Arbëri

Të moshuarit shpresojnë në vaksina në kohën kur numri i të infektuarve mbetet i lartë

Descriptive Text

Të dielën IKSHPK-ja ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 12 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19, ndërsa janë shënuar edhe 529 raste të reja pozitive. Kjo ka bërë që numri i vdekjeve të arrijë në 1988. Nga fillimi i pandemisë, të prekur me COVID-19 kanë rezultuar 97.996 qytetarë. Raste aktive janë 13.944

Tahir Azemi, mbi 80-vjeçar nga Prishtina, ka pothuajse një vit që nuk del nga shtëpia shkaku i pandemisë. Marrja e vaksinës për imunizim ndaj COVID-19 ia ka kthyer shpresën atij dhe moshatarëve të tjerë, që u vaksinuan të dielën në sallën “1 Tetori”

“Jam gëzuar, unë moti e kam pritë, kemi mbet qe 1 vit brenda si në burg pa e mbyt kërkon hiç, jam gëzuar kur kanë thënë që po vijnë, jam gëzuar edhe kur e mora, ndoshta na ndihmojnë edhe na çlirojnë”, ka thënë Azemi.

Edhe bashkëmoshatarja e tij, Nasmije Mehmeti, shpreson që pas vaksinimit do të mund të dalë për vizitë te të afërmit e saj.

“Po unë nuk kam asnjë sëmundje, pak tensionin e kam, mirëpo mirë shumë. Unë nuk dal, i kam disa nipa që nuk guxoj me lëviz prej shtëpisë, 3-4 muaj unë nuk kam dalë nga shtëpia hiç”, ka theksuar ajo

Koordinatori i Qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë se deri tash ky proces po ecën mirë.

“Deri në këto çaste që ne po flasim kemi vaksinuar 100 persona, ndërsa numri total i të vaksinuarve nga grupmosha mbi 80 vjeç i kemi gjithsej 668 persona të vaksinuar”, ka thënë Bardhi.

Megjithatë, situata me COVID-19 vazhdon të jetë e rënduar. Gati çdo i katërti qytetar i testuar ka rezultuar pozitiv me virusin SARS-CoV-2, bazuar në të dhënat e publikuara të dielën nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Nga fillimi i pandemisë janë testuar 475 mijë persona, prej të cilëve pozitivë janë konfirmuar 97.996 raste.

Në 24 orët e fundit si pasojë e COVID-19 kanë humbur jetën 12 persona. Numri i të vdekurve nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 1988. Raste të reja pozitive në 24 orët e fundit, sipas raportit të së dielës, janë 529.

Deri më tash janë shëruar rreth 82 mijë persona, kurse numri i rasteve aktive deri në fundjavë ka arritur në 13 mijë e 930, prej tyre afro 1 mijë janë duke u trajtuar në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme në Kosovë.

Ndonëse numri i të vdekurve dhe i të infektuarve ka disa muaj që është në nivelet e larta, institucionet kanë dështuar të sigurojnë doza të vaksinave, të mjaftueshme për të përballuar pandeminë në një të ardhme të afërt.

Deri më tash në Kosovë kanë mbërritur vetëm 24 mijë doza përmes programit COVAX. Vaksinimi i personelit shëndetësor ka nisur më 30 mars, ndërsa i personave mbi moshën 85 vjeç nga 8 prilli.