Arbëri

Zhvillimi i teknologjisë në shkollat e shekullit 21

Zhvillimi i madh teknologjik ka krijuar një ambient të ri, i cili ka ndryshuar kërkesat që ekonomia ka mbi shkathtësitë dhe njohuritë për sukses në vend të punës. Mbi të gjitha fokusi mbi shkathtësitë në krahasim me njohurit sot peshon më rendë, kjo pasi që jemi në fazë të vrullshme të zhvillimit të teknologjive, të cilat në formë të vazhdueshme shkaktojnë ndryshime në vende të punës, dhe nga punëtorët kërkohet adaptim i vazhdueshëm, gjetje e zgjidhjeve të reja dhe kreativitet.

Me fjalë të tjera, sot shkollat duhet të përgatisin gjeneratat e reja për vende të punës të cilat nuk ekzistojnë ende, andaj theksi vihet në zhvillimin e të menduarit në formë kritike, zhvillimin e shkathtësive në zgjidhjen e problemeve, adaptimin në ambiente të reja dhe aftësitë kreative.

Zhvillimi i shkathtësive në anën tjetër nuk është proces i thjeshtë! Nuk është më punë e shkollave vetëm të sigurohen që nxënësit kanë njohuri në fusha të caktuara, tashmë fokusi duhet të kalojë në përdorimin e njohurive për të arritur një objektivë, një rezultat, për të zgjidhur një problem konkret.

Që ta ilustroj më mirë, po i marr dy shembuj/skenar:

*skenarët nuk janë të lidhur me teknologji, për thjeshtësim të shpjegimit

Skenari 1: Nxënësit shkojnë në shkollë, dhe në orë mësimore, mësimdhënësi kërkon që të zgjidhet problemi X. p.sh të rrisin një bimë.

Pastaj mësimdhënësi fillon me shpjegimin e kushteve në të cilat bima rritet, bën shpjegim të detajuar të secilit kusht dhe çfarë efekti ka në bimë, dhe nga nxënësit kërkohet që të aplikojnë në formë praktike njohuritë e fituara. Aq më tepër nxënësit kanë për detyrë të simulojnë kushtet e kërkuara, dhe pastaj të analizojnë rezultatet në rast të dështimit dhe suksesit.

Skenari 2: Nxënësit shkojnë në shkollë, dhe në orë mësimore, mësimdhënësi kërkon që të mësojnë për bimën X. Mësimdhënësi konsumon shumicën e kohës në klasë duke shpjeguar fenomene të ndryshme të bimës, dhe flet për kushtet e rritjes. Ndërsa nga nxënësit kërkohet që t’i mbajnë në mend të gjitha informatat, dhe të jenë në gjendje t’i i rishpjegojnë për të arritur sukses në klasë.

Duke pasur parasysh këta dy skenarë është e qartë që vendosja e nxënësit përballë një problemi, për të cilin njihen kufizimet dhe të kërkohet nga ata që të gjejnë një zgjidhje, është shembull tipik i punës që duhet bërë shkollat e shekullit 21 - në krahasim me skenarët tipikë të shkollave tona, ku nxënësit i shpjegohen konceptet për një temë, dhe kërkohet nga ata që të jenë në gjendje të shtjellojnë temën. Aq më tepër në skenarin e dytë, për shkak se qasja në informata sot është jashtëzakonisht e lehtë, dhe mbajtja në mend e njohurive pa aspekt praktik është edhe më e devalvuar.

Ky pozicionim në klasë nxënësit i bie në pozitë ku beteja për të kuptuar konceptet është prej atyre më të lehta, ndërsa theksi bie në “Si t’i aplikojë këto koncepte që të arrij rezultatin”, dhe ky pozicionim është shumë i fuqishëm pasi që shtyn nxënësit të mendojnë më gjerë, më thellë dhe të tejkalojnë përmbajtjen e asaj çka po mësojnë, duke kërkuar nga vetja që të aplikojnë njohuritë e fituara në skenar praktik. Ky proces dhe ambient shkakton zhvillimin e shkathtësive, të cilat vendet e punës së shekullit 21 i kërkojnë!

Teknologjia në këtë rast është dera kryesore dhe më e lehta të implementohet për të nxitur nxënësit të punojnë në këtë formë. Ata përveçqë do të fitojnë njohuritë fondamentale mbi arkitekturën dhe principet e funksionimit të teknologjisë, e cila në vete u jep përparësi për sukses, ata arrijnë që këtë cikël të zgjidhjes së problemeve ta ushtrojnë shumë më shpesh, shumë më shpejt dhe në formë shumë praktike.

Aq më tepër suksesi më i madh i ushtrimit dhe zhvillimit të këtyre shkathtësive te nxënësit arrihet duke filluar punën në këtë formë nga mosha e hershme, preferueshëm duke filluar nga klasa e parë fillore.

Kjo është mosha më e mirë për plot arsye, më të rëndësishmet janë:

Kreativiteti dhe mendimi origjinal ende janë prezentë në këtë moshë, në masë të madhe

Stereotipat gjinorë nuk janë të formuar

Duke pasur parasysh këtë, nëse aplikohet kjo formë e punës në shkolla, atëherë zgjidhja e problemit të balancës gjinore në fusha teknike natyrshëm do të tejkalohet, duke u dhënë hapësirë vajzave nga mosha e hershme të fitojnë eksperiencë në këtë formë të punës dhe të kenë mendim personal nga përvoja e tyre, e jo duke e rrezikuar vendimin në moshën më madhore, vendim ky i cili merret nga vajza të cilat me mungesë të eksperiencës dhe me mendime stereotipike tashmë te formuara marrin vendim për karrierë.

Si përfundim, unë fuqishëm rekomandoj që secila shkollë dhe secili prind të marrë rol aktiv, duke kërkuar që fëmijët e tij/nxënësit e tyre të përgatiten në shkollë për vendet e punës së shekullit 21 - të cilat do të kërkojnë shkathtësi për zgjidhjen e problemeve, shkathtësi të mendimit kritik dhe ato të kreativitetit!

Arta Shehu-Zaimi

Themeluese e “Labbox” dhe “Akademise jCoders”

*Artikull i sponsorizuar