4 perditesime
21:09

Kusari-Lila: Aktakuza ndaj meje është e paarsyeshme dhe absurde

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, aktakuzën ndaj saj për rastin e njohur si “falja e hidrocentraleve”, e ka quajtur absurde. Tha se kjo aktakuzë mund të trajtohet më shumë në aspektin politik, por jo siç është ngritur nga organet e drejtësisë.

“Ajo për çka është ngritur aktakuza është absurd i llojit të vet në përmbajtje, sepse ajo si vendim mund të trajtohet në aspektin politik, a kemi pasë të drejtë a jo, mund të përdoret në fushatë, por të bëhet aktakuzë për mënyrën se si është bërë, unë e shoh të paarsyeshme dhe absurde. Kushdo që ka bazë ose përgatitje ligjore, e lexon dhe e sheh një aktakuzë e cila nuk ka motiv për keqpërdorim, nuk ka përfitim të keqpërdorimit dhe argumentim se ka pasur vendimmarrje me qëllim të shkaktimit të dëmit ose dobisë”, tha ajo.

Kusari-Lila u shpreh e gatshme të heq dorë nga politika, nëse ka vendim që argumenton kryerjen e veprës për të cilën ajo ngarkohet.

“Aktakuza është në fazën e apelit, në Gjykatën e Apelit, sepse ne kemi apeluar dhe presim. Unë me tërë kapacitetin tim intelektual dhe politik vazhdoj t’i shërbej politikës, në momentin nëse ka përkeqësim në raport me vendimet e gjyqësorit, absolutisht nuk e shoh me çdo kusht qëllimin në vetvete, qëndrimin në politikë”.

21:02

Kusari-Lila: Këto ditë Qeveria do ta hapë konkursin për Bordin e ZRRE-së

U.d e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ditët në vijim pritet që Qeveria të hapë konkursin për Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sa i përket liberalizimit të tregut dhe tarifave të energjisë, Kusari-Lila ka thënë se Bordi i ri duhet ta trajtojë dhe analizojë efektet e tregut dhe më pas të ketë specifikim ligjor, por se së pari duhet të zgjidhet bordi.

“Nëse i ke mbi 50 punëtorë dhe mbi 10 milionë euro në vit atëherë kalon në treg të derregulluar, që është absurde në rrethanat aktuale, sepse ne mund të kemi një kompani me 10 punëtorë por që ka makineri automatike që mund të konsumojë energji elektrike shumë më shumë se një kompani që i ka 200 punëtorë dhe e cila merret me një, të themi ka një rrjet të tregtisë me pakicë ose marketeve, ka qendra të thirrjeve apo diçka tjetër që ka punëtorë në masë por nuk është konsumator i madh i energjisë elektrike. Këto specifika të energjisë duhet të rregullohen në ligj, por në të njëjtën kohë sa më parë qeveria duhet, besoj këtyre ditëve, hap konkursin për anëtarë të bordit të ZRRE-së të cilët pastaj vijnë në Kuvend. Një ndër vendimet e para të Bordit duhet të jetë trajtimi dhe analizimi i efekteve të tregut të derregulluar”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila insiston se duhet të specifikohet ligji që ka të bëjë me energjinë për të vazhduar tutje me procedurat e tarifave e liberalizimit.

 

20:55

Kusari-Lila: Nuk ka pasur kërkesa prej atyre që u përfshinë në votimin për presidentin

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë në “Desku” të KTV-së se nga asnjë prej atyre që janë përfshirë në votimin për presidentin nuk ka pasur kërkesa për pozicione të caktuara në Qeveri apo diku tjetër.

Kusari-Lila ka thënë se nuk është diskutuar asnjëherë me ata që janë përfshirë në votim lidhur me këtë.

“Mund të them se të gjithë ata që kanë qenë pjesë përfshirëse, si zonja Reshitaj, zonja.Grainca dhe këta dy deputetët, deputeti goran Adem Hoxha dhe ai nga Iniciativa Rome, Fadil Gashi, nuk kanë pasur kërkesa shtesë të cilat do të përfshinin pozicione të caktuara, absolutisht ka qenë e kundërta e kësaj. Jashtë institucioneve pretendimet e partive janë të kundërligjshme dhe nëse kanë qenë këto praktika që ata i kanë përdorur atëherë është tërësisht e gabuar dhe tregon se kjo ka përfunduar”, është shprehur ajo.

Kusari-Lila ka thënë se periudha e bërjes “Pazar” në formë klasike përmes ofertave ekonomike, në kuptimin e dhënies së tenderëve, ka kaluar.

Duke folur për votat e deputetit goran Adem Hoxha dhe atij të “Iniciativa Roma”, Fadil Gashi për presidentin, Kusari-Lila ka thënë se fakti që Hoxha nuk është më zyrtarisht pjesë e Listës Serbe ka lejuar hapësirën që të diskutohet me të për urgjencën e pjesëmarrjes në procesin e votimit.

Ndërkaq, lidhur me Gashin, shefja e grupit parlamentar të VV-së ka thënë se ai veç ka qenë pjesë e Qeverisë dhe se e ka parë që në këto rrethana, mund të mos kishte fare Qeveri por shkuarje në zgjedhje të reja.

20:37

Kusari-Lila: Patëm kontakt me Graincën edhe para seancës për zgjedhjen e presidentes

U.d. së shefes së Grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ngul këmbë se me deputeten Adelina Grainca, që la PDK-në për të kaluar në VV, kishte kontakte edhe para seancës për zgjedhjen e presidentes, të dielën mbrëma.

Kusari-Lila në emisionin Desku në KTV, tha se Grainca kishte shprehur me kohë pakënaqësinë e saj për trajtimin dhe mungesën e hapësirës në partinë që i takonte.

Grainca mori pjesë në votimin e presidentes në dy rundet e fundit, gjë që ngjalli pakënaqësi të mëdha dhe akuza nga PDK-ja “se ishte blerë”.

“Prej fillimit kur e kemi diskutuar numrin e deputetëve në sallë e kemi pasur të qartë se deputetja e AAK-së Albena Reshitaj ka pasur qëndrim në mbështetje të kandidaturës së zonjës Osmani. Tek rasti deputetes, Grainca kemi pasur komunikim dhe kontakt edhe para procesit të zgjedhjes, kontakt joaktiv, por që e kemi kuptuar që deputetja në fjalë ka pasur pakënaqësitë e saj me procesin zgjedhor me PDK-në. Nuk ka qenë këto oferta, nuk ka pasur asgjë. Mendoj se ajo ka deklaruar vetë dhe nuk mund të flasë në emër të saj, por ajo që ne kemi dëgjuar është që mënyra si është menaxhuar fushata, e dyta, mënyra se si është trajtuar më pas dhe që ajo nuk është ndier si pjesë e grupit parlamentar. Këto kanë qenë argumentet që ne kemi dëgjuar edhe para procesit të zgjedhjes së presidentes”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, më pas ajo është kontaktuar. Një komunikim me të ka pasur edhe vetë Kusari-Lila.

“Çka ka deklaruar PDK-ja nuk është e vërtetë, jam ndier keq kur u zgjodh atë natë presidentja, PDK-ja doli në konferencë dhe u përmendën shifrat, të hollat, janë përmendur pozitat që asgjë prej atyre, as që është diskutuar, nuk ka qenë mënyrë e komunikimit.

E kam pasur edhe unë një bisedë, kërkesë e vetme ka qenë për trajtim në kuadër të grupit parlamentar, mentorimi, ofrimi i hapësirës”, ka thënë ajo.

20:27

Kusari-Lila rreth nismës për ndryshim të Ligjit për zgjedhjet: Shanset për zgjedhje ishin reale

Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nisma për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet erdhi nga deputetët e këtij subjekti, duke e parë situatën se vendi mund të shkonte shpejt në zgjedhje të reja.

Sipas u.d. së shefes së Grupit parlamentar të VV-së, ky ndryshim ishte një prej premtimeve gjatë fushatës.

Kusari-Lila në një intervistë në Deskun e KOHËS, tha se akuzat dhe retorika e përdorur nga opozita nuk kishin të bënin asgjë me realitetin.

Nisma për ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve në ditën kur nisi seanca për zgjedhjen e presidentes, u vlerësua si shantazh nga opozita.

“Në rrethanat në të cilat u vlerësua se shanset janë reale që vendi të shkojë në zgjedhje, dhe në rrethanat që edhe në zgjedhjet që sapo u përmbyllen, u pa si një prej defekteve kryesore mohimi i të drejtës së diasporës të marrë pjesë për aq sa ka shpreh vullnetin dhe sa është regjistruar në procesin zgjedhor, kjo dukej si e pashmangshme, si një nismë ligjore në kuadër të grupit parlamentar”,ka thënë ajo.

Sipas saj, edhe brenda grupit të VV-së ka pasur mendime të ndryshme, që ndoshta nuk duhet të procedohet në këtë kohë.

“Por për asnjë moment nuk janë ndalur përpjekjet se do të kemi një proces të suksesshëm të zgjedhjes së presidentes. Në kuadër të asaj se si është përceptuar pastaj, dhe si është interpretuar nga partitë e opozitës, atëherë është rënduar në një mënyrë retorika se ne kemi provuar të bëjmë puç, të shkatërrojmë rendin kushtetues, që është shantazh publik. Unë me përgjegjësi të plotë mund të them se asnjë nga të tri këto nuk qëndrojnë. Nuk ishte puç, por nismë ligjore që i ka ndjekur të gjitha rrugët dhe si i tillë u rrëzua në kuvend. D.m.th. u pa që ne nuk kemi shkuar jashtë sistemit, ishin brenda, nuk kemi synuar të rrëzojmë rendin kushtetues e demokratik, sepse e nisëm me nënshkrime siç është e paraparë, e përcollëm në komisionet funksionale, pastaj në qeveri për opinion dhe vlerësim siç parashihet dhe pritëm që ai të kthehet e të trajtohet në procedurë të përshpejtuar”, ka thënë Kusari-Lila.