Hoxhaj tha tutje se “për t’i mbuluar të gjitha dështimet, Kurti nisi edhe luftën dhe përndjekjen e mediave të cilat guxuan të flasin për keqqeverisjen e tij”.

Ai ka ftuar Kurtin që ta shohë gjendjen reale me COVID-19, mungesën e barnave esenciale e vaksinat.

“Kurti edhe mund të mos i dijë këto informata nga terreni, por e ftoj dikë nga oborrtarët e tij që, nëse kanë guximin, t'ia hapin sytë me disa doza realiteti”, ka shkruar ai.