U bë një vit që nga koha kur COVID-19 u shpall pandemi dhe gjithçka në botë mori një kah të ri dhe të panjohur.
Sikur në shumë biznese të tjera, kjo gjendje ndikoi edhe në media, si një sektor i rëndësishëm dhe me ndikim.
Lajmet e rreme morën hov në mjedisin e paqartësive shkencore rreth virusit të ri duke i bërë kryesisht përdoruesit e rrjeteve sociale viktima të dezinformatave për sëmundjen, përhapjen e trajtimin e saj, si dhe për shumë aspekte të tjera të ndërlidhura.
Ndërsa, zbulimi i vaksinës u shoqërua më shumë me dyshime për efektet e mundshme negative të saj sesa me qëllimin dhe përparësitë. Sa më shumë versione të vaksinës, aq më shumë teza dhe, rrjedhimisht, edhe hezitim për ta marrë atë.
Zëri i institucioneve dhe organizatave me kredibilitet, në hovin e lajmeve të rreme u dobësua, sikurse edhe ndjekja e instruksioneve të tyre.
Ka qenë kjo periudha që mediat i preku në disa dimensione. Përveç në aspektin financiar, siç ka prekur shumë biznese, punonjësit medial ishin në mesin e kategorive më të rrezikuara nga infektimi. Kjo, ngase natyra e punës së gazetarëve kërkon raportim nga vatrat e krizës dhe vendi i ngjarjes.
Problemet që prodhoi pandemia, përfshirë vendimin e Qeverisë për ndaljen e shtypit, si masë parandaluese e përhapjes së virusit, iu mbivendosën sfidave të shumta të mëhershme, duke bërë që edhe mediumi ynë, gazeta KOHA Ditore, të gjejë rrugë të re për të arritur te lexuesi i saj.
Dhe kjo udhëhequr nga parimet thelbësore të saj: lajmi i saktë e raportimi objektiv e profesional.
Grupi KOHA solli i pari në treg opsionin e parapagimit të lajmit. Me qëllimin e ruajtjes së pavarësisë dhe gjetjes së formës së re që do të mundësonte që lajmi e informata mirë e konfirmuar dhe krejtësisht e pavarur t’u servohet lexuesve.
Sfidat deri në përgatitjen dhe lansimin e këtij produkti ishin nga më të ndryshmet dhe aspak të lehta. Por, sfida më e madhe mbetet pyetja e shpeshtë që dëgjojmë:
Pse do të paguajnë lexuesit për lajm, kur sot ka aq shumë opsione për të ardhur tek informata?
Bazuar në një hulumtim të Reutersit, në kohën kur vendet tjera shumë më herët sollën këtë opsion, si shenjë e ruajtjes së vërtetësisë së lajmit dhe gazetarisë së pavarur, janë shtetet e zhvilluara, sidomos ato skandinave që e përkrahin dhe kanë përqindjet më të larta të blerjes së lajmit.
Besueshmëria dhe paanshmëria mbeten gjithmonë veçori që e bëjnë një organizatë, kompani, dhe në rastin tonë KOHËN, të jetë e para dhe lidere në prurje dhe risi në sektorin medial.
Lexuesit që besojnë në gazetari të pavarur dhe duan lajm të saktë dhe të konfirmuar, gjithsesi që kanë shprehur interesimin e blerjes së lajmit edhe në Kosovë.
Pra, lansimi i një produkti në mes krize dhe në kohën kur të gjithë ballafaqohemi me sfidat shëndetësore, ekonomike e sociale, e bën veçanërisht sfiduese edhe bindjen e lexuesve që lajmi i saktë dhe gazetaria e pavarur duhet të përkrahen nga vetë ata.
Më kujtohet, derisa punoja në një bankë komerciale, kur e lansuam produktin e-banking, diku para 15 vjetësh, ishte diçka e re dhe e padëgjuar për ne, stafin e bankës, e edhe më pak për klientët.
Sot, që nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe klienti është mësuar që e-banking është formë e lehtë dhe e sigurt e kryerjes së shërbimeve bankare.
Pra, një gjë që sot mund të duket vështirë e arritshme, mund të jetë produkt i së ardhmes.
KOHA do të vazhdojë sfidën e saj, duke qenë një ndër të parat në rajon që prezantoi pikërisht edhe këtë opsion, si formë e re dhe e avancuar e prurjes së lajmit të saktë.
Edhe një herë do ta dëshmojë kredibilitetin e saj, pavarësisht sfidave, politikave ditore, animeve politike, KOHA ecën sigurt drejt rrugëtimit të saj, që nga dita e parë kur filloi, para 30 vjetësh.
Siç ka thënë Yuval Noah Harari për COVID-19: “Kriza mund të jetë pikë kthese për shoqërinë. Varësisht cilën rrugë e zgjedhim për ta ndjekur, ajo do të na ndryshojë të ardhmen!”
Autorja është përgjegjëse për marketing në Grupin KOHA.