Arbëri

Rrjetet sociale vërshohen nga kërkesat për dhurues të plazmës konvaleshente

Descriptive Text

Mungesa e dozave të plazmës ka shtyrë shumë familjarë që përmes rrjeteve sociale të kërkojnë ndihmë për dhurimin e plazmës

Kërkesa e Klinikës Infektive për trajtimin, sa më parë, të nënës së saj me plazmë konvaleshente bëri që Mihane Salihu-Bala të ofrohej si dhuruese potenciale. Megjithatë, të martën, asaj iu tha në Qendrën e Transfuzionit se nuk i plotësonte kushtet për dhurimin e plazmës.

“Kam ardhur për të dhuruar plazmë për nënën time, ajo është e shtrirë në Klinikën Infektive, në Repartin A. Fatkeqësisht, nuk mund të dhuroj plazmë, për shkak të një alergjie që kam në njërin antibiotik. Në rrethin familjar askush nuk i ka parametrat e kërkuar, sepse pjesa tjetër që jetojnë me nënën time janë me COVID-19”, ka bërë të ditur ajo.

Një situatë e tillë e ka shtyrë atë që nëpërmjet rrjeteve sociale të kërkojë dhurues vullnetarë. E ditëve të fundit, rrjetet sociale janë vërshuar nga kërkesa të shumta të familjarëve, të cilët po kërkojnë plazmë konvaleshente për familjarët e tyre të infektuar me koronavirus, të shtrirë nëpër klinika dhe spitale. Rritja e numrit të pacientëve me COVID-19 i ka rritur kërkesat e klinikave të QKUK-së, e madje edhe të spitaleve rajonale, për trajtimin me plazmë.

Megjithatë, i ulët është numri i atyre që kualifikohen për dhurimin e plazmës.

“Kemi pak dhurues. Sot kanë qenë pesë dhurues, edhe ata nuk e dimë a i plotësojnë kushtet, ndërsa dje kanë qenë shtatë. Kemi pasur 24 mostra që i kemi dërguar dhe vetëm gjashtë i kanë plotësuar kushtet”, ka thënë Hedije Mahmutaj, transfuziologe në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.

Ndërkohë, kërkesat e shtuara të klinikave e spitaleve dhe numri i ulët i atyre që i plotësojnë kushtet për të dhuruar plazmën, ka dyfishuar punën e Transfuzionit të Gjakut.

“Kërkesa ditore mundet me qenë pesë deri në dhjetë, kemi edhe raste që janë duke pritur, për shkak se nuk përputhen grupet e gjakut. Janë duke kërkuar prej të gjitha klinikave, po fillojnë dhe regjionet se janë mbushur shtretërit. Ka marrë Prizreni, Gjilani, Peja e Gjakova. Për transfuzionin është ngarkesë e dyfishtë, sepse i kemi edhe rastet emergjente, Intensiven, Onkologjinë, aksidentet, gjakderdhjet e ndryshme”, shprehet ndër të tjera Mahmutaj.

Në mesin e dhuruesve të paktë të gjakut, këtë të martë, kishte edhe nga ata që janë dhurues të rregullt të gjakut.

“Unë jam dhurues i rregullt i gjakut. Sot kam ardhur të dhuroj plazmë, nëse ka nevojë për të. Si një ndër personat që e kam kaluar COVID-19 e kam parë të rëndësishme si mundësi e mundësi e imja është kjo, që ta dhuroj e t’i ndihmoj një pacienti”, ka thënë Imer Mushkolaj.

Që nga janari, Qendra e Transfuzionit të Gjakut nga dy mijë dhurues të gjakut që ka pasur, 546 prej tyre kishin kaluar procedurat për testime me antitrupa. Nga ky numër vetëm 98 i kanë plotësuar kushtet për plazmën konvaleshente.