Arbëri

Qeveria Kurti paralajmëron kthimin e reciprocitetit me Serbinë

Dy ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit Albin Kurti pati paralajmëruar rikthimin e reciprocitetit me t’u kthyer në Qeveri. Por, ndonëse kanë kaluar 17 ditë prejse e ka marrë detyrën, një masë e tillë nuk është rivënë. Në Qeveri kanë paralajmëruar se ky vendim do të merret, e politologët kanë shprehur pritjen për qasje të re të kryeministrit, pasi thonë se tani ka një kontekst të ri politik.

Një vit më parë Albin Kurti ishte kryeministër kur Qeveria e tij e hoqi tarifën ndaj mallrave serbe dhe e zëvendësoi me masë reciprociteti. Por kjo i kushtoi me rrëzim nga froni.

E dy ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit Kurti dha zotimin se sapo të rikthehet në pushtet menjëherë do ta vendosë reciprocitetin që e kishte hequr Qeveria Hoti.

Ka 17 ditë prej kur Kurti është rikthyer në Qeveri, pasi zgjedhjet thuajse ia dyfishuan votën. Por, ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë.

E, në Kabinetin e tij kanë paralajmëruar se masa do të rikthehet.

“Më 31 mars 2020, pra një muaj e gjysmë apo 57 ditë pas zgjedhjes e pas pranimit të detyrës së kryeministrit në mandatin e parë, në mbledhjen e Qeverisë kemi marrë vendimin 01/20 “Për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë”. Sot jemi në ditën e 17-të të qeverisjes në mandatin e dytë. Reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga sjellja arbitrare apo shkelja e të drejtave dhe dinjitetit nga ana e shteteve tjera. Është obligim i Qeverisë dhe i kryeministrit Kurti që të mbrojë qytetarët e Republikës dhe interesat e shtetit të Kosovës. Andaj edhe do të ketë masa reciprociteti me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme, të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Spektri politik i ishte kthyer kundër Kurtit, pasi kundër reciprocitetit ishin ndërkombëtarët, e veçmas administrata e ish-presidentit Donald Trump, meqë Serbia nuk i rikthehej dialogut, për aq kohë sa masa mbetej në fuqi.

Nezir Kraki është profesor i shkencave politike në Paris, ai pret një qasje të re të kryeministrit, pasi thotë se tani ka një kontekst të ri politik.

“Nuk ka nevojë besoj që t’i qasemi Serbisë tash me të njëjtën mënyrë, si e kishim, siç e ka pasë z. Kurti në qeverinë e parë, kur në skenë ishin disa personazhe tjera si z. Grenell dhe kërcënimet ishin shumë konkrete. Kosova shihej fushës që do të humbte, që do të zhbëhej në njëfarë mënyre. Tash të gjitha ato rreziqe, kërcënime nuk janë mbi tavolinë dhe jemi në njëfarë faze të seriozitetit të raporteve”, ka deklaruar ai.

Kraki shton se mund të ketë pasoja nga vendimet e ngutshme.

“Pasojat tjera mund të jenë që aleatët tanë të mos i besojnë Kosovës, të mos e mbështesin Kosovën, nëse qeveria e Kosovës aplikon qasje që është vështirë e kuptueshme apo vështirë e sqarueshme”, është shprehur Kraki.

E, në partinë kryesore opozitare në Kosovë bëjnë thirrje që secili vendim të mendohet mirë.

“Nuk janë çështje, për të cilat duhet të ketë kalkulime afatshkurtra. Janë tema serioze. Duhet të jenë mirë të përgatitura, mirë të menduara dhe të qëndrueshme”, ka thënë Bedri Hamza, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Me t’u zgjedhur Qeveria e re, ndërkombëtarët kanë kërkuar që prioritet të jetë dialogu me Serbinë. E, Serbia refuzoi të ulej në tryezë edhe gjatë kohës sa në fuqi ishte tarifa 100 për qind, e edhe kur ishin aplikuar masat e reciprocitetit.