Arbëri

Humbja e gjysmë milioni euro: Rreth 70 mijë vaksinave sezonale u skadoi afati

Rreth 552 mijë euro i ka humbur Ministria e Shëndetësisë nga keqmenaxhimi i blerjeve të vaksinave sezonale. Si masë mbrojtëse kundër COVID-19 ishte rritur sasia e kontraktuar e vaksinave sezonale, por 70 mijë prej tyre nuk janë përdorur dhe ende janë në stok të këtij institucioni. Vaksinat e gripit nuk mund të përdoren për dy sezone

Në kohën kur shëndetësia publike është në krizë shkaku i situatës epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë i ka humbur të paktën gjysmë milioni euro nga procesi i blerjes se vaksinave sezonale.

Vaksinat e gripit ose sezonale ndryshojnë çdo vit duke e bërë të pamundur që ato që janë kontraktuar në vitin 2020 të barten për shfrytëzim për vjeshtën e vitit 2021.

Përmes kërkesës për qasje në informata publike në MSH, KOHA ka konfirmuar se nga totali i sasisë së vaksinave të gripit sezonal, të pashfrytëzuara kanë mbetur rreth 70 mijë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë që sasia e vaksinave sezonale ishte rritur me kërkesë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por nuk kanë dhënë arsyetim se pse nuk janë shpenzuar.

“Është e vërtetë që janë porositur më shumë, sepse ka qenë rekomandim i OBSH-së që për shkak të pranisë së COVID-19 dhe mundësisë që gripi ta përkeqësojë situatën e përgjithshme epidemiologjike, të porositen më shumë se vitet paraprake. Këtë rekomandim e ka përfillur ish-Qeveria e Kosovës”, shkruhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për këtë institucion vonesat në arritjen e vaksinës nuk janë arsyeja e vetme e këtyre humbjeve.

“Vonesa ka pasur, por ato nuk kanë qenë argument që të mos merren më shumë nga qytetarët vaksinat, sepse sezoni i gripi sezonal, sipas epidemiologëve, zgjat deri në prill”, ka arsyetuar ky institucion.

Dy tenderë për furnizim me vaksina sezonale ishin zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë.

I pari kishte qenë përmes UNCEF-it, përmes të cilit ishin kontraktuar rreth 166 mijë doza, me çmim prej 5.60 eurosh për njësi. Prej këtij tenderi kanë mbetur të pashfrytëzuara rreth dy mijë vaksina. Nëse llogaritet dëmi i bie që nga ky tender, MSH-ja i ka humbur rreth 235 mijë euro.

“E para, përmes UNICEF-it (blerje ndërkombëtare), ku janë siguruar 166.300 njësi, prej të cilave janë shpërndarë 124.300, ndërsa në stok janë 42.000”, shkruhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Ministria e Shëndetësisë, në fundin e vitit 2020, e kishte përmbyllur një tender përmes zyrës së saj të prokurimit. Kishte kontraktuar 50.000 vaksina, prej të cilave as gjysma nuk janë përdorur. Nga tenderi i dytë nuk janë shfrytëzuar mbi 27 mijë vaksina.

MSH-ja këto vaksina i kishte kontraktuar me çmim shumë më të lartë sesa ato përmes UNICEF-it. Një vaksinë ka kushtuar 11.60 euro. Nëse llogaritet dëmi, i bie që nga tenderi i dytë Ministria e Shëndetësisë i ka humbur 316 mijë euro.

“E dyta, përmes MSH-së janë blerë 50.000 njësi, prej të cilave 22.675 janë shpërndarë, ndërsa në stok janë 27.325. Vaksinat e gripit sezonal, janë vaksina për përdorim sezonal, ndërsa deri kur mund të përdoren e përcakton afati i vlefshmërisë së tyre”, thuhet në këtë përgjigje.

Dëmi nga vaksinat e skaduara nga dy tenderët është saktësisht 552.170 mijë euro. Megjithëkëtë, institucioni përgjegjës ka thënë se ende nuk e kanë llogaritur atë.

“Nuk është bërë ende një evoluim përfundimtar i procesit të vaksinimit kundër gripit sezonal”, është thënë prej tij.

Ministria e Shëndetësisë në fillim të muajit gusht pati hapur tender për furnizim me rreth 400 mijë vaksina sezonale. Vlera e paraparë për këtë tender ishte 3 milionë e 100 mijë euro, e që nëse kalkulohej çmimi për vaksinë, i binte rreth 8 euro e 30 centë. Tenderi fillimisht ishte anuluar. Si arsye ishte dhënë tejkalimi i çmimit të paraparë.

Një grup operatorësh i kanë ofruar këto vaksina me vlerë të më shumë se 8 milionë e gjysmë eurove, ose rreth 22 euro e 70 centë për vaksinë. E me vonë kishte arritur që nga ky tender të kontraktonte 50 mijë sosh.

Periudha kur qytetarët duhet të vaksinohen është e sqaruar edhe në faqen zyrtare të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e sëmundjeve.

Qeveria e Kosovës në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 pati marrë vendim për blerjen e vaksinave sezonale në sasi 500 mijë, nga 80 mijë sa janë blerë çdo vit.

Vaksinat sezonale në Kosovë vitin e kaluar patën arritur më së voni nga të gjitha shtetet e rajonit. Në mungesë të tyre në kohën e duhur, qytetarët ishin detyruar t’i blinin në tregun privat me çmime abuzive.