5 perditesime
21:23

Kurti: Marrëveshja e Washingtonit, tryezë suedeze

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur tryezë suedeze dhe bufe takimin e 4 korrikut në SHBA, ku Kosova e Serbia dhanë ndaras zotime pranë administratës amerikane.

Kurti ka thënë se nga kjo marrëveshje është mirë të shikohet nga fundit dhe aty të ndalet.

“Prej 1995 e këtej, kjo është singulari, kjo e 4 korrikut. Besoj me të drejtë e kemi kritikuar si një tryezë suedeze, si një bufe, ku ndoshta është menduar që të marrësh nja 2-3 gjëra që në një datë të mëvonshme do të jenë të favorshme. Kemi një administratë të re në SHBA, nuk mendoj që duhet të merremi me atë a refuzon çdo gjë apo pjesërisht. Ajo marrëveshje nga pika e fundit ngjan më së miri dhe besa është mirë me u ndal aty. Sa u përket disa gjërave si puna e ndarjes së resurseve, Ujmanit pra, ose e moratoriumit të kërkimit të njohjeve, kjo na bie ndesh me Kushtetutën. Nuk guxon asnjë zyrtar të thotë se nuk do të angazhohet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Por nuk është përfillur një gjë e tillë se është ditur që qeveria që shkoi nuk do ta kishte gjatë, prandaj ka ekzistuar një moskokëçarje për atë përmbajtje”, ka thënë Kurti në debatin “Si tutje me dialogun”, i organizuar dje nga Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, në kuadër të projektit “Forum 2015”, ku mori pjesë edhe shkrimtari e publicisti, Veton Surroi.

21:15

Surroi: Ideja evropiane nuk është që të krijohet sistem i cili etnifikon pushtetin

Shkrimtari e publicisti, Veton Surroi, ka thënë se ideja evropiane nuk është që të etnifikohet pushteti, derisa ka folur për harmonizimin e kornizës ligjore të Kosovës me të drejtat evropiane për mbrojtjen e komuniteteve dhe mundësisë që të ndryshohet Kushtetuta apo Pakoja e Ahtissarit në këtë pikë.

Surroi në debatin “Si tutje me dialogun”, i organizuar dje nga Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, në kuadër të projektit “Forum 2015”, ka thënë se duhet të ketë qartësi se ku ka Kosova shpërputhje me Konventën Evropiane.

“Duhet të jemi të qartë krejtësisht se ku jemi në shpërputhje me konventën dhe idenë evropiane. Ideja evropiane nuk është që të krijohet sistemi i tillë i diskriminimit pozitiv i cili etnifikon pushtetin. Në këtë rast, ne kemi prej formulimit se njëri apo tjetri anëtar i komunitetit duhet të jetë medoemos ministër që e kemi në Kushtetutë, të integruar nga korniza kushtetuese, e deri te marrëveshja e Brukselit ku përcaktohet se çfarë etnie duhet të jetë gjykatësi në Gjykatën e Mitrovicës së veriut. Këto nuk do ta kalonin testin e Konventës Evropiane”, ka thënë Surroi.

Sipas Surroit, duhet të analizohet se ku Kosova ka shkarje me Konventën Evropiane dhe të tregohet se mund të ecet tutje në “mbindërtimin kushtetues.

“Ajo që sugjeroj është të analizojmë mirë se çka është ajo ku ne si një shtet i cili është model në diskriminim pozitiv ka shkarje me konventën evropiane, në mënyrë që të tregojmë se nuk mund të ecet më tutje në këtë mbindërtim kushtetues. Kushtetuta jonë është si ndërtesat e Prishtinës, ku i është shtuar edhe një kat e një kat, por nuk e ka analizuar dikush statikën, tash është koha të analizohet statika”, ka thënë Surroi.

20:58

Kurti: Karakteri i Asociacionit të Komunave nuk mund të jetë njëetnik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Asociacioni i Komunave nuk mund të ketë karakter njëetnik, pasi nuk lejohet me Kushtetutën e Kosovës.

Kurti këtë e ka thënë në debatin “Si tutje me dialogun?”, i organizuar dje nga Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, në kuadër të projektit “Forum 2015.

“Në lidhje me Asociacionin, që është temë që rikthehet çdo javë. Neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës garanton lirinë e asocimit, nuk ka nevojë të negociohet diçka që e kemi të garantuar me Kushtetutë. Kapitulli i dytë i Kushtetutës numëron të drejtat e liritë themelore. Nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Nuk mund të jetë karakteri i Asociacionit të Komunave njëetnik. Mund të kemi asociacion të komunave të Bjeshkëve të Rugovës, maleve të Sharrit apo edhe lumit Lepenc, por nuk mund të ketë asociacion të komunave mbi bazë etnike, jo duke u ndarë për nga etnia”, ka thënë Kurti.

20:53

Kurti flet për borxhet që ka Serbia ndaj Kosovës

Kryeministri i ri Albin Kurti, vlerëson se Serbia i ka borxh Kosovës mbi tre miliard euro.

Ai në debatin “Si tutje me dialogun”, i organizuar dje nga Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, në kuadër të projektit “Forum 2015”, ku mori pjesë edhe shkrimtari e publicisti, Veton Surroi, tha se gjitha këto duhet të kërkohen në të ardhmen gjatë dialogut me Serbinë.

Kurti foli edhe për të zhdukurit e luftës në Kosovë, për dëmet materiale, për asetet e Kosovës që janë në Serbi e republika tjera të ish-RSFJ-së.

“Edhe temën, edhe kërkesën duhet ta shtrosh në dritën e përfitimit. Siç e dimë janë 1.620 persona të zhdukur, qindra familje që nuk kanë mbyllur plagët e luftës. Serbia është përgjegjëse të tregojë të vërtetën për personat e zhdukur dhe t’i dënojë përgjegjësit. Kjo është krim, luftë dhe gjenocid. Në Beograd i dinë të dhënat dhe e kanë arkivin, nëse Serbia nuk ka dëshirë e vullnet të zgjidhë këtë çështje kaq njerëzore, atëherë nuk ka si t’i zgjidhë të tjerat. E dyta janë borxhet. Serbia na ka shumë borxhe. Në jetën tonë të përditshme vështirë se ia falim individualisht borxhin njëri-tjetrit, e të gjitha ato si shumë janë të pakrahasueshme me atë që na ka Serbia. Sipas evidencave, Serbia i ka borxh Kosovës tre miliardë euro, në dëmë materiale dhe jomateriale nga moskthimi i pensioneve ndaj kontributdhënëvse nga viti 1998 deri më tash dhe mbi 400 milionë euro në dëme materiale dhe jomateriale për keqpërdorimin e rrjetit elektrik”, ka thënë Kurti, që të hënën për herë të dytë mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës.

Kurti tha se duhet marrëveshje suksesioni për të zgjidhur çështjen e pronave.

“Sipas evidencave të Agjencisë së Privatizimit, janë 162 asete në Serbi e republika tjera që selinë e kanë pasur në Kosovë e që 10 për qind i takojnë Trepçës”, tha ai.

20:50

Katër parimet që çojnë në dialog të qëndrueshëm sipas Kurtit

Në debatin “Si tutje me dialogun”, i organizuar dje nga Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, në kuadër të projektit “Forum 2015”, kryeministri Albin Kurti ka renditur katër parime që duhet të jenë udhërrëfyes për dialogun e ardhshëm dhe premisa për një proces të qëndrueshëm.

Kurti tha se duhet të pranohet realiteti, e vërteta, në dialog palët të jenë të barabarta dhe që nga ky proces të përfitojnë qytetarët.

Sipas kreut të ekzekutivit, pushteti në Serbi duhet të distancohet nga krimet e kryera nga serbët në Kosovë, përndryshe identifikohet me to edhe më tej.

“Duhet pranuar realiteti sepse nuk mund të kthehemi para pavarësisë, po të ishte e mundur edhe ne do të kërkonim më shumë. Pavarësia ishte kompromis dhe nuk është shpallë vitin e kaluar por para 13 vjetësh, ndërsa katër vjetët e para ishin pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht e vetë faktorët ndërkombëtarë thanë se duhet ta përfundojmë mbikëqyrjen e pavarësisë së mbikëqyrur. E dyta, duhet pranuar e vërteta, nuk mund të ulemi në tavolinë të bisedimeve duke harruar e për ta rrafshuar historinë. Nuk do vijë në një pozitë, historia e një shteti që nuk dihet por që dihet. Serbia duhet të pranojë krimet që ka kryer në Kosovë dhe pushteti duhet të distancohet pre tyre. Duke mos u distancuar, do të përfundojë gjithnjë e më shumë duke u identifikuar me to. Nëse nuk ka reflektim në këtë drejtim, vështirë të ketë ndonjë progres sepse çfarëdo marrëveshje pa pendim e keqardhje nuk është e sinqertë dhe e zbatueshme siç nuk janë shumë prej atyre që janë nënshkruar”, ka thënë Kurti.

Kurti ka theksuar se Kosova nuk do të jetë më temë e dialogut por palë e barabartë e këtij procesi, nga i cili vetëm qytetarët do të përfitojnë.

“E treta, duhet të ulemi si të barabartë. Kjo është tejet e rëndësishme, nuk mund të dialogojmë si palë të pabarabarta, si palë që nuk janë të barabarta. Kosova ka qenë më shumë temë e dialogut se palë e dialogut dhe kjo duhet të ndryshojë. E katërta, duhet të përfitojnë qytetarët. Nga bisedimet e ardhshme duhet të përfitojnë njerëzit. Temat e kërkesat duhet shtruar në atë mënyrë që qytetarët të jenë përfitues, të kenë dobi ata nga dialogu dhe jo liderët politikë. Dialogu nuk duhet aranzhuar që të shpëtohet fytyra e një politikani, por vetëm se si të përfitojnë qytetarët”, ka përfunduar Kurti.

Ndërkaq, ka përmendur disa çështje të tjera që duhet përfshirë në dialog, në rend të parë, zbardhjen e fatit të të pagjeturve të Kosovës.

20:41

Surroi: Çështja e Kishës Ortodokse nuk mund të jetë çështje e dialogut mes Kosovës e Serbisë

Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se çështja e Kishës Ortodokse nuk mund të jetë çështja e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Surroi këtë e ka thënë në debatin “Si tutje me dialogun?”, i organizuar dje nga Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, në kuadër të projektit “Forum 2015.

Ai ka dhënë dhjetë sugjerime se si të ecet para me dialogun.

“Çështja që është zvarritur prej kohësh e që duhet të marrë një përgjigje eksplicite, është çështja e kishës ortodokse serbe. Ajo nuk mund të jetë pjesë e negociatave mes shtetit të Kosovës e Serbisë. Të dy shtetet janë laike, shtetet laike nuk mund të negociojnë për komunitete religjioze”, ka thënë Surroi.

Surroi ka thënë se karakteristika e parë e procesit të kaluar të dialogut është pamjaftueshmëria.

“Është proces që nuk ka ndryshuar marrëdhënien mes Kosovës e Serbisë, e nuk ka ndryshuar qasjen e ndërmjetësve, bazohet në idenë që nëpërmjet zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve më të vogla të arrihet në momentin kur duhet zgjidhur mosmarrëveshja më e madhe mes Kosovës e Serbisë. Nuk ekziston asnjë ndryshim strukturor e në permisë, që bën procesin të kalojë atë pragun e pamjaftueshmërisë, e kjo natyrisht se jo vetëm që i jep të drejtë por edhe obligim Qeverisë së ardhshme dhe pjesëve të shoqërisë që duan të ndihmojnë këtë proces që të bëjnë rivlerësimin e procesit dhe marrëveshjeve në mënyrë që të bëhet përparimi i këtij procesi, që të kalohet ai prag, natyrisht gjithnjë brenda këtij mandati që e ka BE si lehtësuese e procesit. Duhet marrë parasysh që në këtë fazë këto dhjetë vite kemi një konsistencë të Serbisë në deklarime për mosnjohjen e Kosovës, pra edhe këtë duhet të marrë si pjesë e këtij rivlerësimi”, tha Surroi.

Surroi ndër tjera ka shtuar se ka ndryshuar në këto dhjetë vjet në mënyrë dramatike edhe konteksti gjeopolitik në botë e Evropë. Rusia derisa para dhjetë vjetëve ishte përcaktuar brenda NATO-s si partnere strategjike e ardhshme, në analizën e fundit të NATO-s ka kaluar në rival sistematik.

“Përgjatë këtyre dhjetë vjetëve çështja e negociatave mes Kosovës e Serbisë i ka ndihmuar në mënyrë të rëndësishme Rusisë që të zhvillojë konfliktin e vet sistematik me Perëndimin, duke mos lejuar që nëpërmjet zgjidhjes së marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë të arrihet shtrirje e integrimeve euroatlantikee. Dialogu për ne merr dimension edhe më të thellë sesa që ka deri më sot”, tha Surroi.

Ai ka përmendur edhe faktin se është me rëndësi që SHBA-ja të rikthehet në dialogun e Brukselit dhe është e nevojshme që të jetë në kuadër të një dimensioni të ri, që dialogu të prodhojë jo vetëm integrim evropian, por integrim euroatlantik.

Ndër tjera ka thënë ai ka thënë se përgjatë dhjetë vjetëve të negociatave është krijuar një shpërputhje juridike mes çështjeve të cilat i ka nënshkruar Kosova si shtet dhe sistemit tonë kushtetues juridik.

“Bashkësia e Komunave Serbe është rasti eklatant i një shpërtputhje të tillë, e është një shpërputhje të themi konceptualisht e dyfishtë. Është shpërputhje me sistemin tonë kushtetues jurdik, sepse krijon rrafshin e tretë të pushtetit, por ekziston edhe një asimetri në natyrën kontraktuale mes Kosovës e Serbisë. Kosova nënshkruan këtë marrëveshje si marrëveshjes ndërshtetërore, Serbia nuk e bënë këtë gjë. Implementimi i këtyre marrëveshjeve i këtillë çfarë është, është i pamundur brenda sistemit kushtetues juridik të Kosovës, prandaj insistimi që të bëhet implementimi e pastaj të vazhdojë dialogu nuk i bën mirë as sistemit kushtetues juridik e as dialogut si të tillë, prandaj është i pamundur”, ka thënë Surroi.

Surroi po ashtu ka thënë se është shumë e nevojshme që të kemi ballafaqim me të kaluarën.