Rreth 30 mijë qytetarë ia kanë mësyrë Shqipërisë të premten dhe të shtunën. Bashkë me ta edhe qeveritarë e deputetë. Ndërkohë, ata që nuk e kishin këtë mundësi, kanë shfrytëzuar parqet e sheshet për të kaluar ditët e ngrohta me diell. Gjithë ky fluks i qytetarëve ka vënë në pikëpyetje efektshmërinë e masave të marra nga Qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID-19
Relaksimi i masave anti-Covid në Shqipëri e ashpërsimi i tyre në Kosovë ka bërë që mbi 30 mijë qytetarë nga Kosova të kalojnë vikendin në Shqipëri. Vetëm në 24 orët e fundit, 15 mijë qytetarë të Kosovës kanë kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri.
Përveç qytetarëve edhe shumë zyrtarë qeveritarë e deputetë të Vetëvendosjes, kanë kaluar vikendin në Shqipëri, në përkrahje të Boiken Abazit, Iliaz Shehut dhe Kreshnik Merxhanit, kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, por që janë propozuar nga dega e Vetëvendosjes në Tiranë.
Kjo ka acaruar qytetarët, të cilët kanë kritikuar këto veprime të zyrtarëve qeveritarë.
Në Kosovë, me gjithë mbylljen e kafiterive e restoranteve, qytetarë të shumtë janë parë në parqe dhe në sheshe të qytetit.
Pensionisti Bahtir Rama, ka thënë se ka dalë në shëtitje në park, pasi ka nevojë për ecje, por nuk arsyeton numrin e madh të njerëzve që kanë dalë pa maska dhe nuk mbajnë distancë. Sipas tij, kështu bartet sëmundja.
“Unë gjithmonë kam respektuar rregullat dhe gjithmonë më ka dalë mirë, e unë këtu e ndiej një dhimbje të madhe, sepse nuk po punohet drejt, sepse nëse është për të gjithë, jo dikush me shku e me u shëtit e ne të tjerët me qëndru mbyllur”, ka thënë ai.
Edhe Adem Jetullahu, qytetar nga Prishtina, ka thënë se gjithmonë frekuenton Parkun e qytetit pasi sipas tij, nuk ka ku të shkojë diku tjetër.
“Po gjithmonë dal këtu, sepse nuk kam ku të shkoj diku tjetër, pasi në shtëpi nuk po rrihet, po mërzitem. P, sipas meje, mirë ka bërë Qeveria që e ka bërë këtë mbyllje, vetëm shpresoj të punojë kështu”, ka thënë ai.
Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka arsyetuar shkuarjen e madhe të qytetarëve në Shqipëri. Sipas tij, masat nuk e kanë shkaktuar fluksin e madh të qytetarëve që kanë kaluar fundjavën në Shqipëri.
“Për një kohë të gjatë Kosova ka qenë vendi i vetëm me masa tejet të liruara dhe në disproporcion me përkeqësimin e situatës epidemiologjike. Në situata të rënduara, masat kufizuese janë dëshmuar të jenë të pazëvendësueshme”, ka thënë ai.
Ai thotë se bizneset e prekura nga këto masa nuk janë të mbyllura plotësisht, sepse synimi është që ekonomia të arrijë të mirëmbahet teksa shëndeti publik të përmirësohet.
“Kufijtë tokësorë me shtetet fqinje janë të hapur. Qytetarët kanë të drejtë të udhëtojnë sipas nevojave të tyre, duke marrë parasysh respektimin e masave në vendin mikpritës dhe të atyre në Kosovë me rastin e kthimit. Fluksi i madh në pikat kufitare, me theks në drejtim të Shqipërisë, i regjistruar këtë fundjavë edhe mund të jetë ndikuar nga masat e fillimit të javës së kaluar, por nuk është shkaktuar i gjithi nga to”, ka theksuar ai.
Ai krahason numrin e vizitorëve me atë të vitit 2019, kur vendi nuk përballej me pandemi.
“Sipas të dhënave zyrtare në dy ditët e fundit, të premten dhe të shtunën janë regjistruar rreth 29 mijë persona që kanë dalë jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë. Sa për krahasim, në vitin 2019, atëherë kur nuk kishte fare pandemi, në një fundjavë të krahasueshme, sikurse ajo e 27, 28 dhe 29 prillit, që për shkak të Pashkëve ortodokse ishte fundjavë e zgjatur dhe me mot të ngrohtë sikurse i kësaj fundjave, rreth 30 mijë persona ishin regjistruar të kenë dalë jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë. Pra, dallimi është shumë i vogël dhe nuk paraqet trend tjetër”, ka theksuar ai.
Kjo, sipas Kryeziut, dëshmon që fluksi i kësaj fundjave, sado që mund të jetë ndikuar, nuk është shkaktuar nga masat kundër COVID-19, të futura në fuqi më 7 prill, e as nuk shpjegohet plotësisht përmes tyre.
“Masat janë vendosur për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, megjithatë ato mund të arrijnë efektin vetëm nëse të gjithë së bashku tregojmë ndjeshmëri për ruajtjen e shëndetit tonë dhe të tjetrit. Krahas vaksinimit, nuk duhet të ndalen asnjëherë përpjekjet e përbashkëta për zbatimin e masave mbrojtëse, si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet e bizneset, në mënyrë që ta fitojmë sa më shpejtë betejën në luftën globale kundër pandemisë”, ka pohuar ai.
Ky postim i tij ka nxitur reagime të qytetarëve në rrjet, të cilët kanë pyetur se çfarë efektesh mund të kenë masat nëse ato nuk respektohen as nga zyrtarët qeveritarë.
Me masat e Qeverisë për të hyrë në Kosovë nga Shqipëria nuk nevojitet test PCR negativ apo izolim, pasi që as Shqipëria nuk kërkon një gjë të tillë.
Ndërkohë një pikë tjetër e vendimit thotë se qytetarët gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin një test negativ të bërë më së largu në 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetizolohen për 7 ditë. Përjashtim nga kjo masë bëhet për qytetarët që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.