Arbëri

Kohë e shkurtër për zgjedhjen e Presidentit

Prishtinë, 21 shkurt - Derisa Komisioni Qendror është në proces të verifikimit të votave nga diaspora, ende nuk dihet edhe sa kohë do të marrë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Në proceset e fundit zgjedhore më shumë ka marrë kohë certifikimi i rezultateve sesa përgatitja për organizimin dhe administrimin e tyre. Në zgjedhjet e vitit 2019 ishin nevojitur 53 ditë deri në certifikimin e tyre. Një shtyrje e tillë do ta rrezikonte afatin për zgjedhjen e presidentit të ri, i cili duhet të zgjidhet në javën e parë të prillit.

Publicisti Veton Surroi në një bisedë me institutin gjerman “Aspen” ka thënë se nuk do të jetë problem formimi i Qeverisë, por problem e sheh kohën e shkurtër për zgjedhjen e presidentit.

“Nuk mendoj se do të jetë problem apo nuk shoh ndonjë problem në formimin e Qeverisë. Natyrisht, problem është se e gjithë kjo duhet të ndodhë brenda një afati kohor të ngjeshur, për shkak se dy apo tri javët e ardhshme do të zgjatet procesi deri në certifikim të rezultateve. Dhe kjo na vendos në javën e dytë apo të tretë të marsit dhe presidenti duhet të zgjidhet deri në javën e parë të prillit. Kështu që edhe nëse do të kemi formim të lehtë të Qeverisë, ky nuk mund të jetë rasti edhe me zgjedhjen e presidentit të ri”, ka thënë Surroi.

Kërkesa për prezencë dhe pjesëmarrjen në votim të 80 deputetëve, sipas Surroit, i jep mundësi opozitës që ta bllokojë zgjedhjen e procesit.

të ketë shumë skenarë. Disa deputetë që e kanë marrë mandatin nuk e di nëse kanë interes të shkojnë edhe një herë në zgjedhje. Ky është një faktor. Faktori tjetër është çfarë do të ndodhë me LDK-në, sepse në 30 ditët e ardhshme ndoshta do ta kemi procesin e zgjedhjes se lidershipit të ri në LDK, para votimit të presidentit. Kjo pak a shumë do të tregojë se cili do të jetë drejtimi i LDK-së dhe nëse do të ketë po ashtu votë për presidentin”, ka shtuar ai.

Minimumi i kërkuar për zgjedhjen e Qeverisë është 61 vota. Edhe presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.

Ndërkaq 60 ditë është afati brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti, në momentin që fillojnë ato. Në dy raundet e para kërkohet që të zgjidhet me dy të tretat, pra 80 vota, ndërsa në të tretin kërkohen 61 vota, me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.

Në pritje të certifikimit, partitë nuk kanë treguar pozicionet e tyre sa i përket postit të presidentit. Kandidate nga koalicioni fitues është Vjosa Osmani. Kandidaturën e kishte shpallur edhe Ramush Haradinaj, subjekti i të cilit deri më tani ka siguruar nëntë ulëse në Kuvend. Pas mbledhjes së Kryesisë, të premten, nga ky subjekt kanë thënë se do të presin certifikimin e rezultateve për të marrë një vendim lidhur me çështjen e presidentit.

E, zyrtarë të administratës së Kuvendit kanë deklaruar se përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së re nisin pasi të certifikohen rezultatet nga KQZ-ja.

“Përgatitjet për konstituimin e Kuvendit nisin pasi të certifikohen rezultatet nga ana e KQZ-së. Pas certifikimit të gjitha aktivitetet e administratës do të publikohen në web faqen e Kuvendit”, ka thënë Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit.

Mbështetur në Rregullore, Kryesia e Kuvendit do ta vazhdojë mandatin deri në konstituimin e legjislaturës së re. Po ashtu, Kryesia e përgatit edhe seancën konstituive të legjislaturës së re.

Sipas një interpretimi të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, pas konstituimit të Kuvendit duhet të zgjidhet presidenti, i cili pastaj e cakton mandatarin e Qeverisë. Por në vitin 2010, Jakup Krasniqi në cilësinë e ushtruesit të detyrës së presidentit e kishte mandatuar kryeministrin e ri.

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka zbuluar emrin e pretendentit për kryetar të Kuvendit.

Pas konstituimit të legjislaturës së re, kjo është pika e radhës që duhet konsumuar para se të procedohet me zgjedhjen e presidentit dhe të kryetarit të Qeverisë. Legjislaturën e kaluar Vetëvendosje e kishte propozuar kryetarin e Kuvendit pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike. Konjufca ishte zgjedhur kryeparlamentar me shumicë votash, por pozitën e liroi më pas për Vjosa Osmanin.