Arbëri

PDK-ja kërkon nga Qeveria të fillojë shpërndarjen e 200 milionë eurove për sektorin privat

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të zbatojë Ligjin për Rimëkëmbjen i aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se 200 milionë eurot e ndara, sipas këtij ligji për sektorin privat, duhet të fillojnë të shpërndahen ashtu si 30 milionët për të punësuarit të cilët kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë.

Hamza, në një konferencë për media, ka thënë se Qeveria nuk ka dhënë sinjale të seriozitetit për të vepruar në situatën me COVID-19.

“Edhe qeveria aktuale nuk është duke dhënë sinjale që ka seriozitet dhe ka qasje si të veprojë në këtë situatë. E dimë që Ligji për Rimëkëmbje është aprovuar në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar. 4 muaj janë bërë dhe ka qenë insistimi ynë që 200 milionë euro të jenë të ndara për përkrahje të sektorit privat. 30 milionë janë të ndara me atë ligj për të gjithë të punësuarit që kanë humbur vendet e punës. Qeveria duhet ta zbatojë ligjin. Bizneset nuk e kanë përfituar këtë përkrahje. Kërkesa jonë konsiston në atë që të zbatohet ligji, që këto 200 milionë të aprovuara me ligj të fillojnë t’u shpërndahen bizneseve”, ka thënë ai.

Masat e reja të cilat u futën në fuqi këtë javë e që rikthyen orën policore nëpër qytete, sipas Hamzës, do të duhej të paralajmëroheshin më herët, sidomos për bizneset të cilat janë detyruar të mbyllin shërbimet.

“Duhet të ketë masa të qarta, të sakta dhe të zbatohet ligji. Dëgjoj se do merren vendime dhe do kompensohen pagat e punëtoreve dhe qiratë. Por përtej tyre, ka humbje të tjera. Ka biznese në gastronomi që nuk paguajnë qira, por kanë obligime të tjera”, është shprehur ai.

Hamza shtoi tutje se kërkojnë nga Qeveria program të veçantë për rimëkëmbjen ekonomike.

I pyetur lidhur me rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, Hamza ka deklaruar se kjo çështje duhet të mendohet mirë nga qeveria dhe se vendimi për të i takon vetëm Qeverisë.

“E para e kanë hequr taksën, Qeveria e kaluar (Kurti) e ka hequr taksën dhe pastaj kur e ka vendosur reciprocitetin në kohën kur e ka ditur që ka pasur edhe pak ditë sa ka qenë në detyrë, por nuk janë çështje që duhet të ketë kalkulime afatshkurta, është temë serioze dhe duhet të jenë mirë të menduara dhe të qëndrueshme”, ka thënë Hamza. “Është çështje e Qeverisë, në kompetencë të Qeverisë”.