Arbëri

Nga 12 policë nën hetime, Prokuroria arrestoi 8; vepra penale “shpërndarja e narkotikëve” largohet

Emrat e 12 zyrtarëve policorë gjenden në aktvendimin për hetimet të datës 5 mars, kur Prokuroria Themelore në koordinim me Inspektoratin e Policisë së Kosovës ndërmori aksion për arrestim. Por vetëm 8 prej tyre janë arrestuar të premten.

KOHA ka siguruar dosjen e hetuesisë për këtë rast.

Aktvendimi për zgjerimin e hetimit mban datën e arrestimit. Për secilin polic janë të përshkruara veprimet inkriminuese.

Dosja flet për situata të ndryshme ku janë të përfshirë policë të ndryshëm, por që nuk ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Të arrestuarit kryesisht hetohen për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Dy nga ta dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në mos-hapjen e një rasti ku dyshohej së po zhvillohej prostitucion.

“I pandehuri Bedri Januzi përmes telefonit nga kolegu i tij dëshmitari –zyrtari policor N.N kishte pranuar informacionin se në rrugën ‘Zija Shemsiu’, lagja ‘Ulpiana’ afër tregut në Prishtinë, zhvillohej prostitucion i mbuluar me biznes legal ‘masazh’, ku pas kësaj të pandehurit Bedri dhe Milosh i përgjigjën këtij informacioni, por nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare...”, thuhet në dosje.

Dosja hedh dyshime se jo vetëm që këta dy zyrtarë policorë nuk i kanë shqiptuar tiketë për kundërvajtje këtij lokali, por edhe janë shoqëruar me vajzën që punonte aty , të cilën e kanë marrë me veturë dhe kanë kërkuar shërbime të tjera nga ajo.

Zyrtarët policorë Bedri Jonuzi e Visar Shala në një rast në aktvendim janë inkriminuar që kanë ndikuar që një kafeneje në Prishtinë t’i ulej vlera e tiketës së kundërvajtjes nga 500 në 300 euro.

Zyrtarët policorë Visar Shala e Fitim Bellaqa në bazë të aktvendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë të inkriminuar në veprat penale “ushtrim i ndikimit”, respektivisht falsifikim i dokumentit zyrtar në lidhje me një aksident trafiku. Por Shala është i arrestuar, ndërsa Bellaqa jo.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ditën e arrestimit, në komunikatë për media, ka listuar veprat penale për të cilat po dyshohen këta zyrtarë policorë. Në mesin e tyre është edhe vepra penale për blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve .

Por në dokumente kjo vepër penale përmendet vetëm tek dy zyrtarë të arrestuar.

“Gjatë zbatimit të këtyre masave në drejtim të të pandehurit Bedri Januzi, përkatësisht në masën e përgjimit është vërejtur se ai ka biseda të shumta me zyrtarin policor, tani të pandehurin Visar Shala, ku dyshohet se edhe ky i fundit të jetë përfshirë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Një gjë e tillë thuhet në aktvendimin që mban datën e arrestimit.

Megjithatë, kjo vepër nuk figuron fare tek asnjëri i arrestuar në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit që është e datës 6 mars. Kjo vepër penale është ‘zhdukur’ nga dyshimet fillestare të Prokurorisë.

KOHA për këto kundërthënie i ka dërguar të hënën pyetje Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por ata nuk janë përgjigjur.

Të premten janë arrestuar Bedri Januzi, Visar Shala, Marigona Gashi, Donikë Mjaki, Vedat Fetahu, Valon Bajqinca, Rexhep Selimi, Milosh Kovaçeviq.

Në listë me emrat kundër të cilëve ka hetime, janë edhe katër policë që nuk janë arrestuar.