Arbëri

Aktakuzë ndaj Reçicës, ndau jashtëligjshëm shtesa në paga për disa zyrtarë të MI-së

Descriptive Text

Të paligjshme po i konsideron Prokuroria Speciale shtesat financiare për një numër të madh zyrtarësh të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në aktakuzën e ngritur javën e kaluar nga ky institucion kundër ish-sekretarit Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë përmenden edhe pagesat shtesë për zyrtarët. Për këtë çështje Prokuroria Speciale e ngarkon vetëm Reçicën.

Ky institucion ka renditur në tri pika të aktakuzës argumentet për këto pagesa duke i cilësuar si vepra penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare.

“U vërtetua dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Betim Reçica, më datën 02.10.2019, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në vazhdimësi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij, ashtu që ka nxjerrë vendimin nr.10689 për pagesën e zyrtarëve për shërbime kontraktuese, me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar (shtesa në pagë) për zyrtarët”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Dy zyrtarë, sipas aktakuzës, janë caktuar nga Reçica në komisione për realizimin e projekteve kapitale, ndërsa kanë marrë shtesa në pagë nga 600, respektivisht 800 euro.

Aktakuza thekson së për të njëjtit zyrtarë ish-sekretari Reçica kishte marrë vendim që shtesat në pagë t’u paguheshin në mënyrë retroaktive që prej datës së punësimit.

“Betim Reçica ka nxjerrë vendimin nr. 8778 me qëllim, që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar për zyrtarët Hysen Merovci dhe Ardian Begaj në vlerë prej 250 eurosh, pra për Merovcin duke filluar nga muaji maj i vitit 2010, kur është punësuar, ndërsa për Begajn nga fillimi i vitit 2010”, thuhet në aktakuzë.

Për pagesat e këtyre dy zyrtarëve buxheti i shtetit, sipas aktakuzës, është dëmtuar rreth 70 mijë euro.

KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale, por edhe ka provuar ta kontaktojë Reçicën tash e disa ditë, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave.

Televizioni vitin e kaluar pati siguruar dokumentet për të gjitha këto pagesa.

Në dokumentet e publikuara nga KOHA thuhet se pagesat do të bëhen edhe për kohën që zyrtarët janë angazhuar në projekte prej muajit janar 2019.