Arbëri

S’e lejuan të bënte ankesë në Polici për shkak të veshjes, Avokati i Popullit e cilëson diskriminim gjinor

Policia e Kosoves

Avokati i Popullit e ka cilësuar diskriminim gjinor rastin e Luljeta Aliut dhe moslejimit që ajo të bënte ankesë për dhunë në familje për shkak të “veshjes së papërshtatshme”.

Përmes një letre drejtuar Gjykatës Themelore lidhur me rastin e padisë së Aliut ndaj Policisë, Avokati i Popullit ka thënë se paragjykimi i grave në bazë të veshjeve, forcon idenë e inferioritetit të grave ndej burrave.

Më 31 mars 2017, Aliu ishte paraqitur në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë për ta denoncuar shkeljen e urdhrit të mbrojtjes nga bashkëshorti i saj. Policia e Kosovës kishte refuzuar ta regjistrojë denoncimin e Luljeta Aliut për dhunë në familje dhe pas ankesës së saj ndaj këtij mosveprimi, ishin arsyetuar se rastin nuk e kanë regjistruar për shkak se Aliu kishte pasur të veshur “një fustan tejet të shkurtër dhe një maice me rripa”.

Në mendimin juridik drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, Avokati i Popullit refuzimin e regjistrimit të denoncimit të dhunës në familje për shkak të veshjes e ka cilësuar si paragjykim gjinor dhe diskriminim në bazë të gjinisë.

Më tej Avokati i Popullit ka konstatuar se refuzimi i regjistrimit të denoncimit paraqet dështim të Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe efektive për të penguar dhunën në familje e për të evituar rrezikun që do të mund të sillte pasoja serioze për Luljeta Aliun.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë të Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi, dy vendimet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë të vitit 2019 e kishin legjitimuar mosregjistrimin e denoncimit të Aliut duke u mbështetur në “Kodin e Veshjes për Zyrtarë dhe për Palë në Institucione Zyrtare”.

Luljeta Aliu ka vazhduar betejën e saj ndaj Policisë duke iniciuar padi para Gjykatës Themelore në Prishtinë më 20 qershor 2019. Zyra për Informim e Policisë së Kosovës më 8 maj 2020 ka konfirmuar zyrtarisht se Kodi i Etikës për Zyrtarë dhe Palë të Treta në Institucione Zyrtare nuk ekziston. Ky konfirmim ka ardhur pas disa kërkesave të përsëritura për qasje në dokumente publike të parashtruara nga Avokatja Rina Kika, që e përfaqëson Aliun në këtë proces.

Sipas Kikës, “zyrtarët policorë kanë detyrim ligjor t'i regjistrojnë dhe të përgatisin raport për të gjitha rastet e denoncuara të dhunës në familje, e posaçërisht duhet të veprojnë me urgjencë në raste të shkeljes së urdhrave mbrojtës të caktuar nga Gjykata”.

Me 23 qershor 2020, Aliu kishte plotësuar Padinë duke i përfshirë si palë të paditura edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarë policorë, duke përfshirë zyrtarin policor që kishte refuzuar ta regjistrojë rastin e denoncuar dhe 4 zyrtarët tjerë që e kishin legjitimuar këtë mos-veprim duke u thirrur në një kod të etikës inekzistent.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative ende nuk ka caktuar seancë për shqyrtimin e padisë.