Arbëri

Gërvalla falënderon për “qasje konstruktive” shtetin që s’e njeh Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka falënderuar Greqinë për “qasje konstruktive” në raport me Kosovën, edhe pse ky shtet nuk e njeh Kosovën.

Në një takim që ajo ka pasur me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi, siç thuhet në njoftim, “biseduan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e raporteve midis dy vendeve”.

Gërvalla me këtë rast ka thënë se është koha që lidhjet e vjetra mes popujve të shfrytëzohen në avancimin e raporteve bilaterale.

“Falënderojmë shtetin grek për qasjen konstruktive në raport me Republikën e Kosovës, në veçanti për mbështetjen e proceseve tona euro-integruese, mirëpo në të njëjtën kohë vlerësojmë se bashkëpunimi midis dy vendeve tona mund të avancohet në të mirën e popujve tanë dhe prosperitetit të përgjithshëm në rajon”, është shprehur Gërvalla.

Tutje në njoftimin e MPJD-së thuhet se “ministrja Gërvalla vlerësoi punën e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Republikën e Kosovës dhe të Zyrës Ekonomike të Republikës së Kosovës në Republikën e Greqisë, por kërkoi që të dyja palët të angazhohen më shumë në forcimin e këtyre lidhjeve, jo vetëm politike, por edhe ekonomike dhe kulturore”.