Disa ditë para se Kurti ta merrte pushtetin, ai pati paralajmëruar se të gjitha emërimet pas rrëzimit të Qeverisë do të anulohen, por tani nga ekzekutivi kanë thënë se janë në proces të rishikimit të tyre
Disa ditë para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti kishte paralajmëruar shkarkime nëpër institucionet publike. Theksin e kishte vënë te zyrtarët e emëruar pas datës 22 dhjetor, kur Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar Qeverinë Hoti.
Anulimin e vendimeve pati thënë që do ta bëjë qysh “nga java e parë në Qeveri”.
“Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e Qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund t’i dëmtojë personat e përfshirë”, pati thënë Kurti më 12 mars të këtij viti.
Megjithëkëtë deri tash, tri javë qëkur Kurti është bërë kryeministër, në mbledhjen e Qeverisë është anuluar vetëm një vendim, dhe ai me emrat e propozuar për anëtarë të ZRRE-së, që do të duhej të votoheshin në Kuvend.
Emërimet në pozita të larta në kohën kur Qeveria është në detyrë, sipas Yll Zekajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, nuk do të duhej të bëheshin. Ai ka shtuar se këto emërime mund të anulohen, por duke u kujdesur për sigurinë juridike të individëve. “Është një praktikë nga qeveritë e kaluara që në momentin kur mbeteshin në detyrë, pas mocionit ose rrëzimit të Qeverisë deri sa të zgjidhet qeveria tjetër, ishte koha më e mirë e mundshme që institucionet t’i mbushnin me militantë të partive politike. Pikërisht në këtë periudhë kohore kanë emëruar drejtorë, siç kanë qenë drejtori i Policisë ose pozita të tjera, gjë që ka vënë në dyshim nëse të njëjtit kanë qenë krah politik me qeverisjen apo politikanët që kanë qenë pushtet në atë periudhë”, ka thënë ai.
Sipas Zekajt, Qeveria në detyrë është vetëm për të kryer punë urgjente, e jo për emërime afatgjate.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë ndërkaq të ditur se është duke u rishikuar secili vendim i Qeverisë Hoti.
“Jemi duke i analizuar të gjitha vendimet e Qeverisë së kaluar, sidomos ato të marra pas shpalljes së saj të jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese . Një i tillë tashmë është anuluar në mbledhjen e kaluar të Qeverisë, ai për kandidatët për kryesues të Bordit të ZRRE-së. Do të vazhdojmë me rishikimin e vendimeve të tjera”, ka thënë ai.
Por qeverisja e re ende nuk i ka plotësuar pozitat boshe që kanë mbetur qysh prej Qeverisë së kaluar.
AKI-ja ka disa muaj që është pa shef. Emërimi i tij bëhet nga kryeministri e presidentja, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Për deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, që është kryesuese e Komisionit për Siguri, institucionet janë vonuar në këtë proces.
“Me ligj është e rregulluar që nuk guxon të jetë në afat më të gjatë se 20 ditë pa drejtor, ndërsa ne si shtet kemi qe pesë muaj që nuk kemi drejtor të agjencisë dhe jemi vetëm me ushtrues detyre. Konsideroj që ky është një lëndim i sigurisë kombëtare dhe rrezikim i sigurisë kombëtare, prandaj si kërkesë kisha dashtë ta adresoj sot, besoj edhe me aprovimin e juaj që sa më shpejtë të zgjidhet drejtori i ri i AKI-së”, ka thënë Musliu në konstituimin e Komisionit për Siguri.
Një nga emërimet më të rëndësishme të kësaj periudhe është ai i drejtorit të Policisë së Kosovës. Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është bërë me shef pas vendimit të Kushtetueses për Qeverinë Hoti.
Zgjedhja e kryeshefit nuk bëhet drejtpërdrejt nga Qeveria, por nga ministri i Punëve të Brendshme. Agim Veliu ka nënshkruar më 30 dhjetor vendimin përmes të cilit Kushtrim Hodaj u bë shef i këtij institucioni.
Qeveria Hoti gjatë kësaj kohe kishte bërë edhe emërime nëpër borde.
Në disa ministri gjatë kësaj kohe ka pasur ndërrim sekretarësh, e SHSKUK-ja është bërë me drejtor të ri. Në një proces që është përcjellë me kontestime të shumta, ish- këshilltari i Imet Rrahamnit në Ministrinë e Shëndetësisë, e ish-bashkëpunëtori i Isa Mustafës në Komunën e Prishtinës, Valbon Krasniqi, është zgjedhur drejtor i këtij institucioni.
Vendime për shkarkime në disa institucione ishin marrë nga Kurti edhe vitin e kaluar, kur ishte në bashkëqeverisje me LDK-në. Megjithatë, ka pasur edhe kritika se zëvendësimet po bëheshin me përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje e partneres së atëhershme në ekzekutiv.