1 perditesime
Arbëri

Jashari: Përtej dallimeve politike të jemi të bashkuar

Jashari: Përtej dallimeve politike të jemi të bashkuar
Foto: Alban Bujari/KOHA
12:53

Jashari: Përtej dallimeve politike të jemi të bashkuar

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari, në ceremoninë e FSK-së për Epopenë e UÇK-së tha se dëshmorët, veteranët e ata që i kontribuuan luftës së shenjtë të UÇK-së, janë shkruesit e historisë sonë të lavdishme. I ka shprehur mirënjohje NATO-s dhe shteteve mike të Kosovës për mbështetjen në luftën çlirimtare dhe lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Jashari bëri thirrje për bashkim pavarësisht dallimeve politike, për ta jetësuar amanetin e dëshmorëve.

“Sakrifica shekullore e popullit tonë, lufta dhe gjaku i derdhur ndër shekuj është bazamenti i shtetit tonë demokratik të ndërtuar me mund e sakrificë. Shteti që ndërtuam falë atyre që nuk kursyen as jetën, tash e kemi amanet ta zhvillojmë. Në rrugën tonë me shumë sfida duhet të jemi të bashkuar përtej dallimeve politike që të jetësojmë amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë”, tha Jashari.

Kryetari i Skenderajt tha se për t’ua çuan në vend amanetin dëshmorëve, duhet ta zhvillojmë shtetin.

“23 vite pas falë kontributit të të gjithëve kemi ushtrinë tonë që radhitet në mesin e ushtrive tjera në ruajtjen e paqes në botë. Të rënët në altarin e luftës sollën lirinë e pavarësinë. Ne lehtësojmë amanetin e tyre vetëm duke zhvilluar shtetin”, përfundoi Jashari.

12:28

Osmani: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv i Kosovës

Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur ceremoninë e përvitshme në shënimin e “Epopesë së UÇK-së”.

Në 23 vjetorin e rënies heroike të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, në kazermën “Adem Jashari” është mbajtur kjo ceremoni ku prezentë ishin edhe krerët e shtetit.

Ushtruesja e detyrë së presidentit, Vjosa Osmani, me nderime tha se familja Jashari i vuri themelet e shtetit dhe lirisë. Tha se brezave të ardhshëm duhet t’u kujtohet historia e të mos harrohet e kaluara.

“23 vjet më parë predhat e forcave serbe që ranë mbi shtëpitë e Jasharëve shënuan kulmin e rezistencës për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, vendit tonë që u shndërrua në luftën tonë për çlirim. Shtëpitë e Jasharëve u shndërruan në fortifikatë të rezistencës. Përgjatë 5,6,7 marsit rezistenca e komandantit Adem Jasharit, familjes dhe bashkëfshatarëve të vet përçoi mesazhin se liria nuk ka kompromis. Me gjakun e tyre i vumë themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës”, tha Osmani.

Osmani tha se objektiv i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.

“FSK-ja po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s prandaj anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë. Lufta jonë për lirinë mbetet e shenjtë ashtu si shteti”, tha ajo.


12:41 - Hoti: Sakrifica e Jasharëve është unike

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, iu drejtuar ushtarëve të FSK-së duke u thënë se uniforma e tyre përfaqëson një detyrë të lartë për mbrojtjen e atdheut.

“Adem Jashari dhe anëtaret e tij u bënë emblema e ushtrisë së popullit. Nga tradita jonë e lashtë dëgjuam e lexuam rrëfime të shumta, por me një vlerësim mund të konkludojmë që sakrifica e familjes Jashari është unik. Me besnikërinë ndaj Kushtetutës duke bartur uniformën e FSK-së ju jeni duke mbrojtur atdheun. Ju e dini mirë se sa i lartë është çmimi i lirisë. Ju jeni shembull i shërbimet vetëmohues”, tha ai.