Arbëri

Rifillimi i bisedimeve, arritja e vetme e Lajçakut në mandatin e parë si emisar për dialog

Përkundër se për një vit mandat, Miroslav Lajçaku nuk është shquar për ndonjë arritje sa i përket detyrës së tij si emisar për dialogun Kosovë-Serbi, shtetet anëtare të BE-së do t’ia besojnë edhe për 1 vit e gjysmë ndërmjetësimin e këtij procesi.

Siç ka raportuar KOHA një ditë më parë, Lajçakut do t’i vazhdohet mandati si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun me Serbinë edhe për 17 muaj.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se arritja e vetme e Lajçakut në mandatin 1-vjeçar ka qenë rifillimi i dialogut.

“Në fakt për një vit ai ka arritur të organizojë vetëm 2 takime në nivel të liderëve të lartë ndërkohë që ka pasur edhe disa takime në nivel të grupeve punuese. Pra nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret në përafrimin e palëve e lëre më një marrëveshje historike”, ka thënë Palokaj.

Më tutje, Palokaj përmend edhe deklaratat e Lajçakut për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Sipas tij, përkundër se emisari Miroslav Lajçak vjen nga shteti që nuk e njeh Kosovën, ai përfaqëson politikat e BE-së.

“Gjithsesi duke pasur parasysh se ai vjen nga një shtet, i cili nuk e ka njohur Kosovën pra Sllovakia, shefi i tij Borell është po ashtu nga një shtet qe nuk e njeh Kosovën, Spanja, zëvendësja e tij është nga një shtet qe nuk e njeh Kosovën është krijuar përshtypje se tash grupi i diplomatëve që vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën ka rolin kryesor në dialog. Gjithsesi ata vërtet përfaqësojnë politikën e BE-së por duhet pasur parasysh se ata janë edhe krijues të kësaj politike prandaj duhet të shohim në të ardhmen se si do të zhvillohet dialogu dhe cili do të jetë rezultati përfundimtar”, ka deklaruar më tej ai.

Detyrën si përfaqësueses i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak e ka marrë më 3 prill të viti të kaluar.

Përmes një njoftimi për media, Këshilli i BE-së, një vit më parë, bëri të ditur se detyra e përfaqësuesit të ri do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.