Arbëri

Kiçmari: Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, jo e lehtë për marrëdhëniet me vendet tjera

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka konotacione jo të lehta për marrëdhëniet e vendit me shtete të tjera, ka vlerësuar ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari.

Sipas tij, hapja e ambasadës në qytetin të cilin për kryeqytet e kërkojnë Izraeli dhe palestinezët, është akt politik i premtuar nga kryeministri në detyrë.

“Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është akt politik i premtuar nga kryeministri në detyrë z.Hoti. Ai ka folur në emër të Republikës dhe ajo duhet ta regjistrojë këtë fakt si të tillë. Meqë jemi një prej vendeve të para që kemi hapur ambasadën në Jerusalem, natyrisht ka dhe konotacione jo të lehta për statusin e Kosovës në marrëdhëniet me vendet e tjera, por pikëpamja ime është që do të menaxhohet si situatë”, ka thënë ai për “EkonomiaOnline”.

Image

Kiçmari më tej ka thënë se Kosova duhet të zhvillojë biseda me shtetet tjera mike, por që janë kundër hapjes së ambasadës në Jerusalem. Sipas tij, duhet shpjeguar argumentet dhe elementet që kanë çuar në vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

“Miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë po ashtu ambasadën në Jerusalem dhe kjo e lehtëson këtë pozicionim të Republikës së Kosovës, ndërsa me miqtë tjerë, pra me Turqinë dhe vendet arabe kërkohet nga ministri ose ministrja e ardhshme që do ta marrë mandatin, që të komunikojnë me diplomacinë turke dhe arabe për të shpjeguar elementet dhe argumentet që kanë ndikuar që Republika e Kosovës ta hapë ambasadën në Jerusalem, dhe jam shumë i bindur që argumentet tona qëndrojnë dhe miqtë tanë do t’i kuptojnë ato”, ka deklaruar ai.

Ai e ka quajtur normal debatin për këtë çështje, por ka shtuar se çështja e ambasadës tashmë është e përfunduar pasi ajo veçse ka nisur punën.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit në washington ku Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës.