Gjykata Supreme ka refuzuar nëntë ankesa të kandidatëve dhe subjekteve, të cilët ishin të pakënaqur me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP), derisa gjashtë të tjera i ka ende në shqyrtim.
Shumica e ankesave të refuzuara kanë të bëjnë me kërkesën për rinumërim të disa qendrave të votimeve.
Ndërkohë që Supremja ka ende në shqyrtim ankesat e Duda Bales dhe Adriana Hoxhiqit. Derisa Bale kërkon që të anulohen edhe disa vendvotime në komunat me shumicë serbe, në të cilat pretendon se janë keqpërdorur votat në dobi të iniciativës së Hoxhiqit, kjo e fundit ka kërkuar që të rikthehet vlefshmëria e votave të pesë vendvotimet e anuluara.
Sipas njoftimit, Supremja ka refuzuar ankesën e Anton Shalës, Nezir Çoqajt, Vetëvendosjes, Visar Hotit, Ismet Shamollit, Hisen Berishës, Lirie Kajtazit, Ekrem Hysenit dhe Gentrit Sylës. Ndërkohë në shqyrtim janë ankesat e Duda Bales, Qazim Rrahmanit, Erxhan Galushit, Lëvizjes Vetëvendosje (e dyta), Adriana Hoxhiqit dhe Romani Iniciativës.
Vetëm pasi Supremja të shqyrtojë dhe të japë vendimet për të gjitha ankesat brenda afatit ligjor që përfundon nesër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Zgjedhjet e fundit janë vlerësuar demokratike, por procesi i numërimit të votave ka devijuar, për çka ka pasur rinumërime të shumta, akuza e kundërakuza dhe së fundi edhe të arrestuar për shit-blerje të votave.
Lexoni aktgjykimet e plota:
Për Ekrem Hysenin - Shkarko dokumentin
Për Anton Shalën - Shkarko dokumentin
Për OFREU-n (Gentrit Syla) - Shkarko dokumentin
Për Hisen Berishën - Shkarko dokumentin
Për Ismet Shamollin - Shkarko dokumentin
Për Lirie Kajtazin - Shkarko dokumentin
Për Nezir Çoçajn - Shkarko dokumentin
Për Vetëvendosjen - Shkarko dokumentin
Për Visar Hotin - Shkarko dokumentin
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.