1 perditesime
23:17

Latifi: Mirë që po zbuten masat anti-COVID

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se është mirë që po zbuten masat anti-COVID nga 18 prilli.

Latifi ka thënë se Komuna e Rahovecit ka kërkuar zbutjen e masave në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi t’i realizojnë aktivitetet e tyre ekonomike.

“Kemi kërkuar zbutje të masave dhe jemi të gatshëm që të përballemi me kërkesat dhe nevojat për sa i takon menaxhimit të pandemisë dhe mirë po bëhet që po zbuten masat pasi qytetarët tanë do të kenë mundësi t’i realizojnë aktivitete e tyre natyrisht duke i respektuar rekomandimet dhe masat e IKSHPK-së”, është shprehur Latifi në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka kërkuar rritjen e numrit të inspektorëve që do të minitorojnë respektimin e masave anti-COVID.

Latifi ka folur edhe për vaksinimin duke thënë se Kosova duhet të ndërmarrë një fushatë informuese për rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit, pasi siç ka thënë, shumë qytetarë po refuzojnë ta bëjnë këtë.

Komuna e Rahovecit, sipas tij, deri tani ka vaksinuar 170 qytetarë, duke përfshirë këtu punonjës shëndetësorë dhe të moshuar dhe se gjatë ditës, kjo komunë kryen mesatarisht 50 teste rapide për COVID-19.

23:06

Latifi: Kemi mungesë të madhe të barnave esenciale

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se kjo komunë ka mungesë të madhe të barnave esenciale.

Latifi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se komuna e Rahovecit pritet që së shpejti të lidh një kontratë për barna emergjente të cilat do të mundësojnë stabilizim të gjendjes në këtë aspekt.

“Kemi probleme me furnizim me barna esenciale, jemi keq me furnizime nga MSH-ja ndërkohë që komuna pritet së shpejti të lidh kontratën për barna emergjente të cilat do të mundësojnë stabilizim”, ka thënë Latifi.

Ai ka bërë të ditur se Rahoveci aktualisht ka 1.114 raste të prekjes dhe 68 vdekje si pasojë e COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Ndërkohë sipas tij, numri i rasteve aktive në komunën që ai udhëheq është 248.