Arbëri

Gashi: Zhvillimet rreth gjykimit për vrasjen e Agonis Tetajt e zbehin besimin e qytetarëve tek drejtësia

Leotrim Gashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë në Express Intervista të KTV-së se rikualifikimi i veprës penale të vrasjes së Agonis Tetajt nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia nënkupton ulje maksimal të dënimit.

Sipas tij, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për vrasje nga pakujdesia dhe tashmë trupi gjykues të premten do të marrë vendimin lidhur me këtë rast.

“Ky veprim i prokurorit ka shkuar deri atë që një vepër e ka kualifikuar nga dënimi minimal prej 10 vjetësh deri në dënim maksimal me burg të përjetshëm në veprën tjetër penale, vrasje nga pakujdesia e cila parasheh një dënim minimal 6 mujor dhe një dënim maksimal 5 vjeçar. Pasi që prokurori i rastit ka bërë ricilësim të veprës penale, i akuzuari e ka pranuar atë vepër penale dhe tash gjykata nesër do të tregojë se cili është vendimi i saj në lidhje me atë pranim të fajësisë”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se IKD e vlerëson reagimin e Kryeprokurorit të shtetit për të deleguar rastin tek një prokuror tjetër.

Ndërkohë, sipas tij, deklarimi i prokurores për krime të rënda në Pejë që e ka ngritur rastin, Sahide Gashi se kishte prova për vrasje të rëndë mirëpo ato janë manipuluar, është shqetësues për sistemin prokurorial.

“Ajo me mburrje dhe krenari thotë se ky rast ka qenë i ngritur në mënyrë të rregullt mirëpo është prishur në fund sepse janë manipuluar provat. Këto veprime e zbehin akoma më shumë besimin e publikut në sistem të drejtësisë dhe kjo normalisht ndikon për keq edhe për rastet e tjera që mund të ndodhin”, ka thënë Gashi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka vendosur sot që rasti i Agonis Tetajt t’i merret prokurorit aktual dhe t’i ricaktohet një prokurori tjetër.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ky vendim është marrë për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin.

Videoja e vrasjes së Agonis Tetajt në vitin 2018 është publikuar të mërkurën nga babai i të ndjerit, Isuf Tetaj për shkak të rikualifikimit të veprës, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Për këtë ai ka adresuar kritika ndaj prokurorit të rastit Agron Uka.