3 perditesime
23:37

Haskuka i pavendosur nëse do ta kërkojë mandatin e dytë në krye të Prizrenit

Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës së Prizrenit, është shprehur i pavendosur nëse do ta kërkojë mandatin e dytë në krye të kësaj komune, në zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të vitit.

Në “Interaktiv” ka thënë se konkurrenca është e shëndetshme për demokracinë, duke iu referuar shpalljes së kandidaturës së Drita Millakut nga e njëjta parti – Vetëvendosjes.

Për vete ka thënë se ende s’ka vendosur, ndërsa ka shtuar se ka besim që nëse synon garimin do të marrë përkrahjen e partisë.

“Në aspektin e votimit të kandidatit, janë procedura. Shumë njerëz kanë aspirata. Mendoj se është e shëndoshë të ketë secili aspirata. Mendoj se do të kem përkrahjen”, ka thënë ai.

23:29

Haskuka: Gastronomia të hapet vetëm jashtë, dasmat është ende herët të lejohen

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë hapja e gastronomisë nga java e ardhshme do të ishte më mirë që të lejohej vetëm jashtë, në tarraca, ndërkaq lidhur me kërkesën për lejimin e dasmave, ka thënë se kjo është shumë e hershme.

Haskuka ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se duhet të pritet edhe muaji maj që të bien rastet e më pas të vendoset për hapa të mëtutjeshëm.

“Gastronomia është mirë të hapet jashtë. Moti po ngrohet dhe është më e lehtë të menaxhohet. Kërkesat për lejimin e dasmave, mendoj që është herët. Po presim që brenda muajit maj të bie numri i rasteve dhe të hapen bizneset e tjera”, është shprehur Haskuka.

Ndërkaq, duke folur për procesin e vaksinimit, ai ka thënë se në komunën e Prizrenit janë vaksinuar më pak mjekë se sa që është pritur.

“Më pak mjekë kanë marrë vaksinë se sa që kemi pritur, por një pjesë e tyre kanë thënë se e kanë kaluar virusin dhe kanë antitrupa dhe se nuk kanë nevojë”, ka deklaruar Haskuka.

I pyetur ndërkohë lidhur me gjendjen në qendrat mjekësore të Prizrenit si pasojë e COVID-19, Haskuka ka thënë se numri i pacientëve që po hospitalizohen po bie gradualisht ndërkaq ka shprehur nevojën për më shumë staf mjekësor.

23:28

Haskuka: Meqë institucionet gjyqësore po kontrollohen, më kanë detyruar të bëhem ekspert juridik

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka folur për ngritjen e aktakuzave ndaj drejtorëve në qeverisjen e tij, duke akuzuar institucionet gjyqësore në komunën e tij se janë të kontrolluara. Haskuka në Interaktiv të KTV-së u shpreh se është tejet i dëshpëruar në aspektin e drejtësisë.

“Po them që në të gjitha këto raste jam shumë i dëshpëruar me aspektin e drejtësisë. Në vend që kryetari të merret me çështje zhvillimore e me çështje të buxhetit, këto gjëra më kanë detyruar të bëhem ekspert në aspektin ligjor falë institucioneve gjyqësore që janë të kontrolluara. Çështjet janë anomali, edhe një student i dobët i juridikut do ta kishte kuptuar se çfarë po ndodh me këto gjëra”, u shpreh ai.

Haskuka tregoi se aktakuza ndaj drejtoreshës së Arsimit, Xhemile Thaçi-Vezgishi, është ngritur për faktin se ajo ka harruar ta shënojë pagën në fund të fletës për deklarimin e pasurisë.

“Deklarimi i pasurisë bëhet në fund të marsit, drejtoresha e ka dërguar e-mailin në Zyrën e Personelit, dhe drejtoresha ishte e sapoemëruar dhe nuk i ka ditur rregullat. Ajo faktikisht u ka dërguar edhe një herë e-mailin para fundit të marsit, por ka harruar ta shënojë rrogën, që është gabim teknik. Para se të ngrihet aktakuza, prokurori është dashur ta thërrasë që ta pyesë nëse ka qenë i qëllimshëm. Prokurori nuk i ka parë e-mailat, i pari që është dërguar më 18 mars, dhe kjo është e pakuptimtë që të ngritët aktakuzë për tituj bombastik. Duke pasur parasysh të gjitha gjërat që i kemi dërguar në gjykatë, dhe nuk merret asnjë procedurë”, deklaroi ai.

E për akuzën ndaj drejtorit të Financave, Ertan Simiq, i pari i Prizrenit ka thënë se ai po punonte për një raport që do t’i prekte edhe disa prej gjyqtarëve në Gjykatën Themelore në Prizren.

“Simiq ka qenë në pozitë të njëjtë edhe qeverisjen e kaluar. Drejtori i Financave në qeverisjen e kaluar ka bërë implementimin e vendimit për mediat, me vendim të kryetarit të asokohe dhe në fund për këtë çështje hapen dy aktakuza. Shpallet i pafajshëm ai që ka dhënë vendimin, por dënohet ai që e ka implementuar. Mendoj që kjo ishte bërë për të eliminuar zotin Simiq, pasi ai ishte duke përgatitur një raport që do t’i prekte edhe gjyqtarët. Në Qeverinë Mustafa ishte marrë vendimi që të falet borxhi publik ndaj zyrtarëve dhe në këtë listë asokohe ishin futur edhe persona që nuk ishin në kategori që t’i falet borxhi. Simiq e kishte raportin gati, me emra, por më pas iu ngrit aktakuza”, vazhdoi Haskuka.

Ai ka mbrojtur edhe aktakuzat ndaj drejtorit të Inspektoratit e ish-drejtorit të Shërbimeve Publike.

“Drejtorit të Inspektoratit i është ngritur aktakuza pse e ka rrënuar një objekt pa leje, dhe jo pse nuk e ka rrënuar. Është bërë bujë mediatike për pesë anëtarët e Komisionit, ish-drejtorin e Shërbimeve Publike, të cilët kanë bërë diskriminim pozitiv për gratë, ndërkaq seancat ndaj tyre nuk po mbahen”, është shprehur Haskuka.

23:10

Haskuka: Partitë politike në Prizren duan trajtim preferencial mbi ligjin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se partitë politike në Prizren, në vend se të mundohen për aplikim të ligjit për të gjithë në mënyrë të njëjtë, po duan të kenë një trajtim preferencial mbi Ligjin për partitë politike. Haskuka ka deklaruar në “Interaktiv” të KTV-së se largimi i partive politike në Prizren nga zyrat e tyre është bërë pasi atyre u ka skaduar kontrata për shfrytëzim të këtyre hapësirave publike.

Ai ka thënë se ka pritur që t'u kalojë afati kontratave të të gjitha partive e pastaj të kërkojë nga ato që t’i lëshojnë ato.

“Për mos të pasur politizim të çështjes, unë kam pritur që të gjitha partive t'u kalojnë kontrata dhe pastaj më kërkuan që shkaku pandemisë të shtyhet kjo. Në mars erdhën partitë politike dhe kërkuan që pas pandemisë të kalojnë në zyrat tjera, por nuk e bënë këtë dhe kaluan më shumë se një vitit prej atyre vendimeve. Është për keqardhje që partitë politike në vend se të mundohen për aplikim të ligjit mundohen të kenë një trajtim preferencial mbi ligjin për partitë politike”, ka thënë Haskuka.

Sipas tij, asamblistët e partive të tjera në Prizren po i pengojnë shumë procese të rëndësishme për qytetarët e Prizrenit.

“Edhe vendimet shumë të rëndësishme për Komunën nuk kanë kaluar. Ne kemi më shumë se një vit e gjysmë që po mundohemi të kalojmë Komisionin për drejtorë të shkollave dhe më pas më kritikojnë se po caktoj ushtrues detyre nëpër shkolla. Me këtë po e humbin edhe atë besim që ua kanë dhënë qytetarët pasi i kanë zgjedhur si asamblistë, por ata po punojnë kundër interesave të qytetarëve të Prizrenit dhe jo kundër meje”, është shprehur Haskuka.