Arbëri

Draft-statuti i Asociacionit të Komunave Serbe, që nuk ishte pranuar nga serbët [dokument]

Descriptive Text

Bazat e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ishin vënë në vitin 2016 nëpërmjet Draft-statutit që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në ish-Qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti, si dhe sqarimet shtesë për Aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë publikohen në KOHA. Sipas ish-kryeministrit Mustafa, Draft-statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel, për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk duan Asociacion sipas Kushtetutës dhe Aktgjykimit të vitit 2015

Në gjysmë ishte lënë angazhimi i ish-Qeverisë Mustafa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, megjithëse janë hartuar draft-dokumente. Kjo, për shkak të paqartësive që kishte prodhuar Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përkitazi me Marrëveshjen e parimeve të vitit 2015. Për herë të parë në një medium, KOHA i publikon draft-dokumentet që kanë qarkulluar në ekzekutiv, por nuk janë bërë publike asnjëherë. Është Draft-statuti i Asociacionit, dekreti i Qeverisë, si dhe sqarimet shtesë për Aktgjykimin e Kushtetueses. Ato janë hartuar në fund të vitit 2015, me kërkesën e ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe qëllimi ishte që të njëjtat të prezantoheshin gjatë negociatave në Bruksel. Autori i dokumenteve dhe ish-kryeministri Mustafa kanë sqaruar rrjedhën e procesit dhe arsyet pse ato nuk janë proceduar asnjëherë për miratim.

Bazat e Asociacionit

Bazë për themelimin e Asociacionit merret Ligji i datës 27 qershor 2013 mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 23 dhjetor 2015, përkitazi me kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së vitit 2015. Por kjo marrëveshje, që ishte në kundërshtim me Kushtetutën, nuk përmendet fare në preambulë. Dokumenti është i shoqëruar edhe me fusnota. Preambula e Statutit thuhet se shërben si bazë për interpretim të këtij statuti, si dhe përcakton qëllimin dhe vlerat që mbrohen e promovohen me të.

Statuti i Asociacionit të Komunave të Kosovës me Shumicë Serbe është akti më i lartë i Asociacionit që miratohet nga Kuvendi i Asociacionit.

Në nenin 2, Asociacioni përkufizohet si person juridik që i përfaqëson interesat e përgjithshme të anëtarëve të tij, autoritetet lokale, interesat e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera që banojnë në territorin e qeverisur prej këtij mekanizmi.

Më tej shkruan se Asociacioni i Komunave ka xhirollogarinë e vet, si dhe emblemën në të cilin shkruan: “Asociacioni i Komunave të Kosovës me Shumicë Serbe – Kosovë”.

Aty u bëhet përshkrim edhe kompetencave që do t’i ketë, e pika që kishte shkaktuar debat ka qenë ajo për mbikëqyrjen e shumë fushave.

“3.5. Krahas prerogativës së Asociacionit të Komunave nga neni 4 i Marrëveshjes së Parë për mbikëqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe atij rural, Asociacioni i Komunave organizon dhe koordinon aktivitetet e anëtarëve të vet në sferën e investimeve, të zhvillimit ekonomik, mbrojtjes shëndetësore, mirëqenies dhe shërbimeve sociale, zgjidhjes së konflikteve, përmirësimit të shërbimeve për qytetarët, si dhe në sferën e bashkëpunimit me asociacionet simotra, rajonet kufitare dhe me organizatat ndërkombëtare rajonale e universale”, thuhet në Draft- statut.

Neni 5 e përshkruan strukturën dhe marrëdhëniet me organet qendrore. Organet e Asociacionit janë Kryetari, Nënkryetari, Kuvendi, Këshilli dhe Bordi”.

Organi më i lartë i qeverisjes është Kuvendi, të cilin e përbëjnë të gjithë anëtarët e Asociacionit. Aty kërkohet edhe përfaqësimi i partive politike.

Në Kuvend marrin pjesë edhe përfaqësuesit e minoriteteve në pajtim të një marrëveshjeje të kryetarëve të komunave (numri dhe përkatësia). Kërkohet edhe përfaqësimi i partive politike.

Ndërkaq aktivitetet e Asociacionit do të organizohen nga administrata e cila përcakton rregullat teknike.

Aty parashihen edhe rrethanat kur mund të përjashtohet një anëtar i Asociacionit. Kjo bëhet nëse i ka shkelur dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe ligjet përkatëse që rregullojnë vetëqeverisjen lokale.

“6.3. Me rekomandimin e Këshillit të Asociacionit, Kuvendi i Asociacionit mund ta përjashtojë anëtarin e Asociacionit, i cili ka shkelur dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, dispozitat e ligjeve në fuqi në Kosovë që rregullojnë vetëqeverisjen lokale, standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë lëmi, këtë statut, si dhe rregulloret e brendshme të Asociacionit të Komunave”, shkruan në dokument.

Sa u përket burimeve të financimit ato bëhen nga buxhetet komunale të komunave anëtare, si dhe të ardhurat nga publikimet dhe shërbimet. Parashihen edhe të hyra nga niveli qendror, nga vendet e organizatat e jashtme, si dhe donacione të ndryshme.

Statuti parashihte edhe kontroll të aktiviteteve financiare dhe ekonomike nga një auditor i pavarur dhe nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.

Në fund të dokumentit thuhet se pas hartimit nga Ekipi Menaxhues, Statuti paraqitet në dialogun e nivelit të lartë brenda katër muajve. Po ashtu, parashihej që Statuti të kalonte në Kuvend të Asociacionit për miratim, si dhe Qeveria të nxjerrë vendim të veçantë për themelimin e tij. Ashtu siç parashihej me dokumente të tjera, ato në fund do të duhej t’i nënshtroheshin edhe verifikimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, brenda një viti nga aprovimi i Statuti, parashihej të bëhej shqyrtimi i implementimit të tij.

Qeveria ia kishte kërkuar Enver Hasanit draftimin e dokumenteve

KOHA ka mësuar se autorësinë e këtyre dokumenteve e mban ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Qeveritë e deritashme kanë mohuar ekzistimin e Draft-statutit për Asociacionin. Në kohën kur është hartuar ky draft, Qeveria është udhëhequr nga Isa Mustafa. I kontaktuar nga KOHA, Hasani ka treguar se si ka ardhur deri tek draftimi i dokumenteve.

“Ideja fillestare për përpilimin e Statutit dhe të vendimit, përkatësisht dekretit të Qeverisë për Marrëveshjen për Asociacionin ka ardhur pas një kërkese të ish-zyrtarëve të lartë të LDK-së, përkatësisht Qeverisë së asaj kohe, tri apo katër javë pasi ishte publikuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në vitin 2015. Unë i kam hartuar dy pjesë”, ka thënë Hasani. “Pjesa e parë është Statuti i Asociacionit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai është dashur të jetë një draft për bisedime me palën serbe dhe është draft vendimi i Qeverisë me të cilin fuqizohet Statuti siç është paraparë në Marrëveshjen e Vjenës për themelimin e Asociacionit”.

Hasani, që është profesor i së drejtës ndërkombëtare, ka treguar arsyet se pse nuk është marrë për bazë Marrëveshja e 25 gushtit të vitit 2015.

“Jo, sepse është marrë Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se në të është përfshirë Marrëveshja e 2013-s. Gjykata Kushtetuese ka thënë se duhet të zbatohet ajo. Aty është trasuar rruga se kah duhet të shkohet për formim të Asociacionit, mandej ka qenë proces politik. Kam treguar se si duhet të duket vendimi, kontrolli kushtetues si të bëhet dhe të gjitha procedurat e tjera që duhet ndjekur. Drafti i implementon Aktgjykimin dhe Marrëveshjen e vitit 2013 dhe është dashur të jetë si bazë fillestare për negociata”, ka theksuar Hasani. Ai nuk e di se çfarë ka ndodhur me këto dokumente, pasi ato i ka dorëzuar nëQqeveri.

“Unë e kam dorëzuar dhe më nuk jam marrë me atë punë, dhe për atë çështje nuk jam paguar, është bërë pro bono. Nuk e kam ndjek se nuk është punë e imja, është proces politik”, ka theksuar ai.

Mustafa: Statuti ishte diskutuar me serbët dhe ndërkombëtarët

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë për KOHËN se Hasanin e ka konsultuar për atë se si mund të zbatohet Aktgjykimi i Kushtetueses, në mënyrë që Statuti të jetë në harmoni me atë që kishte proklamuar Gjykata.

“Aktgjykimi kishte paqartësitë e veta, sepse thoshte që statusi juridik i këtij Asociacioni duhet të jetë sikurse i asociacioneve të tjera. Që në fakt ka dallime, sepse Marrëveshja e parë i jep të drejtë Asociacionit të ketë pamje të plotë ( ose kontroll të plotë) mbi arsimin, shëndetësinë, dhe disa fusha tjera, që nuk e kanë asociacionet e tjera. Profesori Hasani e kishte përgatitur një draft të sugjerimeve se si pjesët e veçanta të Statutit do të duhej të artikulonin Aktgjykimin”, ka theksuar Mustafa.

Sipas tij, statutin e hartojnë përfaqësuesit e katër komunave serbe, si këshill koordinues, të cilët nuk kanë pasur vullnet ta bëjnë këtë.

“Sa isha kryeministër, i pata ftuar tri herë serbët në zyrën time së bashku me përfaqësuesit e SHBA-së, të BE-së dhe të OSBE-së, por nuk treguan interesim që të punojnë në Statut sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj nuk është përgatitur asnjë version për Brukselin. Bashkëpunimi me profesor Hasanin ka pasur për qëllim që Qeveria të mos dekretojë ndonjë statut të Asociacionit, i cili nuk është në pajtim me Kushtetutën”, ka potencuar Mustafa.

E zyrtarë të Qeverisë së tanishme thonë se nuk kanë trashëguar asnjë dokument përkitazi me Statutin e Asociacionit.

“Nuk kemi trashëguar asnjë dokument nga qeveritë e kaluara në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Të hënën janë mbushur tetë vjet që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, ku gjashtë pikat e para të saj flasin për Asociacionin. Kjo pritet të jetë kërkesa kryesore e serbëve, kur të rinisë dialogu në Bruksel.

{gallery}