Arbëri

Hoxhaj: Osmani figurë polarizuese, partinë e saj e shndërroi në viktimë

Descriptive Text

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka përsëritur se deputetët e kësaj partie nuk do të votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

Hoxhaj, pas takimit me zv.kryeministrin e Maqedonisë, Artan Grubi, ka thënë se Osmani, nuk reflekton vullnetin e qytetarëve.

“Zonja Osmani nuk e reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës, pasi ka qenë figurë polarizuese në raport me qytetarët, por edhe me subjektin e saj politik (LDK v.j.) që e ka shndërruar në viktimë. Qëndrimi i PDK-së është super i qartë, nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë. Qëndrimi apo jo në sallë është temë teknike. A qëndron në sallë apo jo, nuk ka kurrfarë vlere, tema është a merr pjesë a jo”, ka thënë Hoxhaj.

Osmani garoi në listën e VV-së dhe doli më e votuara në zgjedhjet e 14 shkurtit me mbi 300 mijë vota.

Pa Osmanin, LDK-ja doli e treta në zgjedhje me më pak se 13 për qind. PDK-ja doli e dyta me 17 për qind, kurse VV-ja e para me mbi 50 për qind.

Pas takimit, Hoxhaj në një konferencë për media ka treguar se me Grubin kanë diskutuar për dy çështje të rëndësishme jetike për rajonin, për shqiptarët dhe për Kosovën, që janë procesi i regjistrimit civil të popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe organizimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, gjë që e kanë diskutuar me Grubin në kohën kur Hoxhaj ka qenë ministër i punëve të jashtme.

Hoxhaj ka bërë thirrje që e gjithë diaspora shqiptare nga Ballkani ta mbështesë procesin e regjistrimit civil në Maqedoninë e Veriut.

Ai ka ftuar qeverinë e ardhshme që të iniciojë mbajtjen e mbledhjes midis dy qeverive meqë kjo do të kishte ndikim të madh në bashkëpunimin politik, në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe në atë të zhvillimit ekonomik.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi duke se thënë se Enver Hoxhaj është mik shumë i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e ka ftuar që t'i dalë në ndihmë në procesin e regjistrimit civil, ashtu siç i kanë bashkërenditur aktivitetet në diasporë në të kaluarën.

"Bashkë i kemi prirë shumë procesve në të kaluarën dhe bashkë do të vazhdojmë t'i prijmë në të mirën e dy vendeve tona edhe në të ardhmen", ka thënë ai.

Sipas Grubit, rritja e numrave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është jetike për të ardhmen e tyre.

"Janë mbi 15 marrëveshje bilaterale që po presim nënshkrimin. Mezi po presimin formimin e institucioneve në Kosovë për të zbatuar marrëveshjet, duke filluar edhe me largimin e kufirit në mes nesh në Bllacë, Bellanicë", ka theksuar Grubi.