Arbëri

“NY Times”: Si të bashkoni Kosovën e ndarë? Emërtoni liqenin Trump

Descriptive Text

Përmes një reportazhi për ndasitë etnike në Kosovë, gazeta prestigjioze “New York Times” ka shkruar për gjënë që bashkon shqiptarët dhe serbët – Emërtimin e liqenit në bazë të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Ljiljana Trifonoviq, një serbe që jeton në veri të Kosovës, ka pasur mëri ndaj politikanëve amerikanë. “Janë të gjithë kundër nesh”, ka thënë ajo, deri në kohën kur Donald Trump kishte hyrë në Shtëpinë e Bardhë. “Ai është pak i çmendur sikur të gjithë ne dhe ka ngjyrën e flokëve siç kam unë”, ka thënë 58-vjeçarja Trifonoviq për “NY Times”.

Krejt si befasi vitin e shkuar afër liqenit të Ujmanit ishte shfaqur një baner që e emërtonte atë si “Liqeni Trump”. Një tjetër baner i madh ishte shfaqur afër në atë synohej të quhej “Ura Trump”.

“Tashmë e kemi emrin për liqenin. Pse Trump?” kishte pyetur Trifonoviq kur kishte parë në mëngjes atë që po ndodhte.

Megjithatë, mediumi amerikan kujton se jo gjithçka ishte kaq e thjeshtë siç e përshkruan qytetarja serbe. Liqeni i krijuar në fillimet e viteve të ’70-a, ishte bërë në kohën kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë. Ai kishte dy emra: Ujmani për shqiptarët dhe Gazivoda për serbët.

Edhe pse Kosova shpalli pavarësinë më 2008, “NY Times” kujton se në Kosovë shumëçka ka dy emra, për shkak të komuniteteve që jetojnë, por ajo që nxiti rikthimin e çështjes së Ujmanit ishte administrata Trump që në shtator arriti marrëveshje me Kosovën dhe Serbinë për normalizim të marrëdhënieve ekonomike.

“Përpjekja, e udhëhequr nga ambasadori i Trumpit në Berlin, Richard Grenell, la anash Departamentin e Shtetit dhe Bashkimin Evropian, që kanë punuar për disa vjet, me pak sukses, për të bërë që Serbia të pranojë ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur. Të ndarë në etni, gjuhë e histori, shqiptarët si shumicë në Kosovë dhe minoriteti serb nuk pajtohen pothuajse në gjithçka, kryesisht për shkak të statusit të tokës që e ndajnë bashkë. Duke shpresuar se interesat e përbashkët ekonomikë do të ndihmonin në tejkalimin e barrierave politike, Grenelli, që ishte emëruar si emisar special për dialogun, propozoi dërgimin e ekspertëve të Departamentit të Energjisë për të përditësuar hidrocentralin e vjetërsuar, për t’i sjellë përfitime të dyja palëve”, thuhet në përshkrimin e “NY Times”.

Më pas ajo që nisi si shaka e Grenellit që liqeni të merrte emrin Trump u kthye në diçka serioze. Siç theksohet aty, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kishte mirëpritur deklaratën, e ngjashëm kishin bërë edhe zyrtarët serbë. Pas gjithë këtyre, u shfaqën banerët.

Kosova, mbase shteti më proamerikan në botë, tashmë ka një bulevard nën emrin e Bill Clintonit dhe një statujë të ish-presidentit që kishte udhëhequr SHBA-në në kohën e bombardimeve kundër Serbisë si dhe rrugë bazuar në emrin e të birit të presidentit aktual, Joe Bidenit. Prandaj, siç thuhet në reportazh, nderimi i Trumpit, nuk do të nxiste shumë polemika.

Ish-deputetja kosovare, Valdete Daka, ka kujtuar se shqiptarët janë aq falënderues ndaj SHBA-së sa që “gati çka do që propozohet nga Amerika do të pranohej, pavarësisht sa marrëzi që mund të jetë”.

Tutje aty megjithatë është kujtuar se krerë të tjerë shtetërorë në Kosovë kanë kundërshtuar emrin e Trumpit për liqe, përfshirë ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Pas gjithë këtyre polemikave e zhurmave të krijuara, propozimi i emrit të Trumpit për Ujmanin ka arritur një qëllim: Ka bashkuar shqiptarët dhe serbët në Kosovë, vazhdon reportazhi.

“Liqeni ka një emër dhe nuk është e s’do të jetë kurrë i quajtur Trump. Si do të ndiheshit ju amerikanët po që se një liqeni papritmas i vihet emri Millosheviq? E gjithë kjo është çmenduri”, ka thënë 31-vjeçari Milan, i biri i Trifonoviqit.

Se kush i vuri banerët mbetet mister, ka kujtuar “NY Times” që ka cekur po ashtu se ato qëndruan për vetëm pak ditë. Liderët serbë kishin mohuar se kanë përgjegjësi për këtë.

Vetë Trumpi kishte shfrytëzuar marrëveshjet në kohë fushate në SHBA duke thënë se ka arritur pajtim me “përqafime e puthje” të vendeve që “kanë luftuar për 400 vjet”.