1 perditesime
22:11

Lajçaku pas takimit me komandantin e KFOR-it: Mundësi për të konfirmuar unitetin transatlantik

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në orët e mbrëmjes ka takuar edhe komandatin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici. Takimin e zhvilloi pak kohë pasi takoi ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

“Sot u takova me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë dhe komandantin e KFOR-it për të diskutuar për zhvillimet aktuale. Mundësi e mirë për të konfirmuar unitetin tonë të fortë transatlantik”, ka shkruar diplomati sllovak në Twitter.

Lajçaku ka mbërritur sot në Kosovë për vizitë tri ditore. Vizitën e nisi me takimin që pati me kreun e VV-së, Albin Kurti, ndërkohë që të martën do të takojë edhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, pastaj ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj dhe liderë të tjerë të partive.

20:38

Kosnetti takon Lajçakun: SHBA-ja e mbështet dialogun e udhëhequr nga BE-ja

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnet ka takuar sot emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Kosnett ka shtuar se qëllimi i tyre është të ketë zgjidhje gjithëpërfshirëse.

“Në takimin e sotëm me Miroslav Lajcak, rifirmova mbështetjen e SHBA-së për një bashkëpunim, për dialogun, të udhëhequr nga BE-ja. Qëllimi ynë: një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe integrim më i thellë Euro-Atlantik nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Kosnett.