Arbëri

Punëtorët e Lotarisë të hënën në protestë, kërkojnë pagat që s’i morën qe 1 vit

Rreth 60 punëtorë të Lotarisë së Kosovës ka afro një vit që kanë mbetur pa paga.

Mbyllja e lojërave të fatit në maj të 2019-s ia vuri drynin edhe veprimtarisë së kësaj ndërmarrjeje. Por, përkundër premtimeve që do të rihapet me një ligj të veçantë, kjo ende nuk ka ndodhur.

Zvarritja e ligjit, e mospagesa e pagave për afro një vit, do t’i nxjerrin në rrugë sërish punëtorët e Lotarisë.

Qeveria Kurti më 31 maj kishte ndarë 151, 299 euro për pagesën e obligimeve për periudhën që nga ndalimi i aktivitetit deri më 30 prill 2020.

Qeveria e Kosovës më 7 dhjetor të vitit të kaluar kishte miratuar Ligjin për Lotarinë e Kosovës, që mundëson rihapjen e veprimtarisë së kësaj ndërmarrjeje.

Por, shpërndarja e Kuvendit e pamundësoi miratimin e këtij ligji, i cili është kthyer në pikën zero.

Punëtorët po kërkojnë që derisa të miratohet Ligji, t’u mundësohet që ata të marrin pagat e tyre.

Edhe menaxhmenti i ndërmarrjes thotë se i përkrah kërkesat e punëtorëve të Lotarisë dhe kërkon nga Qeveria një zgjidhje sa më të shpejtë për këta punëtorë.

Pas ndalimit të lojërave të fatit, kjo veprimtari ishte bërë edhe në mënyrë ilegale.

Kishte edhe aksione ku u arrestuan disa persona që kishin organizuar lojëra të fatit në mënyrë të jashtëligjshme.

Një aksion i policisë ishte zhvilluar edhe në fshatin kufitar të Kamenicës, Karaçevë. Policia rrënoi 11 objekte të cilat kanë funksionuar si kazino ilegale dhe arrestoi mbi 50 persona në dy pjesë të operacionit, i cili lidhej me luftimin e lojërave të fatit.