2 perditesime
22:13

Hoxhaj: Këshilli drejtues i PDK-së nuk e mbështet kandidaturën e Osmanit

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se Këshilli Drejtues i partisë ka vendosur që të mos e mbështesë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.

Ai tha se ka pasur debate të shumta rreth kësaj pike dhe se për tri të tjera lidhur me partinë janë dakorduar. Hoxhaj nuk dha përgjigje të qartë nëse do të qëndrojnë në sallë gjatë votimit të presidentit të ri.

“Kemi pasë një mbledhje jashtëzakonisht të mirë të Këshillit Drejtues ku kemi nxjerrë 3-4 vendime që janë jetike për të ardhmen e PDK-së. Nën një, Këshilli Drejtues ka ngarkuar PDK-në që të del me një dokument strategjik se si të ndodhë reforma në PDK. PDK-ja ka nevojë të hapet, të sjellë kuadra të reja. E dyta, kemi marrë vendim të kemi një strategji të detajuar se në çfarë forme të bëhet opozitë nga PDK-ja, ku obligohet Kryesia qendrore të hartojë dokument të tillë ndërsa grupi parlamentar do jetë zbatues i saj. Së treti, kemi miratuar kalendar për zgjedhjet lokale. Një prej vendimeve të rëndësishme është që Këshilli Drejtues në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani për të qenë presidente”, tha Hoxhaj pas mbledhjes së Këshillit.

Hoxhaj tha se çështja e dorëheqjes së kryesisë është e mbyllur pasi sipas tij ka qenë kërkesë e vetëm dy anëtarëve të Këshillit, Lirak Çelajt dhe Xhevahire Izmakut.

“Janë zëra të nderuar të kolegëve në Këshill, por janë zëra shumë të izoluar”, tha ai.


10:19 - Çelaj: Kërkova dorëheqjen e Kryesisë së PDK-së, procesi u tentua të manipulohet

Lirak Çelaj anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se ka kërkuar dorëheqjen e Kryesisë së partisë mirëpo pas tendencave për manipulim të procesit, e ka tërhequr kërkesën.

Këtë deklaratë, Çelaj e bëri pasi doli nga mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së që po vazhdon të zhvillohet që disa orë në një nga hotelet e Prishtinës.

Ai tha se kërkesën për votëbesim ndaj Kryesisë e bëri për shkak se konsideron se dikush duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Pata edhe unë propozim patën edhe të tjerët për tu vënë në votëbesim por u mundua që të manipulohet nga Kryesia, në mënyrën se si do të qitej në votëbesim, edhe nuk pat kuorum por edhe u mundua të manipulohet Këshilli Drejtues për këtë çështje dhe unë u tërhoqa sepse konsideroj se kjo formë është jolegjitime. E para nuk u konstatua kuorumi, e dyta konsideroj që Kryesia nuk ka të drejtë të votojë votëbesim për vetën. Pat tendencë që të hidhet në votim por mënyra se si dështoi të hidhej unë nuk pranova dhe e lashë me kaq. Thjesht reflektim me marrë dikush përgjegjësinë për këtë rezultat kaq të dobët”, është shprehur Çelak.

Sipas tij, Këshilli Drejtues duhet ta votojë votëbesimin për Kryesinë e jo Kryesia për Kryesinë siç është tentuar të ndodhë.

19:30

Hoxhaj: Pres vendimin e Këshillit për çështjen e presidentit

Mbledhja e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës po vazhdon me dyer të mbyllura.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se ka hapa konkretë me temën kryesore për analizimin e rezultatit zgjedhor të 14 shkurtit.

"Ka debat shumë konstruktiv rreth rezultatit zgjedhor të 14 shkurtit. Ka hapa shumë konkretë se çfarë duhet të bëjmë në zgjedhjet lokale. Ka po ashtu debat për vendimin që duhet të marrin në Kuvendin e Kosovës gjatë ditëve të ardhshme. Dhe meqë ne kemi një dialog të brendshëm, kemi demokraci të brendshme, pres nga anëtarët e Këshillit Drejtues që të dalin me atë se cili do të jetë qëndrimi jonë për shumë procese që e presin Kosovën", tha Hoxhaj.

Hoxhaj është pyetur edhe në lidhje me çështjen e presidentit dhe debatit që po bëhet rreth kësaj teme në mbledhjen e Këshillit Drejtues, ndërsa sa i përket çështjes së votimit të Vjosa Osmanit për kryetare të shtetit, ai tha se pret vendim nga Këshilli

"Unë kam insistuar që të deklarohen sepse në dokumentet tona, në rregulloret tona si parti politike është pikërisht e drejtë e Këshillit Drejtues që të marrë vendime për koalicione paszgjedhore apo parazgjedhore. Ky nuk është koalicion parazgjedhor, por është situatë konkrete", tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se partia që po e drejton do të dalë me një platformë të re politike, e fokusuar po ashtu edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.

16:58

Hoxhaj: Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë nuk pati përkrahje për votimin e Osmanit

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së partisë nuk ka pasur përkrahje për t’u votuar Vjosa Osmani për presidente të Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se çështja do të diskutohet edhe në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues të Partisë.

“Ne dallojmë prej subjekteve tjera politike, unë nuk i marr vendimet këtu as në studio por me organet e PDK-së. Dje në mbledhje të kryesisë nuk ka pasur përkrahje një gjë e tillë, sot do ta diskutojmë me Këshillin drejtues të PDK-së por që nuk pritet të ketë një vendim”, tha ai.

Hoxhaj ka thënë se në takimin e sotëm do të diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, si dhe për një platformë të re të PDK-së. Tha se në këtë takim të rregullt do të diskutohet edhe për zgjedhjet lokale.

“Sot kem një mbledhje të rregullt të Këshillit Drejtues, agjendë e takimit tonë është bisedimi për zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe për ata si ne si PDK do të duhet të dalim me një platformë të re para qytetarit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe si do të sillemi si opozitë. PDK-ja do të jetë një opozitë e fortë ndaj Qeverisë së ardhshme, e cila pritet të formohet javën e ardhshme. Do bëhet një analizë e zgjedhjeve që i kishim dhe do dalim me veprime konkrete se si PDK-ja ta bëjë opozitën, si të riorganizohemi për zgjedhjet lokale dhe t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve”, tha Hoxhaj.