Vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK) për kthimin në Ministrinë e Infrastrukturës të të dënuarit për korrupsion, Nexhat Krasniqi, ka shkaktuar përçarjet brenda kësaj ministrie, mes ministrit në detyrë, Arban Abrashi, dhe sekretarit të përgjithshëm, Izedin Bytyqi.
Pas mospajtimeve për respektimin e vendimit të KPMSHCK-së për kthimin e Krasniqit, Abrashi kishte pushuar nga puna Bytyqin. Megjithatë, Bytyqi u kthye pak ditë më pas me vendim të Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, ku ministri i Brendshëm, Agim Veliu, është kryesues. Vendimi i kthimit të Bytyqit në vendin e tij të punës u mor më 10 mars.
Vetëm dy ditë pas kthimit të Bytyqit, në këtë ministri është rikthyer edhe i shumëpërfoluri për tenderët në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi.
E ai del të jetë “mollë sherri” për gjithë përçarjet në MI.
Në fillim të dhjetorit, KPMSHC-ja kishte aprovuar ankesën e tij, duke obliguar sekretarin Bytyqi që ta kthente Krasniqin në pozitën e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit. Bytyqi vendosi ta respektonte vendimin. Zbatimi i vendimit të Bytyqit për kthimin e Krasniqit në punë hyri në fuqi më 4 janar.
Por me vendimin s’u pajtua Ministria. Ajo, përmes Avokaturës Shtetërore, nisi procedurë në Gjykatën Themelore kundër vendimit të KPMSHCK-së, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit përmes vendosjes së masës së parakohshme. Kërkesa u refuzua në shkallë të parë nga Themelorja, e më pas edhe nga Apeli.
Ndërkohë, më 23 shkurt, KPMSHCK-ja vendosi t’ia ndalte 50 për qind të pagës sekretarit të MI-së. Vetëm tri ditë më pas, sërish sekretari nxori vendim për ta kthyer në punë Krasniqin. Megjithatë vetëm një javë më vonë ministri Abrashi kërkoi nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë inicimin e procedurës kundër sekretarit me pretendimin se kthimi i Krasniqit ishte shkelje e vendimit të Gjykatës Supreme në vitin 2019, me të cilin ndalohej kthimi i Krasniqit në këtë ministri.
Më 9 mars, sekretari pezulloi vendimin për kthim në punë të Krasniqit dhe njoftoi KPMSHCK-në për pezullimin për shkak të paqartësive me aktvendimin e Supremes. Një ditë më vonë, KPMSHCK-ja njoftoi palët se “aktvendimi i Supremes kishte të bënte me procedurë përmbarimore dhe s’ka vendim përfundimtar”. Ky Këshill obligoi sekretarin që të zbatonte vendimin për kthim në punë të Krasniqit.
Bazuar në këto është vendosur që Krasniqi përfundimisht të kthehet në punë, nga ku u largua pas dënimit që kishte marrë vjet më parë për korrupsion.
Ai ishte dënuar vjet më parë në shkallën e parë me 26 muaj burgim efektiv, ndërsa pas ankimimit në Apel, dënimi i ishte zvogëluar në një vit e gjysmë burgim me kusht, por s’i ishte ndaluar ushtrimi i funksionit publik. Pasi që u bë vendimi i plotfuqishëm, Ministria e Infrastrukturës ia kishte shkëputur marrëdhënien e punës më 2018. Krasniqi ishte ankuar, por kjo s’ishte miratuar dhe tani kthimin në punë e ka realizuar përmes KPMSHC-së.