Arbëri

Rihapet tema e ndryshimit të kufijve në Ballkan

Mediat në Bosnjë-Hercegovinë kanë shkruar se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, pak muaj para se ta marrë kryesimin e BE-së, ia ka dërguar një “non-paper” presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohet për shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës, por edhe të Maqedonisë dhe Malit të Zi, për ndarjen e Kosovës sipas planit Thaçi-Vuçiq dhe për shumë gjëra të tjera. Por shkrimet e tilla nuk janë dukur të besueshme nga shumë diplomatë në Bruksel

Zyra e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ka ndihmuar që të rritet edhe më shumë konfuzioni rreth pyetjes se a ka dërguar apo jo në Bruksel kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ndonjë “non paper”, ku ka kërkuar që të “përmbyllet procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë”.

Së pari, dikush nga Zyra e Charles Michelit ka konfirmuar se e kanë marrë një “non paper”, por më vonë zëdhënësi i Michelit e ka mohuar një gjë të tillë.

Vetë Jansha, në një shkrim ku ka reaguar në një postim të korrespondentit të gazetës “Dello” nga Brukseli, ka thënë se “nuk është takuar me Michelin as në muajin shkurt e as në mars”. Prandaj në atë kohë “nuk ka mundur t’ia dorëzojë asnjë dokument”. Por mënyra se si Jansha ka shkruar lë hapësirë po ashtu se ai një gjë të tillë nuk e ka mohuar në mënyrë kategorike.

Mediat në Bosnjë-Hercegovinë kanë shkruar se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, pak muaj para se ta marrë kryesimin e BE-së i ka dërguar një “noin-paper” presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohet për shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës, por edhe të Maqedonisë dhe Malit të Zi, për ndarjen e Kosovës sipas planit Thaçi-Vuçiq dhe për shumë gjëra të tjera. Por shkrimet e tilla nuk janë dukur të besueshme nga shumë diplomatë në Bruksel.

Kryeministri i Sllovenisë është në shënjestër të kritikave për disa vendime të Qeverisë së tij rreth mediave. Po ashtu, për shkak të afërsisë së tij me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, partia e të cilit është përjashtuar nga Partitë Popullore Evropiane për shkak të politikës së tij.

Në BE gjatë së hënës shumë qarqe diplomatike janë munduar të kuptojnë më shumë se sa ka të vërteta në pohimet se Jansha ka sugjeruar që të hyhet në një proces të ri të vendosjes së kufijve në territorin e ish-Jugosllavisë, duke filluar nga ndarja e Kosovës, e pastaj bashkimi i një pjese të saj me Shqipërinë dhe një tjetre me Serbinë.

Se ka shumë arsye të dyshohet në saktësinë e informative në të cilat janë thirrur mediat në BH dëshmojnë edhe disa “propozime” që pjesë të Maqedonisë dhe Malit të Zi t’i bashkohen po ashtu Shqipërisë. Disa diplomatë në Bruksel kanë tërhequr vërejtjen se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë shtete anëtare të NATO-s dhe se kufijtë e shteteve anëtare të NATO-s “nuk ndryshohen aq lehtë”. Po ashtu, e pabesueshme duket edhe pjesa që sugjeron se idenë për “ndarje të Bosnjë-Hercegovinës” dhe rivizatimin e kufijve në ish-Jugosllavi e ka mbështetur edhe Qeveria e Kroacisë. Në kohën kur kishte dalë në shesh ideja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkëmbim territoresh, Kroacia ishte fuqishëm kundër kësaj ideje, pikërisht për shkak të efektit që ajo do të mund të kishte në tërë rajonin, sidomos në Bosnjë- Hercegovinë.

Gjermania kishte prirë shtetet që ishin kategorikisht kundër idesë së Thaçit dhe Vuçiqit, ndonëse kishte qarqe në BE, si në Komisionin Evropian ashtu edhe në zyrën e ish-përfaqësueses së lartë, Federika Mogherini, që ishin të hapur për një ide të tillë. Franca dhe Austria ishin pak më hezituese. Kjo e fundit për shkak se në pushtet në koalicion ishte edhe partia e ekstremit të djathtë, e cila u largua nga qeveria pas një skandali të kreut të saj.

Por ende ka diplomatë në BE që vërtet tërheqin vërejtjen se “ideja për shkëmbim të territoreve nuk është e vdekur” dhe se Serbia, sikurse dhe lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, vazhdojnë të kërkojnë aleatë për këtë ide.

Një prej arsyeve kryesore për të kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë pikërisht frika se kjo do të nxiste edhe largimin e Republika Srpskas nga Bosnjë- Hercegovina, ndërsa do të tensiononte raportet edhe në vende të tjera të rajonit, si në Maqedoni e Mal të Zi. Prandaj pothuajse të gjitha shtetet e krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë ishin kundër kësaj ideje.

Mediat në Bosnjë-Hercegovinë, duke raportuar bazuar në informatat e tyre, kanë shkruar se Janez Jansha dëshiron ta kthejë këtë çështje prapë në tryezë. Por ata diplomatë që e njohin Janshen, edhe pse pranojnë se ai “nuk është i njëjti që ishte para disa vjetësh” nuk besojnë se ai do të dilte me ide të tilla, dhe atë në formën e shkruar.

Kroacia dhe Sllovenia, së bashku me Greqinë, Bullgarinë dhe Hungarinë, para disa javësh kishin prezantuar së bashku në “non paper” për Bosnjë-Hercegovinën një takim të ministrave të jashtëm të BE-së. Por në atë letër thuhej në mënyrë të qartë se është e domosdoshme për paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin që të respektohet “sovraniteti, integriteti territorial dhe uniteti i Bosnjë-Hercegovinës”.

Idesë se Sllovenia “po punon” për ndryshimin e kufijve në ish- Jugosllavi i ka shërbyer edhe një informatë se në një takim me tre pjesëtarët e Presidencës Kolektive të Bosnjë-Hercegovinës, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka pyetur ata se “a mendoni se është e mundur shpërbërja në mënyrë paqësore e Bosnjë-Hercegovinës”. Më vonë Pahor ka sqaruar se ai këtë e ka parashtruar si rrezik e jo si ide që ai mbështet.

Gjithsesi në kohën kur pritet vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kur situata është tensionuar në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë, ka ende problem me funksionalizimin e shtetit, BE-ja vlerëson se duhet të merret më shumë me këtë rajon. Sllovenia planifikon që ta kthejë vëmendjen e BE-së ndaj rajonit pikërisht gjatë kryesimit të saj me BE-në, që fillon më 1 korrik të këtij viti.