Arbëri

Zemaj: Qeveria po shqyen gurmazin në fushata jashtë vendit, asnjë fjalë për situatën shëndetësore

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, i cili ka shërbyer si ish-ministër i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar, ka thënë se Qeveria Kurti nuk po i kushton vëmendje situatës aktuale me COVID-19 dhe se do ta rikthej vendin në krizë shëndetësore.

Një pjesë të fajit për këtë, ka shkruar Zemaj, e ka “fushata zgjedhore” jashtë vendit, duke aluduar për zgjedhjet në Shqipëri që do të mbahen në prill dhe pjesë e së cilave do të jenë tre kandidatë të Vetëvendosjes.

Zemaj shkruan se qeveria po merr masa politike pa konsultim me profesionistë e pa strategji për uljen e numrit të të infektuarve.

“Të ndikuar nga popullizmi i jashtëm e fushatat e Facebook-ut menaxhimi pa motiv e përkushtim me mbikëqyrje selektive, do ta rikthej vendin pas një viti të mundimshëm të menaxhimit të pandemisë, në krizë të ashpër shëndetësore. Derisa po e shqyejnë gurmazin në fushata zgjedhore jashtë shtetit, Qeverisë për situatën shëndetësore në vend, asnjë fjalë nuk i shpëton nga goja. Lexojeni e zbatojeni së paku Manualin për mbrojtjen dhe përhapjen e virusit Covid 19”, ka shkruan Zemaj në Facebook.