Arbëri

Kurti kërkon bashkërendim të BE-së e SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi

Kurti kërkon bashkërendim të BE-së e SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi
 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar bashkërendim të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi. Në një njoftim të kësaj partie për takimin e së hënës mes Kurtit dhe përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, bëhet e ditur se i pari i VV-së ka theksuar pikëpamjet e tij për procesin e dialogut.

Teksa e ka njoftuar për prioritetet e tij pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurti, Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë është proces i rëndësishëm që nuk do të neglizhohet. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se dialogu, në qeverisjen e tij, duhet të jetë me qasje të re, e jo “transaksional”. Kurti ka kërkuar bashkërendim të BE-së e SHBA-së për këtë proces, ndërsa ka shtuar se dialogu duhet të jetë në shërbim të popujve e jo qeverive.