Arbëri

Mediumi slloven publikon dokumentin që rihapi temën e kufijve në Ballkan

Qe disa ditë në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë ka pasur spekulime nëse kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, pak muaj para se të marrë kryesimin e Bashkimit Evropian, ia ka dërguar një “non-paper” presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohet për vizatim të ri kufijsh në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe ndarjen e Kosovës.

Fillimisht nga Zyra e Michelit ishte konfirmuar se është pranuar një “non-paper”, por më vonë kjo u mohua. Edhe Jansha kishte thënë se s’është takuar me Michelin dhe “nuk ka mundur t’ia dorëzonte asnjë dokument”. Megjithatë, ai nuk e mohoi në mënyrë kategorike.

Në BE nga diplomatë të shumtë shkrimet e tilla nuk janë dukur të besueshme.

Pas gjithë këtyre raportimeve, mediumi slloven “necenzurirano.si” ka publikuar një artikull në të cilin ka shfaqur dokumentin e përfolur. E në të janë tri pika kryesore për zgjidhjen për “Rrugën përpara për Ballkanin Perëndimor”.

Në pikën e parë është përfolur për situatën aktuale. Aty thuhet se çështja kombëtare e serbëve, shqiptarëve e kroatëve nuk është e zgjidhur e se “duke u bazuar në metodat dhe ritmin ekzistues të zgjidhjes së problemit, është e vështirë të imagjinohet një perspektivë evropiane për Serbinë dhe Kosovën, e anëtarësim me të drejta të plota në BE për Bosnjën dhe Hercegovinën”.

Në pikën e dytë janë theksuar idetë për “zgjidhjen e problemit”.

Gjithçka nis me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, sipas dokumentit në fjalë. “Në Kosovë, 95 për qind e popullatës dëshiron bashkimin me kombin origjinë. Situata është e ngjashme edhe në Shqipëri. Kufiri në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, de facto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës t’i garantohet një status special (sikur modeli i Tirolit Jugor)”, thuhet në pikën “a” të “zgjidhjes”.

Aty më pas kërkohet bashkimi i territorit të Republikës Serbe me Serbinë. “Çështja e kombit serb do të zgjidhej në masë të madhe po që se bashkohet një pjesë e madhe e Republikës Serbe me Serbinë. Në këtë rast, Serbia do të pajtohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Për kroatët është propozuar bashkimi i kantoneve kroate të Bosnjë e Hercegovinës me Kroacinë dhe sigurimi i një statusi special të pjesës kroate në Bosnje e Hercegovinë, me modelin e njëjtë sikur të Kosovës.

Te boshnjakët, do të sigurohej funksionimi i shtetit të pavarur dhe përgjegjësia e plotë për të. Është përmendur edhe çështja e një referendumi për njerëzit që të zgjedhin mes BE-së dhe një të ardhmeje jashtë BE-së (sikur Turqia).

Për BE-në është propozuar që të lansojë implementimin e një programi të përgjithshëm ekonomik për stabilizim, infrastrukturë më të mirë dhe energji për rajonin.

Hapat që duhet ndjekur, sipas dokumentit të përfolur, janë në “procedurë të heshtur” me liderët e rajonit. Përmendet edhe bashkërendimi i qëndrimeve me liderët ndërkombëtarë.

Aty shtrohet nevoja për një program i përgjithshëm i komunikimit për të prezantuar planin në publik duke marrë parasysh qëndrimet në pjesë të caktuara të rajonit.

Nëse për planin pajtohet BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e liderëve rajonalë, plani duhet të iniciohet dhe formalizohet nga BE-ja, gjithnjë sipas dokumentit.

Image

Image