Arbëri

Votat e komuniteteve - njëri subjekt goran akuzon tjetrin për shantazh

Nga “Roma Mahalla”, siç njihet në jug të Mitrovicës, 39 vota i ka marrë Romani Iniciyativa. Shumica e banorëve të kësaj lagjeje marrin ndihma sociale në Mitrovicën Veriore. Banorët, që nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, i kanë thënë KOHËS se mbi 10 banorë të lagjes punojnë në veri dhe se për fëmijët që shkojnë në shkollë në pjesën veriore prindërit e tyre marrin shtesa.

Për shantazh me përjashtim nga skemat sociale të Serbisë, presion dhe kërcënime ndaj komunitetit goran ka folur Fatir Berzati, kandidat për deputet nga “Koalicja Zajeno”. Për këto ai e ka akuzuar partinë e Adem Hoxhës, JGP, dhe strukturat paralele të Serbisë në Komunën e Dragashit.

“Kemi pasur kërcënime, kemi pasur kërcënime në ditën e heshtjes zgjedhore edhe para tyre. Kanë telefonuar njerëz, i kanë kërcënuar me ndihma sociale të Serbisë me pensione. Ata që janë në sistem arsimor i kanë kërcënuar që nëse nuk votojnë do t’i humbin vendet e punës. Nëse e keni dikë në listë ose keni kushërirë ose duhet të tërhiqen ose do ta humbin vendin e punës. Ka qenë presion marramendës. Ky është kulmi për komunitetin goran”, ka thënë ai.

Berzati thotë t’i jetë drejtuar policisë në Prizren.

I kontaktuar nga KOHA, Shaban Osmanollaj, zëdhënës i Policisë në rajonin e Prizrenit, ka thënë se deri më tani në këtë rajon është evidentuar vetëm një rast i shkeljes së fshehtësisë së votës, teksa ka kërkuar që pyetjet rreth thirrjeve të Berzatit t’i dërgohen me shkrim.

Ndërsa prokurorja koordinatore nacionale për zgjedhje, Laura Pula, ka thënë se për çdo zhvillim madhor mediat do të njoftohen përmes komunikatave.

KOHA gjatë së premtes ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga JGP-ja. Hamza Balje, anëtar i kësaj partie, ka thënë se pretendimet nuk qëndrojnë, derisa ka shtuar se do të përgjigjen shkurt brenda ditës. Megjithatë, përgjigjja ka munguar.