5 perditesime
21:30

Shasha: Shthurja e rrjetit që ka kapur institucionet duhet të jetë prioritet i Qeverisë

Demush Shasha vlerëson se prioritet i qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë çkapja e shtetit. Ai vlerëson se gati çdo institucion është i kapur.

Në një intervistë në emisionin Desku në KTV, Shasha është shprehur se kjo punë nuk kryhet për një vit ose dy, por se duhet të jetë prioritet i Qeverisë Kurti dhe duhet të kryhet.

“Nuk e di se çfarë mënyrash do të gjejë Lëvizja Vetëvendosje për të avancuar këtë agjendë le të themi të çkapjes së shtetit. Por çfarë di është se problemi kryesor i Kosovës dhe faktor kyç për të çuar Kosovën drejt të qenit një shtet i suksesshëm, është çkapja, ndarja në mes të atyre që kontrolluan çdo gjë për 20 vite dhe funksionimit të mirëfilltë të institucioneve demokratike. Dhe këtë si do e arrijë VV-ja nuk e di saktë. Se a do të jetë një ligj i ri, a do të ndryshohet ligji, nuk e di. Problemi nuk është me urgjencën e ndryshimit të ligjeve. Problemi është se në kuadër të çdo institucioni, le ta banalizojmë, prej Institutit për Trashëgimi Kulturore e deri te Këshilli gjyqësor i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka njerëzit që kanë ndërthurur ndër vite, palë-palë, interesat e tyre personale me interesat të një kaste njerëzisht që kanë udhëhequr këtë vend për 20 vite. Dhe tani ky rrjet interesash nuk zhbëhet vetvetiu, e as nuk zhbëhet brenda një viti apo dy. Cila do të jetë mënyra më e mirë për të zhbërë këtë xhungël të interesave meskine, nuk e di. Por kjo duhet të jetë targeti i Qeverisë”, ka thënë Shasha.

21:15

Miftaraj: Vendimi i parë i Qeverisë duhet të ishte vettingu, më pas ligji për konfiskimin e pasurisë

Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka thënë se vettingu është hapi i parë që Qeveria e Kosovës duhet ta çojë përpara.

Sipas tij, fillimisht duhet të shtyhet përpara vettingu në drejtësi dhe më pas ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, dhe jo e kundërta, duke u bazuar në koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të cilin e miratoi të martën Qeveria.

“VV-ja votat i ka fituar për ta bërë vettitngun, Albulena Haxhiu e Albin Kurti vendimin e parë që duhet ta merrnin është formimi i grupit punues, amandamentimi i Kushtetutës, vettingu. Kur të përfundojmë vettingun dhe e pastrojmë sistemin e drejtësisë prej elementeve kriminale, grupeve të interesit, sigurisht e bëjmë ligjin për konfiskim”, ka thënë ai në Deskun e KTV-së.

Miftaraj ka thënë se para tri vitesh si IKD i kishin kërkuar Bashkimit Evropian që t’ua mundësojnë ta bëjnë këtë ligj, porse përgjigja e tyre ishte negative, sipas tij sepse, “sistemi në Kosovë nuk është i pavarur dhe i drejtë”.

21:07

Shasha: Pandemia në gjithë botën bashkoi politikën pos në Kosovë, pjesëmarrja e VV-së në Shqipëri, gabim

Demush Shasha e sheh si shqetësuese mënyrën se si veproi dhe po vepron skena politike në vend.

Ai në Deskun e KOHËS ka thënë se në gjithë botën pandemia ka shërbyer për unifikim të politikës, kurse në Kosovë, sipas tij, ka ndodhur e kundërta.

Ai ia ka zënë për të madhe VV-së dhe kryeministrit Albin Kurti për përfshirjen në procesin zgjedhor në Shqipëri përmes “kandidatëve të pavarur”.

“Kjo është fatkeqësi. Në Kosovë është bërë ekzakt e kundërta që ka bërë gjithë bota. LDK, PDK, AAK u bënë bashkë për të rrëzuar një qeveri e për të ndërtuar një tjetër. Pandemia është përdorur për kalkulime politike. Edhe sot është vazhdimësi e kësaj. Besoj që çdo autoritet moral PDK, LDK e AAK e kanë humbur për të kritikuar, por argumenti qëndron në këtë rast konkret në masë të madhe. Unë dua të shoh në mes të një pandemie kryeministrin tim që viziton Klinikën Infektive në Prishtinë, Prizren e Ferizaj, jo Shqipërinë për një kandidat në Dibër apo s’di ku”, ka thënë Shasha.

Shasha ka thënë se kryeministri Kurti në këtë kohë duhet të sigurojë qytetarët se do të ndodhë vaksinimi, se do të futen miliona euro në biznese e të tjera.

“Kjo shpërputhje krijon një ambient ku shfrytëzohet më te drejtë nga mediat, qytetarët e politikanët për të treguar se kështu nuk shkon. Nuk është me rëndësi pozita e një lumi dhe protesta për të në Shqipëri sesa jeta këtu. Kurti ka thënë gjithnjë se bashkimi do të ndodh natyrshëm, porse na duhet një Kosovë dhe një Shqipëri e fortë. Neve na duhet të luftohet korrupsioni në Kosovë”, ka shtuar Shasha.

20:54

Miftaraj e Shasha kërkojnë masa më strikte dhe zbatim më rigoroz të masave anti-COVID

Analistët mendojnë se në Kosovë duhet të ketë zbatim më të mirë të masave anti-COVID, ndërsa shprehen se një gjë e tillë nuk po ndodhë edhe aq fort në vend.

Demush Shasha i Institutit Epik e sheh të qartë zgjidhjen për situatën në vend për shkak të koronavirusit. Ai tha se duhet të kufizohet lëvizja që të ketë parandalim të përhapjes së virusit.

“Unë përkrah shtrëngimin e masave, kisha pritë zbatim më rigoroz të masave e në veçanti rolit të inspektoratit. Gjërat janë të qarta se çfarë duhet të ndodhë, e para kufizo lëvizjen në Kosovë, mundohu të ndalosh përhapjen, nuk ke vaksina prandaj e bën më të rëndësishëm kufizimin e lëvizjes. Po shihet qartazi nevoja për ashpërsim të zbatimit të masave. Nëse ekziston nevoja për një plan, nevoja më emergjente është rishikimi i buxhetit dhe ligjit për rimëkëmbje”, tha ai.

Ehat Miftaraj i IKD-së ka përmendur fushatën parazgjedhore të partive politike në Kosovë dhe tubimin e mijëra qytetarëve. Ai shtoi se qytetarët duhet të kenë besimin në institucione dhe se masat duhet të jenë më strikte.

“Qytetari duhet të ketë besim në institucione. Nëse nuk i beson masave të qeverisë, nuk është se i respekton masat në parandalimin e pandemisë. Çdo masë që e cakton qeveria duhet të ishte më strikte dhe më kufizuese që ta kufizojë këtë sëmundje. Kosova është vend shumë i vogël që t’i ketë 12 vdekje brenda 24 orëve”, tha ai.

20:36

Shasha: Është herët të vlerësohet puna e Qeverisë Kurti, por ka një çorientim momental

Demush Shaha nga instituti EPIK, vlerëson se është tepër herët që të analizohet puna e Qeverisë Kurti 2.

Ai në një intervistë në Deskun e KOHËS, tha se duhet të pritet edhe pak, por ka edhe ca vërejtje, si për shembull për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor në Shqipëri.

“Një konkluzion mbi qeverisjen e kësaj mazhorance mbi këto 20 dië do të ishte sikur të nxjerrim konkluzion pas pesë minutave të para të një ndeshje se kush do të fitojë apo kush është më i mirë. Do të ishte gabim. Mund të themi disa gjëra, mazhoranca e re gjithë vëmeëndjen e ka pasur në konstituimin e të gjitha organeve të shtetit, në mënyrë që të evitohet një situatë ku vendi s’ka institucione në mes të pandemisë. Komenti i dytë është se vërejtëm një çorientim momental të VV-së i prej këtij fokusi në qeverisje kualitative me përfshirjen e saj në proceset në Shqipëri, kjo tentativë që të bashkëjetojë, nuk është diçka që u vlerësua nga qytetarët dhe kjo është me të drejtë”, ka thënë Shasha.

Ai ka folur edhe për raportin e organizatës Europa Nostra, që ka thënë se kishat ortodokse serbe janë të rrezikuara. Shasha tha se kjo ishte e pritshme “kur nuk kryhen punët brenda shtëpisë”.

“Raporti i Europa Nostra, mu duk si reprizë e atij raporti për trafikim i organeve. Erdhi si pasojë e mospunës së institucioneve të Kosovës. Nga Serbia nuk habitem që kërkon çdo moment dhe çdo shteg për të nxjerr keq Kosovën. Nuk duhet të befasohemi”, ka thënë ai.

20:34

Miftaraj: Kosova nuk ka diplomaci aktive që t’i kundërvihet palës serbe, si në rastin e Manastirit

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka folur për rastin e Manastirit të Deçanit dhe futjes së tij si monument në rrezik dhe se çfarë duhet të bënin institucionet e Kosovës për këtë.

Miftaraj ka thënë se Kosova në tri vitet e fundit nuk ka pasur fare diplomaci teksa nga ana tjetër Serbia ka jashtëzakonisht diplomaci aktive, çka ka shkaktuar që shumë procese të mos përfundonin aq mirë për Kosovën.

“Në 10 vjet e fundit pothuajse nuk është fare lajm që kemi probleme ndëretnike në Kosovë dhe në raport me kishën ortodokse në Deçan. Duhet të pranojmë që në tri vitet e fundit Kosova nuk ka pasur fare diplomaci. Është e vërtetë që ka ambasada, por fatkeqësisht truri, MPJ-ja, që duhet t’i kundërvihet palës serbe si në rastin me Manastirin, nuk është që jemi aktivë. Në anën tjetër Serbia ka një diplomaci jashtëzakonisht aktive”, tha ai në Deskun e KTV-së.

Sipas Miftarajt, Serbia me diplomacinë e saj disa vjeçare është munduar për vite të krijoj destruktivitet jo vetëm në Kosovë por edhe për shtetet e tjera, gjë që ka vështirësuar diplomacinë, në këtë rast të Kosovës, që të jetë aktive.

“Serbia ka një histori shumë më të gjatë të diplomacisë, shtet që në raport për të krijuar destruktivitet, e ka specialitet të gjejë kësi forume, mënyra që qoftë Kosovën apo shtetësinë e Kosovës ta cenojë përmes iniciativave të tilla”.