Arbëri

Punëtorët e Doganës kërkojnë pagesat shtesë, në të kundërtën paralajmërojnë veprime sindikale

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës thotë se punëtorët e Doganës po vazhdojnë të mbeten të anashkaluar nga Qeveria.

Në njoftim thuhet se në vendimet e Qeverisë në detyrë, punëtoret e Doganës kanë qenë të diskriminuar dhe të përjashtuar nga pagesa shtesë për punë në kushte pandemie.

“SPDK dhe stafi i Doganës së Kosovës janë plotësisht të vetëdijshëm se puna, përveç në kushte normale është obligim njerëzorë dhe ligjor që edhe në kushte të jashtëzakonshme të punohet dhe në rrethana të rënduara siç është situata me pandeminë në nivel botërorë. Edhe përkundër rrezikut, punës pa sigurim shëndetësor dhe jetësor, oficerët doganor po punojnë në kushte të jashtëzakonshme vetëm e vetëm që t’i shërbejnë qytetarëve të Republikës se Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sindikata thotë se Dogana ka kaluar nëpër një situatë mjaftë të rënduar, ku si rezultat i infektimit me covid-19 kanë humbur jetën dy punëtorë dhe mbi 70 % e stafit kanë qenë të infektuar apo kanë kaluar nëpër fazën e vetë izolimit.

“Andaj SPDK konsideron se Qeveria në detyrë po e anashkalon dhe po e diskriminon jo zyrtarin doganor i cili është përgjegjës për grumbullimin e të hyrave për buxhetin e shtetit, por po e diskriminon dhe e neglizhon punën dhe rrezikun që zyrtarët doganor përballën në baza ditore”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Financave që të ndalojë diskriminimin ndaj punonjësve të Doganës së Kosovës dhe në vendimet e ardhshme të kthejë punonjësit e Doganës ashtu siç ka qenë e paraparë në vendimin e fillim vitit të kaluar, në të kundërtën sindikatës së Doganës po u imponohet ndërmarrja e veprime tjera sindikale.